LAJMI I FUNDIT:

Një karrierë e shkëlqyer e Shani Tarashajt, por që përfundoi në moshën 27-vjeçare – Nga kërkesa në FIFA për të luajtur me Kosovën, te miqësia me Lukakun, golin në Bundesliga dhe paraqitja në evropian me Zvicrën

Një karrierë e shkëlqyer e Shani Tarashajt, por që përfundoi në moshën 27-vjeçare – Nga kërkesa në FIFA për të luajtur me Kosovën, te miqësia me Lukakun, golin në Bundesliga dhe paraqitja në evropian me Zvicrën

Shani Tarashaj ka qenë një nga futbollistët e ri më të mirë në Evropë në mes viteve 2014-2016, ku emri i tij ishte lidhur me shumë klube të mëdha.

Forma e shkëlqyer te gjiganti zviceran Grasshoppers bëri që ai të vërshohet nga ofertat, por ishte skuadra e njohur angleze Everton që shpenzoi katër milionë euro për t’i marrë shërbimet e tij në janar të vitit 2016.

Tarashaj ka bërë një karrierë të madhe, përkundër që u detyrua ta mbyllte atë në moshën 27-vjeçare, shkaku i lëndimeve të shumta që kishte në vitet e fundit dhe ai mori vendimin e dhimbshëm për t’i dhënë fund karrierës si futbollist.


Për një djalosh që familja e tij emigron në Zvicër nga Kosova të bëj një karrierë të tillë, duke luajtur në Ligën Premier, Bundesliga, Superligën e Zvicrës e Përfaqësuesen helvetike në Kampionatin Evropian ‘Euro 2016’, nuk është pak, por është një karrierë e shkëlqyer duke marrë parasysh se ai luftoi me lëndimet e rënda.

Në një rrëfim ekskluziv për Telegrafin, Shani Tarashaj flet për të gjitha që i ndodhën në karrierën e tij, por fillimisht ai tregon se si erdhi deri te vendimi për ta lënë futbollin.

“Kam vuajtur shumë nga lëndimet e fundit, por mbetja jashtë fushave më bëri të vuaj përveç fizikisht edhe emocionalisht pasi duhej të qëndroja jashtë fushave e që për një futbollist është shumë e vështirë një gjë e tillë. Kam operuar katër herë gjurin tim dhe vazhdimisht po përsëritej lëndimi, kështu nuk mund të vazhdoja”, thotë fillimisht Tarashaj.

“Ishte një vendim i vështirë dhe shumë emocionues. Kam marrë vendimin pasi kam menduar gjatë, por jam këshilluar edhe me familjen time dhe njerëzit që më qëndruan afër”, vazhdoi tutje Tarashaj, që thotë se pasi shpalli vendimin për tërheqjen nga futbolli mori shumë mesazhe që e emocionuan atë.

“Pasi bëra publik lajmin për pensionim kamë marrë shumë mbështetje nga ish-shokët e skuadrave ku kam luajtur apo edhe të Përfaqësueses si Nico Elvedi, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Breel Embolo, Haris Seferovic e lojtarë të tjerë”, tregon Tarashaj.

27-vjeçari e pranon se ka mundur të qëndrojë ende në futboll në klube më të vogla, pasi ofertat në drejtim të tij nuk kanë munguar.

“Kam pasur mundësi të qëndroj ende në futboll pasi ofertat nuk kanë munguar, por e kam parë që nuk ia vlen të kem përsëri lëndime e të përjetoj ato vuajtjet që i kisha”.

Megjithatë ai ka mbetur në futboll, pasi tani është duke kryer rolin e trajnerit në Zvicër.

“Futbolli është një pasion për mua dhe nuk mund të largohem nga ai. Tani jam ende te futbolli, ku po punoj si trajner i fëmijëve dhe është një eksperiencë e re, por shumë e bukur për mua”, tha Tarashaj për Telegrafin.

Shpërthimi me Grasshoppersin, talenti i vitit në Zvicër 

Në vitin 2015 te Grasshoppersi filloi shkëlqimin një djalosh i ri me prejardhje nga Prizreni i Kosovës, por që kishte lindur dhe rritur në Zvicër.

Tarashaj thuajse shënonte në çdo ndeshje dhe mbylli sezonin me 12 gola e katër asistime, duke bërë që klubet evropiane të bënin oferta për të.

“Ka qenë viti më i mirë në karrierën time. Ishte kohë e artë dhe kishim një skuadër të mirë. Kam shënuar shumë gola dhe një sulmues vetëm golat e bëjnë të lumtur”.

Ai u zgjedh lojtari më i mirë i ri i vitit në Zvicër atë vit. “Ka qenë një çmim që do të thotë shumë për mua, u shpagua puna dhe mundi”, thotë Tarashaj.

Por a e kishte menduar Tarashaj se do të ketë një karrierë kaq të madhe si një fëmijë me ëndrra të mëdha?

“Çdo fëmijë ka ëndrra të mëdha, por nuk e kam pritur se do të arrijë kaq shumë. Sigurisht nëse nuk do të ishin lëndimet do të kisha një karrierë edhe më madhështore, por unë jam falënderues Zotit për gjitha që më ka dhënë në karrierë”, tregon Tarashaj.

Transferimi te Evertoni, ofertat në drejtim të tij dhe puna me Roberto Martinezin

Evertoni ishte skuadra që fitoi garën për Tarashajn, përkundër se lojtari kërkohej edhe në Itali, Gjermani, Holandë e Spanjë.

Megjithatë ai zgjodhi Evertonin shkaku edhe besimit që kishte nga Roberto Martinez në atë kohë me trajnerin spanjoll që kishte këmbëngulur ta kishte nën urdhrat e tij talentin nga Kosova.

“Kishte shumë oferta, por zgjodha Eveertonin pasi për mua ka qenë një ëndërr të luaja në Angli. Gjithashtu edhe klubi insistoi shumë të më blinte mua, por edhe trajneri Roberto Martinez më donte shumë”, tha Tarashaj.

Por largimi i Martinez nga Evertoni bëri që të largohej edhe Tarashaj, pasi në krye të klubit anglez erdhi Ronald Koeman me lojtarë të tjerë ku Evertoni shpenzoi 150 milionë për transferime.

“Me largimin e Martinez pash që do të largohesha edhe unë, pasi trajneri Koeman mori lojtarë të shtrenjtë dhe aty e sheh vetën se je një futbollist që ke kushtuar katër milionë dhe nuk të vije rasti. Gjithsesi  u desh të largohem në huazim”, tregon Tarashaj.

Por para se të transferohej te Evertoni, sulmuesi nga Kosova ishte vërshuar nga ofertat dhe ai tregon ekskluzivisht për Telegrafin emrat që e kishin kërkuar.

“Ka qenë një kohë e mirë, pasi kisha shumë oferta në tavolinë dhe ishte interesante. Genoa dhe Torino më donin në Serie A, Hertha Berlin, Hannover e Wolfsburg në Gjermani, Fenerbahce në Turqi e Villarreal në Spanjë. Këto janë vetëm disa klube që mu kujtohen pasi vërtetë kishte shumë”, tregon Tarashaj.

Grumbullimi me Përfaqësuesen A të Zvicrës dhe Kampionati Evropian ‘Francë 2016’

Shani Tarashaj ka kaluar të gjitha grupmoshat e Përfaqësueses së Zvicrës, pasi ka luajtur për U15, U16, U17, U18, U19, U20, U21 dhe në Përfaqësuesen A të Zvicrës.

Debutimi me Përfaqësuesen A të Zvicrës erdhi në miqësoren ndaj Irlandës së Veriut, kur në atë kohë Tarashaj ishte 21 vite, një muaj e 18 ditë.

Prizrenasi ka luajtur gjithsej pesë ndeshje me helvetikët e mëdhenj, por ai ka marrë pjesë edhe në Kampionatin Evropian ‘Francë 2016’.

“Të lindesh e rritesh në Zvicër dhe të arrish të luash në Kombëtare është vërtetë një e arritur shumë e madhe dhe diçka shumë speciale. Unë jam me fat që kam arritur të luaj me Zvicrën”, thotë Tarashaj.

Ai ka kaluar të gjitha grupmoshat me helvetikët dhe për këtë e vlerëson shumë.

“Unë kam lindur në Zvicër dhe jam rritur këtu. Ky vend më ka dhënë shumë mua dhe familjes time dhe të luaj për Kombëtaren është vërtetë diçka e madhe”.

Përkundër se ishte në top formë, Tarashaj nuk besonte se mund të ftohej në Kampionatin Evropian të vitit 2016, pasi kishte konkurrencë shumë të madhe.

“Të them të drejtën nuk e prisja. Isha në formë të lartë, por edhe kishte konkurrencë. Vladimir Petkovic më ftoi fillimisht në listën e gjerë, por kur e kam parë vetën në listën finale për Euro 2016 u befasova, por edhe isha krenarë për arritjen pasi jo të gjithë futbollistët kanë fatin që të luajnë në një ngjarje të tillë siç është Kampionati Evropian”, vazhdon tutje Tarashaj që e cilëson si momentin më të mirë në karrierën e tij pjesëmarrjen në ‘Euro 2016’.

“Natyrisht që ka qenë momenti më i mirë. Ishte një atmosferë fantastike në Francë si në ndeshjen ndaj Shqipërisë, ashtu edhe në të tjerat, ku pata rastin të luaja disa minuta ndaj Rumanisë. Ishte e bukur të luaja në Evropian dhe e shoh si kulmin e karrierës time”, tha Tarashaj.

I gatshëm të linte Zvicrën pas pranimit të Kosovës, e dërgoi letrën edhe në FIFA duke kërkuar ndryshimin e Kombëtares

Shania është një nga djemtë e parë që ka shprehur dëshirën për të ardhur të luante me Kosovën pas pranimit të FFK-së me të drejta të plota në UEFA e FIFA.

Personalisht kisha kontakte të vazhdueshme me të dhe ai ishte i gatshëm të linte gjithçka për të ardhur te Kosova, pasi nuk kamë parë asnjëherë asnjë futbollist që është aq i vendosur të luante për Dardanët.

Tarashaj kishte kontakte të vazhdueshme me të ndjerin ish-presidentin Fadil Vokrri, por edhe me trajnerin Albert Bunjaku ku ishte takuar edhe në Angli.

“Ti e di (i drejtohet gazetarit) siç ka qenë situata, por unë nuk jam një djalë që më pëlqen të flasë shumë. Unë kam qenë i gatshëm dhe jam takuar me trajnerin Albert Bunjaku, por edhe me të ndjerin Fadil Vokrri”.

“Kam udhëtuar nga Anglia për në Zvicër ku kam marrë pasaportën e Kosovës në konsullatë në Zurich. Kam qenë shumë i vendosur dhe në fund nuk mu lejua”, tregon Tarashaj i emocionuar.

27-vjeçari tregon se kishte bërë edhe kërkesën në FIFA në korrik të vitit 2016 për të ndryshuar kombëtaren dhe për t’iu bashkuar Kosovës, por në fund u refuzua ajo kërkesë, pasi ai kishte luajtur në Evropian me Zvicrën pas pranimit të Kosovës.

“Kam qenë i gatshëm të lë gjithçka te Zvicra vetëm e vetëm për të luajtur me Kosovën, pasi ajo ka qenë një ëndërr e imja. Madje kam bërë edhe kërkesën në FIFA, por që nuk u pranua ajo dhe më vije vërtetë keq pasi dëshira ishte shumë e madhe”.

“E them me krenari që jam shumë i lumtur që kam luajtur për Zvicrën, por pengu më i madh mbetet që nuk mu lejua të luaj për Kosovën”, tha Tarashaj.

Ndeshjet në Bundesliga me Frankfurtin, shoqëria me Romelu Lukakun dhe goli më special në karrierën e tij

Shani Tarashaj ka përjetuar edhe emocionet e kampionatit gjerman Bundesliga, pasi ka luajtur për një skuadër të madhe siç është Eintracht Frankfurt.

Ka qenë një periudhë e mirë e Shaniut te Frankfurti, ku ishte nën urdhrat e trajnerit Niko Kovac, teksa zhvilloi 15 ndeshje me Frankfurtin duke shënuar edhe një gol ndaj Hamburgut.

“Ishte një kohë e bukur e kaluar në Frankfurt. Kam pasur fatin të luaj edhe në Bundesliga që është një nga kampionatet më të mira në Evropë”.

“Megjithatë kohën e kaluar në Angli e cilësoj si më të mirën në karrierën time”, thotë Tarashaj.

Ai pyetet edhe për shokët më të mirë që ka pasur nëpër skuadra si Grasshopper, Everton, Eintracht Frankfurt apo edhe te Përfaqësuesja e Zvicrës.

“Lukaku ka qenë një shok jashtëzakonisht i mirë. Ai më ka pritur shumë mirë në Everton dhe kemi kaluar kohë të mira së bashku. Gjithashtu në Everton mik të mirë e kam pasur edhe boshnjakun Mohamed Besic pasi edhe dinte gjuhen gjermane dhe qëndronim më shumë së bashku”, tregon Tarashaj.

“Te Frankfurti kam kaluara mirë me të gjithë, por veçoj Haris Sferovicin që e kisha shok edhe në Përfaqësuesen e Zvicrës, Danny Blum e Branimir Hrgota. Ndërkohë në Kombëtare kam kaluar mirë me të gjithë pasi ishim edhe shumë shqiptarë si Xherdani, Graniti, Blerimi, Admiri e të tjerë. Përveç shqiptarëve mik të mirë e kam pasur edhe Nico Evledin”, tregon tutje Tarashaj.

Tarashaj ka shënuar shumë gola në karrierën e tij, por atë më specialin e konsideron me fanellën e Frankfurtit.

“Pyetje e vështirë pasi kam shënuar shumë gola. Mirëpo atë që nuk do ta harrojë kurrë padyshim që është me fanellën e Frankfurtit ndaj Hamburgit në Bundesliga”, tha Tarashaj.

Synimi të bëhet një trajner i madh dhe ta drejtojë Grasshoppersin, Kosovën dhe Zvicrën

Tarashaj është në fillim të karrierës si trajner, por ai ka plane të mëdha në profesionin e tij të ri.

Dashuria ndaj futbollit e bën atë që të punojë me përkushtim të madhe pasi ka ëndrra dhe qëllime të mëdha tani si trajner.

Ai për Telegrafin tregon që ka plane të mëdha si trajner dhe fillimisht dëshiron që një ditë ta drejtojë skuadrën e tij të zemrës Grasshopper, ku qëllimi është të fitoj titullin.

“Unë jam në fillim të karrierës dhe është kënaqësi të punosh me grupmosha të reja. Natyrisht që kam plane edhe për të ardhmen si trajner, por koha do të tregojë nëse do të kem një karrierë të madhe si trajner”.

“Grasshoppers është klubi im i zemrës, i fëmijërisë që më ka dhënë shumë dhe një ditë dua ta drejtoj atë dhe ta fitoj titullin e kampionit si trajner i GC”, thotë Tarashaj.

Por ai një ditë ëndërron që ta drejtojë edhe Përfaqësuesen e Kosovës, pasi nuk ka mundur të luaj për ‘Dardanët’.

“Koha do të tregojë më mirë nëse do të jem një trajner i madh. Unë jam i përkushtuar tani në këtë profesion 100 për qind dhe ta shohim të ardhmen”.

“Dua qënjë ditë ta drejtojë Kosovën pasi nuk kam mundur të luaj, do të ishte një ëndërr. Natyrisht që do të doja ta drejtoja edhe Përfaqësuesen e Zvicrës”, përfundoi për Telegrafin rrëfimin e tij Shani Tarashaj. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar

Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar

Ligat tjera
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Kombëtarja e Shqipërisë
As nuk deshën të dëgjonin për Pogban - vjen refuzimi i parë nga një klub i madh në Evropë

As nuk deshën të dëgjonin për Pogban - vjen refuzimi i parë nga një klub i madh në Evropë

La Liga
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i kërkuar mbetet problem

Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i kërkuar mbetet problem

La Liga
Zyrtare: Guardiola i qëndron besnik Man Cityt, vazhdon kontratën me kampionët anglez

Zyrtare: Guardiola i qëndron besnik Man Cityt, vazhdon kontratën me kampionët anglez

Premier League
Gjiganti anglez ndryshon strategji për Thuram, i afron atë që Interi nuk mundet

Gjiganti anglez ndryshon strategji për Thuram, i afron atë që Interi nuk mundet

Premier League
Kalo në kategori