LAJMI I FUNDIT:

Një grua dyshohet se lindi para kohe në QKUK për shkak të dhunës fizike

Një grua dyshohet se lindi para kohe në QKUK për shkak të dhunës fizike
Foto: Arkiv

Dhuna në familje dyshohet të jetë arsyeja që një grua lindi para kohe foshnjën e saj, të dielën në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj konfirmoi për KALLXO se Policia e Kosovës është lajmëruar nga personeli i Klinikës, pasi që kanë parë shenjat e dhunës.

“Pacientja është pranuar të dielën dhe ka lindur menjëherë. Ka qenë e dhunuar, fizikisht e maltretuar. Është lajmëruar menjëherë policia prej personelit, kanë ardhë, kanë qëndru me të derisa është kry lindja” – tha Ndrejaj.


Sipas drejtorit, gjendja e nënës dhe foshnjës që vazhdojnë të jenë në klinikë, është stabile, ndonëse janë në përcjellje të doktorëve.

“Pacientja ka nevojë për ekzaminime shtesë, ka dhimbje të kokës, e ka kërkuar neurologu një CT të kokës. Në përgjithësi është mirë. Edhe foshnja është mirë, është pak para kohës, mirëpo jemi në përcjellje” – shtoi ai.

Drejtori Ndrejaj gjithashtu tha se sipas informacioneve nga punëtori social, i dyshuari është marrë nga policia.

Lidhur me rastin edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar se dje kanë pranuar një informatë lidhur me një rast të dhunës në familje që dyshohet se ka ndodhur më 25 nëntor 2023.

Policia në raportin ditor ka njoftuar se viktima dje, më 3 dhjetor ka raportuar se kishte pasur sulm fizik nga i një person i dyshuari.

Sipas këtij raporti, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.