LAJMI I FUNDIT:

Një operacion global policor konfiskon 41,000 artefakte

Një operacion global policor konfiskon 41,000 artefakte

Më shumë se 41,000 objekte kulturore u sekuestruan gjatë një operacioni kundër trafikut të paligjshëm organizuar në 81 vende nga Organizata Botërore e Doganave (OMD), Europol dhe Interpol, njoftoi sot kjo e fundit.

“Këto monedha, mobile, piktura, instrumente muzikore, skulptura dhe objekte arkeologjike u sekuestruan gjatë një operacioni botëror kundër trafiqeve të objekteve kulturore”, shtoi organizata ndërkombëtare për bashkëpunimin policor në një komunikatë.


Ky operacion botëror u zhvillua në kuadër të operacionit “Athena”, nga Organizata Botërore e Doganave dhe Interpoli dhe operacioni ”Pandora II”, koordinuar nga Europol dhe Garda Civile spanjolle.

Dhjetëra mijëra kontrolle u realizuan në aeroportet dhe kufijtë e 81 vendeve gjatë këtyre operacioneve, që janë zhvilluar nga tetori në dhjetor 2017.

Shtëpitë në shitje, muzetë, si dhe vende të veçanta janë inspektuar duke bërë të mundur hapjen e më shumë se 300 hetimeve dhe duke çuar në 101 arrestime.

Mes objekteve të gjetura, Interpoli përmendi rastin e një guaske gliptodoni e të zhdukur. Kjo guaskë, më shumë se 1,000,000-vjeçare, ishte shitur për 150,000 dollarë.

Një pikturë e Nicolas de Staël, vlerësuar rreth 500,000 euro, u kap nga doganat franceze në veri të Parisit, ndërkohë që po përgatitej të nisej drejt Londrës.

“Më shumë se 7,000 objekte, rreth 20 për qind të numrit total të objekteve të gjetura në këto operacione, u zbuluan në faqet e shitjeve në internet”, zbulon Interpol. /KP/