LAJMI I FUNDIT:

Një libër për të dekoduar letërsinë postmoderne

Një libër për të dekoduar letërsinë postmoderne

Albert Gjoka

Postmodernizmi është një lëvizje letrare dhe kulturore, e cila tashmë është në mbyllje të zhvillimit ciklik të saj në Perëndim, pse jo në pikën kulminante të krizës së tij; qoftë si gjendje, si mendim apo poetikë letrare.

Ai ka pasur një shtrirje të gjerë në shumë fusha, veç letërsisë – si në kinema, filozofi, televizion, fotografi, arkitekturë, kërcim etj. Ndonëse postmodernizmi konsiderohet si një prej ‘izmave’ të radhës, ai nuk mund të kalohet pa vëmendjen e duhur për shkak të përmasave të shtrirjes dhe ndikimit që ka pasur në artin, kulturën dhe mendimin perëndimor. Por, nëse në botë postmodernizmi është studiuar që në hapat e parë, duke nisur që nga vitet ’50-’60, në Shqipëri ka pasur dhe ka ende pak vëzhgime rreth tij: Në Kosovë ka pasur diçka më shumë studime teorike, analiza tekstuale apo përkthime të teoricienëve postmodernistë.


Përgjithësisht, postmodernizmi në Shqipëri është trajtuar në mjediset universitare (shih librin “Një lojë me emrin postmodernizëm” të Ridvan Dibrës) apo në analiza jo të thelluara, të bëra mbi tekste apo fenomene të ndryshme letrare. Në këtë boshllëk të madh, vjen edhe studimi “Postmodernizmi – poetika e antirregullit” i Floresha Dados, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Autorja ka një përvojë të gjatë në fushën e studimit të Teorisë së Letërsisë, Historisë së Letërsisë apo edhe në disiplina të tjera në fushën e studimeve letrare. Ky punim, në vetvete, shënon një shteg të ri studimor edhe për vetë autoren, por përmes këtij studimi lexuesi njihet në mënyrë të shumanshme me postmodernizmin, qoftë në rrafshin teorik, qoftë edhe mbi shfaqjen e këtij fenomeni në romanin bashkëkohor shqiptar. Postmodernizmi si koncept ka qenë dhe mbetet tej mase i debatueshëm, pasi ende nuk ka një pajtueshmëri rreth tij edhe sot e kësaj dite, pas më shumë se 50 vitesh diskutimesh dhe kundërshtish mes teoricienëve të ndryshëm.

Ai nuk është thjesht një nocion periodizues apo një dukuri evolutive, por një dukuri me poetikë të artikuluar. Postmodernizmi – përkundër modernizmit – është raport i ndërlikuar rrjedhimesh, dallimesh dhe varësish (Linda Hutcheon). Pikërisht natyrën komplekse të këtij koncepti, shumëllojshmërinë e këndvështrimeve rreth tij e sjell në këtë studim autorja, e cila i ka pasqyruar në mënyrë të detajuar të gjitha opsionet që e shohin postmodernizmin, qoftë si vazhdim të modernizmit apo si refuzim të tij, deri në krijimin e një poetike të veçantë postmoderniste.

Studiuesja është ndaluar te të gjitha këndvështrimet e teoricienëve që janë marrë jo vetëm me poetikën e postmodernizmin, duke shtjelluar edhe pikëpamjet e autorë si: Michael Colher, William Spanos, Irving Howe, Susan Sontag, Roland Barthes, Peter Holbrook, Hans Bertens, Northop Frye, Jens Zimmerman, Terry Eagleton, Charles Newman, Christofer Witcome, Umberto Eco, Linda Hutcheon, Matei Calinescu, Frederic Jameson, Nathali P. Gross, Mikhail Epstein, por edhe ato të mendimit filozofik të postmodernizmit, me përfaqësues si JeanFrancois Lyotard, Ihab Hassan, Jean Baudriallard, Jurgen Habermas, Marshall McLuhman, Richard Appignanesi, Chris Garrat etj. Paraqitja e ideve të tyre, debatet dhe kundërshtitë mes pikëpamjeve të tyre i krijon mundësinë lexuesit që të ketë një njohje sa më të plotë rreth postmodernizmit si poetikë, por edhe si filozofi mendimi.

Po ashtu, autorja e ka vendosur postmodernizmin në një rrafsh diakronik, ku ka krahasime dhe dallime specifike me lëvizje të tjera letrare si realizimin, modernizmin apo edhe metoda të tjera letrare. Ky shqyrtim në aspektet krahasuese kontribuon për të identifikuar më qartë poetikën postmoderniste, e cila shënon në vetvete kapërcimin e kufijve të poetikës moderniste. Madje, sendërtohet si lojë ndaj modernizmit. Autorja e ka studiuar postmodernizmin edhe në aspektin sinkronik, ku janë marrë në shqyrtim të gjitha elementet e teknikave poetike postmoderniste, si superrealja, simulakra, ironia, rigjallërimi i alegorisë, parodia, simboli, paranoja, paradoksi, pastishi, eklektizmi, fantastikja, gjysmëfiksioni etj., kanë analizuar mbi tekste.

Një tjetër qasje me vlerë në këtë studim është edhe raporti që postmodernizmi ndërton me zhanret letrare, duke i thyer kanonet tradicionale me format e reja të narracionit (rrëfimet e vogla, fragmentimi i rrëfimit, thyerja e subjektit, rolet e rrëfimtarit, etj.), mënyra sesi ndërtohet personazhi. Vendosja e postmodernizmit në raport edhe me strukturalizmin apo poststrukturalizmin, me shkollat e interteksualitetit, e qartëson më tej këtë koncept te lexuesi. Sigurisht, vlera më e madhe e këtij studimi, si pakkush tjetër në radhët e studimeve bashkëkohore shqiptare, qëndron tek analizat e detajuara të romaneve të autorëve bashkëkohorë shqiptarë. Letërsia e krijuar në tri dekadat e fundit ka synuar që estetikisht të jetë kundërshtuese/refuzuese ndaj letërsisë realiste, socrealiste dhe deri diku edhe asaj moderniste; ku ka përpjekje për vetërefleksion ndaj së shkuarës dhe ku nuk mungojnë mjetet dhe teknikat e poetikës postmoderniste nga autorët shqiptarë.

Romancierë si Ridvan Dibra, Rexhep Qosja, Ardian Kopi-Kyçyku apo Gazmend Krasniqi e kanë sjellë postomodernizmin në veprën e tyre përmes njohjes direkte teorike të postmodernizmit. Por, autorë si Mira Meksi, Bashkim Shehu etj., kanë pasur aktivitet si shqipërues të autorëve postmodernistë. Një pjesë tjetër janë ndeshur me postmodernizmin përmes leximit të veprave letrare të autorëve si Borges, Salman Ruzhdi, John Fowles, Umberto Eco, Christa Woolfe, D. M. Thomas, Susan Sontag, Vladimir Nabokovi, Iris Murdoch Harold Pinter, Kurt Vonnegut e shumë e shumë autorëve të tjerë që janë shqipëruar gjatë tri dekadave të fundit. Ndërsa tek autorë të tjerë postmodernizmi vjen natyrshëm në veprën e tyre, edhe për shkak të talentit apo presioneve ideore që sjellin diskurse të ndryshme. Autorja e pranon faktin se te shumica e romancierëve bashkëkohorë shqiptarë postmodernizmi nuk shfaqet qartë, me të gjithë elementet tipizues të poetikës së vet, por ajo merr përsipër që të analizojë edhe tekste që gërshetojnë elemente të pjesshme të tij.

Postmodernizmi në letrat shqipe nuk vjen në mënyrë uniforme si lëvizje letrare apo kulturore, por shfaqet fragmentar. Në poezi, për shembull, e ndeshim te Martin Camaj, Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku apo Gazmend Krasniqi. Një formë më të qartë të postmodernizmit, edhe si poetikë, e ndeshim në prozën e shkurtër bashkëkohore, ku veçojmë autorë si Mira Meksi, Ardian Kopi-Kyçyku, Arian Leka, Gazmend Krasniqi etj. Ndërsa në roman poetika postmoderniste na vjen e shfaqur në mënyra më të paqarta. Plotësia e studimit mbi postmodernizmin shtohet edhe në ndalesën e receptimit nga lexuesi të tekstit postmondernist – tronditja apo konfuzioni që ka shkakton ai te lexuesi. Po ashtu, edhe aspekti i kritikës postmoderniste, një çështje tejet e debatueshme edhe sot. Prej gati tri dekadash ka pasur një “tronditje” të lexuesit kur është ndeshur me tekste që kanë një estetikë të re, të ndryshme nga ajo që kanë tekstet realiste, socrealiste apo moderniste. Mendoj se këtu duhet gjetur një nga shkaqet kryesore të nivelit të ulët të receptimit të teksteve nga lexuesi, i cili gjendet i papajisur me informacionin apo kulturën e duhur që të shijojë letërsinë postmoderniste.

Unë mendoj se libri “Postmodernizmi – poetika e antirregullit” këtu e jep kontributin më të madh: Ai është një guidë e qartë, e thjeshtë, e gjithanshme, në ndihmë të lexuesit, për të receptuar sa më mirë tekstet letrare postmoderniste dhe veçanërisht romanin postmodern shqiptar. Madje, ky libër është ndihmesë edhe për lexuesit e specializuar, përfshirë këtu edhe studentët apo pedagogët, të cilët kanë mundësi që të pasurojnë njohuritë e tyre mbi postmodernizmin si dhe të përmirësojnë kurrikulën e lëndës së postmodernizmit. I gjithë studimi është një laborator analizash të detajuara të teksteve, ku arsenali teorik gërshetohet qartësisht edhe me analiza praktike të romaneve të autorëve tanë. Sigurisht, lista e veprave apo autorëve të përzgjedhur si objekt studimi mund të pasurohet me tituj apo romancierë të tjerë, por shembujt e marrë në studim janë të kënaqshëm për të pasqyruar postmodernizmin në romanin bashkëkohor shqiptar. Përmes studimit të postmodernizmit, autorja analizon njëherësh edhe fenomene e prirje të veçanta të letërsisë bashkëkohore shqiptare, e cila prej kohësh vuan filtrin e një kritike letrare profesioniste.

Ky tekst është një bazë solide për të ndërtuar gjykime të shëndosha profesionale mbi tiparet e romanit bashkëkohor shqiptar dhe raportin e tij me postmodernizmin. Madje, teksti shkon përtej, duke dhënë ndihmesë në kuptimin e postmodernizmit si fenomen edhe në artin, kulturën apo mendimin filozofik postmodernist në përgjithësi. Ky studim mund të shërbejë fare mirë si një model dhe njëherësh edhe si nxitje për studiuesit e rinj që të bëjnë trajtesa të tjera rreth shfaqjes së postmodernizmit në letërsi, në veçanti, por edhe për fenomene apo teori të tjera si ato për feminizmin, postkolonializmin etj., të cilat ende nuk janë eksploruar në letërsinë shqipe. Vetë autorja e ka konsideruar të hapur debatin për poetikën e postmodernizmit, pse jo, tejet problematike; madje, edhe kur adreson 13 dilemat e saj rreth postmodernizmit si fenomen dhe si shfaqje në romanin shqiptar.

Por libri në vetvete është një sfidë e radhës për të gjithë studiuesit, të cilët mund të mësojnë shumë prej përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të autores në mënyrën sesi reagon një studiuese letrare ndaj prodhimit letrar në vend dhe në qasjet që zgjedh për t’i parë ato. Ky punim është kontribut tjetër i Akademikes Floresha Dado, krahas sprovave që autorja ka bërë më parë një fushën e studimit të historiografisë letrare, studimin e letërsisë së realizimit socialist apo çështje të tjera të natyrës teorike. Studimi më i fundit i paraqitet një mjedisi të vakët të diskursit postmodern, prandaj, si i tillë, ky tekst fare mirë mund të shërbejë si një çelës për dekodimin e prodhimit letrar të krijuar pas viteve ’90, qoftë nga lexuesi i thjeshtë apo i specializuar.