Një person është arrestuar pas tensioneve të shkaktuara mes tifozërive gjatë ndeshjes së basketbollit KB Golden Eagle YLLI dhe KB Peja që u zhvillua të enjten në mbrëmje në Suharekë. 

Ndeshja u mbyll me rezultatin 71-77 në favor të ekipit nga Peja. 


Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prizrenin, ka thënë për KALLXO.com se gjatë ndeshjes së basketbollit mes këtyre dy skuadrave ka pasur tensione mes tifozërive të dy ekipeve. Sipas tij, një person ka goditur një adhurues të ekipit kundërshtar dhe i ka shkaktuar lëndime. 

“Gjatë ndeshjes ndeshjen e sotme (10.04.2025) të basketbollit në mes të KB “Ylli ” dhe “Peja” ka pasur tensione në mes të ndjekësve të ekipeve, për këtë arsye delegati i FBK ka urdhëruar që të zbrazet një pjesë e sallës dhe ashtu është vepruar nga policia e cila ishte duke e siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes. Më pas një person ka goditur një adhurues të ekipit kundërshtar dhe i ka shkaktuar lëndime”- ka thënë zëdhënës Bytyqi. 

Bytyqi ka thënë se i dyshuari është arrestuar dhe është hapur rast – huliganizëm. 

Ndeshja u ndërpre për rreth 45 minuta në fund të pjesës së parë pas fyerjeve dhe hedhjeve të gjësendeve në parket nga tifozëria. 

KB “Peja”, përmes një postimi në Facebook, njoftoi për ndërprerjen e ndeshjes dhe bëri të ditur se basketbollistët e saj u sulmuan derisa hynin në zhveshtore.  

telegrafi sport app