LAJMI I FUNDIT:

Nissan do të largohet nga tregu rus

Nissan do të largohet nga tregu rus

Prodhuesi japonez i automobilave Nissan, do t’ia shesë qeverisë ruse, asetet e tij ruse, duke përfshirë një fabrikë në Shën Petersburg, tha të martën Ministria e Industrisë dhe Tregtisë.

E përditshmja e biznesit Kommersant raporton se largimi i prodhuesit japonez të makinave ndjek një skemë të ngjashme si prodhuesi francez i automjeteve Renault, i cili doli nga tregu rus në maj.


Prodhuesi rus i makinave AvtoVaz do të marrë përsipër furnizimin me pjesë këmbimi dhe mirëmbajtjen e makinave të markës Nissan, transmeton Telegrafi.

Sipas marrëveshjes, Nissan ruan opsionin për të blerë asetet e tij brenda gjashtë viteve.

Asnjë detaj financiar i transaksionit nuk u dha nga asnjëra palë të martën.

Në një deklaratë për shtyp, kompania tha se rreth 2,000 punonjës të saj në fabrikë ruse do të marrin mbrojtje punësimi për 12 muaj.

“Në emër të Nissan, falënderoj kolegët tanë rusë për kontributin e tyre në biznes gjatë shumë viteve. Ndërsa ne nuk mund të vazhdojmë të operojmë në treg, ne kemi gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për të mbështetur njerëzit tanë”,tha Presidenti dhe CEO i Nissan, Makoto Uchida.

Nissan tha në një deklaratë të veçantë se marrëveshja do të finalizohet “në javët e ardhshme”.

Prodhimi në fabrikën e Nissan në Shën Petersburg filloi në vitin 2009. /Telegrafi/