Një mjeshtër e shndërroi një “autobus londinez” në një apartament me dy dhoma gjumi

Një mjeshtër ka shndërruar një autobus klasik të Londrës në një apartament modern me dy dhoma gjumi.
Dhe tani, sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, ai është në shitje për rreth 60 mijë euro.
Dan Atkins, 45 vjeç, nga Sunbury-on-Thames, nisi këtë projekt përmes organizatës së tij bamirëse, e cila ndihmon personat në nevojë për strehim.
Frymëzimi erdhi pasi mësoi se një mik i tij po flinte në ndarjen e bagazheve të një autobusi.
Autobusi i vitit 1998 është transformuar tërësisht në një hapësirë banimi luksoze, duke përfshirë një dhomë gjumi për të rritur, një dhomë me shtretër marinari për fëmijë, një kuzhinë moderne, një banjo elegante dhe një ambient ndenjeje me televizor smart 32-inç dhe banak mëngjesi.
Dan deklaron se të gjitha të ardhurat nga shitja do të përdoren për të mbështetur projektet e ardhshme të organizatës.
“Mendoj se është një nga autobusët më të bukur që është rinovuar ndonjëherë”, tha ai. “Mund të shërbejë si një shtëpi e veçantë apo edhe një vendpushim familjar”. /Telegrafi/






















































