LAJMI I FUNDIT:

Nis subvencionimi i faturave të energjisë elektrike – procesohen pagesat e muajit shtator

Nis subvencionimi i faturave të energjisë elektrike – procesohen pagesat e muajit shtator

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se kanë nisur subvencionimi i faturave të energjisë elektrike të konsumatorëve.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur se tashmë është procesuar dhe reflektuar në llogaritë e konsumatorëve pagesa e subvencionit për faturën e muajit shtator të energjisë elektrike, për të gjithë ata që kanë kursyer, sipas kushteve të masës mbështetëse.

“Të gjithë përfituesit, vlerën e subvencionit mund ta shohin të reflektuar edhe në llogarinë online me furnizuesin. Secili konsumator aktiv (fatura mbi 5 euro), që ka kursyer sasinë e kWh me së paku 5 për qind krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, përfiton subvencionim të faturës aq sa dyfishi i përqindjes së kursimit”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.


Ministri më tutje ka deklaruar se maksimumi i subvencionit për një muaj, është vlera e faturës së muajit përkatës, apo tavani 50 euro, cilado të jetë më e ulët.

“Nëse në shtator 2021 keni shpenzuar 1,000 kWh, ndërsa në shtator 2022 keni shpenzuar 800 kWh, i bie që keni kursyer 20 për qind të energjisë elektrike. Subvencioni llogaritet duke dyfishuar përqindjen e kursimit, pra 2×20%=40%, dhe aplikohet ne vlerën e faturës së muajit aktual. Pra nëse fatura e shtatorit është 40 euro, për shkak se keni kursyer, ju përfitoni subvencion 40% x 40 euro, apo 16 euro”, pohoi ministri.

Për muajin shtator, bëhet e ditur se kriterin për subvencion e kanë përmbushur 167,571 konsumatorë rezidencialë të energjisë elektrike. /Telegrafi/