Një mesazh i çuditshëm në një shishe u shfaq së fundmi në brigjet e një ishulli të largët kanadez.

Zbulimi u njoftua nga Parku Kombëtar i ishullit Sable, në një postim në Facebook më 23 maj. Ishulli i vogël ndodhet pranë ujërave të Nova Scotia, transmeton Telegrafi.


Në postim, zyrtarët e parkut thanë se shishja u zbulua nga Mark Doucette, një teknik arkeologjie nga Potlotek First Nation, një komunitet i amerikanëve vendas Mi'kmaq.

"Mesazhi është shumë i zbehtë, por ne mund të dallojmë se shishja u dërgua në det më 14 janar 1983, nga një anije furnizimi që vepronte pranë ishullit Sable," thuhet në postim.

Duke folur për Fox News Digital, përfaqësuesja e Parks Canada, Jennifer Nicholson, tha se, pasi hapi shishen, gjëja e parë që zyrtarët vunë re ishte aroma e saj e fortë.

"Epo, së pari, ende mund të nuhasje xhinin. Edhe 40 vjet më vonë, ajo nuk ishte zbehur", kujtoi ajo.

Xhini treti një pjesë të bojës në letër, por ishte ende paksa e dukshme. Nicholson tha se letra ishte ende e lagur ngaqë kishte qëndruar në shishe për katër dekada.

"Ndërsa thahej, mund të dalloje më shumë nga mesazhi - dhe mund të shihje gjurmët e lëna nga stilolapsi", tha ajo.

Letra kishte detaje të pakta rreth anijes nga e cila ishte dërguar, gjë që kërkoi disa kërkime nga zyrtarët e parkut.

"Në fillim ishte pak e vështirë të dalloje emrin e anijes. Mund të dalloje se mbaronte me 'Sea Hunter'", tha Nicholson.

"Ne bëmë pak gërmime dhe një nga arkeologët zbuloi se dikur kishte një anije furnizimi të quajtur Wimpey Sea Hunter. Ishte një anije britanike furnizimi e ndërtuar në Devon në vitin 1982", u tha ndër tjera.

"Kishte emra ekuipazhi edhe në anën e pasme. Nuk kemi qenë në gjendje të gjurmojmë asnjë nga ekuipazhi pas kësaj kohe. Por nëse janë atje, do të na pëlqente të dëgjonim prej tyre", shtoi ajo.

Shishja përmbante gjithashtu një kartëmonedhë dy dollarëshe nga viti 1974, e cila paraqiste një portret të Mbretëreshës së re Elizabeth.

"Kemi pasur pajisje si televizorë dhe frigoriferë të dalin në plazh - veçanërisht frigoriferë", theksoi Nicholson.

"Banka e Kanadasë zëvendësoi kartëmonedhën dy dollarëshe me [monedhën dy dollarëshe] në vitin 1996, dhe disa nga ekipi ynë Sable nuk kishin parë kurrë një kartëmonedhë dy dollarëshe më parë", vuri në dukje Nicholson.

Nuk është e pazakontë që shishe të ngjashme të dalin në brigjet kanadeze. Nicholson tha se një mesazh në një shishe zakonisht gjendet në Nova Scotia çdo vit. /Telegrafi/