LAJMI I FUNDIT:

Nisi ndërrimi i emrit të ri, Republika e Maqedonisë së Veriut

Nisi ndërrimi i emrit të ri, Republika e Maqedonisë së Veriut

Pas ratifikimit të protokollit të Maqedonisë në NATO nga Kuvendi i Greqisë, vijon zbatimi i masave dhe aktiviteteve që i njoftoi Qeveria për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshja e Prespës.

Qeveria tashmë formoi grup që duhet të përpunojë plan kombëtar aksionar për zbatimin e masave të mëtutjeshme dhe aktiviteteve, ndërsa në afat deri në shtatë ditë institucionet shtetërore, vendkalimet kufitare dhe përfaqësitë diplomatike dhe konsullore do të duhet t’i ndryshojnë tabelat me emrin e ri të shtetit – Republika e Maqedonisë së Veriut.


Qeveria nuk pret probleme nga institucionet shtetërore gjatë përdorimit të emrit të ri të shtetit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Përdorimi i emrit të ri të shtetit do të jetë në përputhje edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve që do të thotë se tabelat do të shkruhen edhe në gjuhën shqipe për shkak se, siç deklaroi zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski, shqiptarët janë 20% në nivel shtetëror.

Rekomandime për ndërtim të tabelave do të marrin edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, ndërsa në sektorët dhe shërbimet për marrëdhënie me publikun të institucioneve publike shtetërore do të marrin drejtime për përdorimin e emrit kushtetues.

Se sa do të kushtojë i gjithë procesi nga qeveria ende nuk zbulojnë, por thonë se kjo do të dihet kur do të mbarojë i gjithë procesi.

Ndryshimi i emrit kushtetues të Maqedonisë vijon pas nënshkrimi të marrëveshjes së Prespës dhe rektifikimit të saj në kuvendet e dy shteteve. Pas një kontesti 27 vjeçar me Greqinë, Maqedonia e ndryshoi emrin nga “Republika e Maqedonisë” në “Republika e Maqedonisë së Veriut”./Telegrafi/