Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla ka kritikuar mungesën e përfaqësuesve të ekzekutivit komunal në dëgjimet publike për buxhetin e vitit 2027.

Sveçla ka thënë se kërkesat e qytetarëve të paraqitura gjatë këtyre dëgjimeve kanë qenë të natyrës bazike, duke përfshirë përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e çerdheve, ndriçimin publik, hapësirat e gjelbra, transportin publik dhe objektet arsimore.


“Një rrugë, një çerdhe, pak më shumë ndriçim publik, një shkollë ose aneks shkolle, më shumë hapësira të gjelbra, autobusë të rregullt e të pastër, një fushë sportive… Këto përbënin, në thelb, kërkesat e vetme që përfaqësuesit e lagjeve dhe fshatrave të Prishtinës paraqitën gjatë dëgjimeve publike për buxhetin e vitit 2027”, ka shkruar Sveçla.

Sipas tij, bëhet fjalë për kërkesa “bazike elementare dhe plotësisht legjitime”, të cilat siç shprehet ai, një qeverisje e përgjegjshme do të duhej t’i trajtonte me angazhim dhe vizion.

“Megjithatë, mungesa e Kryetarit të Kryeqytetit, e nënkryetarëve dhe e shumicës së drejtorëve në këto dëgjime publike flet më shumë se çdo deklaratë. Ajo tregon se Ekzekutivi aktual nuk e ka prioritet as t’i dëgjojë qytetarët, e aq më pak t’u japë zgjidhje problemeve të tyre”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka theksuar se buxheti duhet të shihet si pasqyrë e prioriteteve të një qeverisjeje dhe se këto prioritete duhet të përcaktohen përmes dëgjimit të drejtpërdrejtë të kërkesave të qytetarëve.

“Buxheti nuk është vetëm një tabelë me shifra, por është pasqyra e prioriteteve të një qeverisjeje. Dhe këto prioritete duhet të përcaktohen duke dëgjuar qytetarët, duke njohur nevojat e tyre dhe duke punuar çdo ditë për t’i zgjidhur ato”, ka shkruar Sveçla. /Telegrafi/