LAJMI I FUNDIT:

Një histori në shërbim të ideologjisë, tjetra në shërbim të arsyes: Anton Harapi dhe Alojzije Stepinac

Një histori në shërbim të ideologjisë, tjetra në shërbim të arsyes: Anton Harapi dhe Alojzije Stepinac

Nga: Frano Kulli

Sado që është folur e shkruar këto vite këtu ndër ne, në mediume, në shkrimtari publicistike a në letërsi për At Anton Harapin (5 janar 1888 – pushkatuar më 14 shkurt 1946), me sugjerimin për ta parë e analizuar këtë figurë të rëndësishme të historisë kombëtare në gjithë kompleksitetin e saj, prapëseprapë historiografia jonë zyrtare (që është ajo që ishte), ia ka dalë ta mbajë fort atë në krahun e “kolaboracionistëve”.

Aspak pluhur nuk i është shkundë prej atij deklasimi që atij iu bë si anëtar i Regjencës (shtator 1943-nëntor 1944); asnjë arsyetim a fakt që rri në anën tjetër të “damkës” së vënë nga regjimi, nuk e çukit koracën e ngurtësuar të historianëve të formësuar si të tillë nën përkëdhelitë e sistemit politik të shkuar e të paliruar as edhe një nyje prej tij (Paskal Milo a Pëllumb Xhufi). Përkundrazi, të ngritur e të ringritur në majat sundimtare të akademisë sot.


Po edhe të tjerë pinjollëve ideologjikë të tyre, që shkencën e kanë mësuar dhe e ushtrojnë prapë me porosi, si ideologji dyngjyrëshe, bardhezi. Ku e bardha për ta është vetëm epoka e ndritur e socializmës e trashëgimia e saj, pa ia nënshtruar aspak atë fakteve historike a të dhënave krahasimore me shembuj, me njerëz a sisteme të njëkohshme. Për të mundësuar kështu nxjerrjen e deduksioneve sa më afër reales, asaj që ka ndodhur dhe për të shërbyer prej së vërteti historiografinë tonë kombëtare, aq fort të deformuar.

Këtë shërbesë të munguar, për rastin në fjalë, përtej këtyre pengesave të stisura re-fraktare e aspak pélëshuese, sipas meje e bën Nikollë Berishaj, studiues, përkthyes e shkrimtar, “një nga përfaqësuesit më të spikatur të elitës sonë kombëtare sot në letrat shqipe”, siç e perifrazon atë Agron Tufa në parathënien e librit të tij: “Gjurmë që (nuk) heshtën” (Art Club, Ulqin 2021).

Berishaj e bën këtë duke vënë në rrafsh krahasimor eksperiencat e dy prelatëve të njëkohshëm të Kishës Katolike nga dy vende të Ballkanit: të pader Antonit, provincial i françeskanëve shqiptarë dhe Monsinjor Alojzije Stepinac, Arqipeshkëv i Zagrebit të Kroacisë. Prelatë të kishës që koha, falë staturave të tyre shumë të spikatura në vendet respektive, i thërret të prijnë kauza të mëdha në vitet e luftës së dytë botërore. E, për rrjedhojë, aq të diskutueshme e të rrezikshme për vetveten. Kështu, të dy u angazhuan me pjesëmarrje aktive në organizime shtetërore të vendeve të tyre.

I pari, Stepinac, që nga viti 1941, kur krijohet shteti i pavarur kroat, shtet ky kuisling, i udhëhequr me ideologjinë naziste ai, i bindur se po shërben atdheun e vet, anon në bashkëpunimin me këtë shtet. Ani pse ky shtet i pavarur aroat renditet aleat aktiv i Rajhut të Tretë që në ditën e krijimit më 10 prill 1941. “Po më akuzoni si armik i shtetit dhe pushtetit popullor”, do të mbrohet më vonë, në gjyqin komunist jugosllav, Stepinac. “Më thoni, ju lutem, cili ishte pushteti për mua në vitin 1941? Athua ishte pushteti i Simonoviqit në Beograd, apo, siç e quani ju qeveria tradhtare në Londër, apo ajo në Jerusalem, apo e juaja në pyll, apo kjo në Zagreb”? Dhe, për këtë, në tetorin e 1946 dënohet prej autoriteteve komuniste jugosllave me 16 vjet burg, të cilat iu konvertuan në internim – dëbim, në vendlindje.

Kurse i dyti, pader Antoni ynë, më 13 shtator të 1943, emërohet anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës, përfaqësia shtetnore në Shqipërinë e pa shtet, lejuar prej gjermanëve pushtues si administrim lokal i shqiptarëve, ku brenda këtij bashkëpunimi me Rajhun e Tretë ka me të një marrëveshje bashkëpunimi për një shtet të pavarur shqiptar, pavarësia e të cilit kishte rënë me kapitullimin e Italisë, rrëfehet kështu para popullit të vet, në çastin që e pranon detyrën e regjentit:

“… Tash sa kohë, publiku shqiptar ka pritë me ndie nji fjalë prej meje, megjithëse parashoh se do të kuptohem keq dhe do të komentohem ndoshta edhe mâ keq, due t’ia çoj në vend dishirin: due t’a thom fjalën t’eme. Më rren mendja se nuk ka zog shqyptari qi t’mendojë se unë e mora ket barrë per kulltuk, per interesë a per ndoj intrigë … a ndonji mani e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe unë po ua vërtetoj fjalën e po u thom se po: manija e Shqypnis’, po, qe ajo qi m’vuni dilemen: a me anarkista me bâ gjak, ase me hjekun dore prej çështjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk ma tha me bâ as njenen as tjetren, qeshë i shternguem ta zgjedhi njenen dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ket zyre, ase të tregoj nji dobsi tue u largue. Vendova mâ mirë t’baj nji marri, ose, sikurse thonë ata shqyptarë qi duen me u ruejt të paster, deshta t’komprometohem …”! Dhe, për këtë, prej autoriteteve komuniste shqiptare, dënohet me vdekje dhe pushkatohet me 14 shkurt 1946. Varr nuk ka ende sot.

Në esenë e tij, autori Berishaj sjell në vëmendje: “Në disa letra të Stepinacit, që ia drejton Andrija Artukoviqit, ministrit të Brendshëm të NDH-së (shteti i pavarur kroat), ai kërkon prej tij të ketë kujdes ndaj përfaqësuesve të racës hebraike të konvertuar në katolikë”. Këtu kufizohet Stepinac. Ndërsa, Regjenca shqiptare ku bënte pjesë pader Antoni dhe tre personalitete të tjerë, dy prej të cilëve Lef Nosi e Maliq Bushati, patën fatin e tij, nuk i miratoi ligjet raciste të kohës. E, për pasojë, Shqipëria qe i dyti shtet pas Danimarkës që nuk e dorëzoi asnjë hebre në duart e nazistëve. Një akt që na bën krenarë ne shqiptarëve. Po më shumë rrahin gjoksin udhëheqësit në radhë. Edhe historianët e tyre të ledhatuar, gjithashtu. Në vend që këta të fundit ta analizonin sipas metodologjisë shkencore aktin. Sesa t’i qëndronin ende besnikë të patundur porosisë së “udhëheqësit të luftës” sipas së cilës “eliminimi i klerit katolik ishte domosdoshmëri”. Po ta bënin këtë, një analizë të përimtë shkencore, me siguri do t’i shkundej vetvetishëm pluhuri i ”kolaboracionistit” pader Antonit. Po edhe shumë të tjerëve, gjithashtu.

Autori Berishaj veçon edhe një fakt të anashkaluar e të heshtur gjithherë, të cilin ai e konsideron edhe si një shkak të dënimit kapital të regjentëve e ndër to edhe të pader Antonit. “Për mendimin tim”, thotë ai, “ishte aprovimi dhe nënshkrimi i Statutit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me 14 mars 1944”. Dihet që thelbi i këtij Statuti ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare, gjë të cilën nuk mund ta “kapërdinte” Partia Komuniste Jugosllave, protektorati i së cilës mbi PKSh-në dhe “udhëheqësin e luftës” është i njohur e i vërtetuar tashmë. Të dy protagonistët patën ofertat e largimit prej vendeve të tyre, në prag mbarimit të luftës e të triumfit të komunistëve, kundërshtarë të të cilëve ata ishin. Asnjëri nuk e pranoi.

Në kujtimet e tij, Hermann Neubacher, i plotfuqishmi i Ministrisë së Jashtme gjermane, pohon se i ka dërguar aeroplanin e tij personal pader Antonit për ta tërheqë nga rreziku që i vinte prej forcave partizane. Aeroplani arrin në Rinas enkas për të. Po a e dini çka ban ai? “Unë do të ndaloj këtu”, i thotë shoferit në Thumanë, ku kishte njerëz të familjes së tij. “Ti shko se ke fëmijë me mbajt”. Dhe, aeroplani u kthye bosh nga kishte ardhë … Më 29 nëntor 1952, Arqipeshkvi Stepinac zgjidhet kardinal, ofiqar shumë i lartë i Kishës Katolike. Dhe, kumti i shkon në vendin e internimit, në vendlindje. Ndërsa, prej vitit 1960 kur mbylli sytë, sarkofagu i Alojze Stepinacit gjendet në Katedralen e Zagrebit, vend pelegrinazhi i vizituar prej mijëra e mijëra kroatëve. Alojzije Stepinac është shpallur i lumtur qysh në vitin 1998 nga Papa Gjon Pali II dhe ka hyrë në procesin e të shpallurit i shejt. Kurse, padre Antoni ynë, i pushkatuar prej regjimit ateist unikal në botë nuk hyn as në listën e 39 martirëve të Kishës që shpallet 68 vite më vonë më 2014.

Thua hartuesit e vëmendshëm të listës të jenë friguar se mos dogonisin (prekin, shqetësojnë) udhëheqësit e këtushëm? Apo historianët tanë të ledhatuar prej regjimit, që, në shërbesë të njeri-tjetrit, me patjetër e duan tradhtar?!

Ndodhitë e njëkohshme me personazhe të ngjashme të qëmtuara, ia kanë dhënë mundësinë studiuesit ekselent Nikollë Berisha të ofrojë për lexuesin e interesuar mundësi të reja arsyetimi drejt së vërtetës. Por, më përtej edhe për strukturat shtetërore përgjegjëse, të bëjnë, sado vonë ka shkuar, korrigjimet e nevojshme në drejtim të së vërtetës kaq gjatë të deformuar.