LAJMI I FUNDIT:

Nis punën impianti i trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë i mbështetur nga Gjermania dhe Zvicra

Nis punën impianti i trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë i mbështetur nga Gjermania dhe Zvicra

Me mbështetje të Zvicrës dhe Gjermanisë sot ka nisur punën impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Gjakovë.

Sipas njoftimit, projekti është zbatuar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).

“Tatimpaguesit gjermanë kanë kontribuar me 6 milionë euro në ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë, i cili do të përmirësojë cilësinë e lumenjve, liqeneve dhe ujërave nëntokësore dhe në këtë mënyrë do të përmirësojë ndjeshëm shëndetin dhe cilësinë e jetesës së rreth 30 mijë qytetarëve të Kosovës. Unë sinqerisht vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer me Zvicrën dhe zbatimin e jashtëzakonshëm përmes Bankës Zhvillimore KfW, si dhe angazhimin e partnerëve tanë të çmuar kosovarë”, ka theksuar ambasadori gjerman Jörn Rohde.

Ndërsa, ambasadori zviceran Thomas Kolly, tha se ky vend vazhdon të mbështesë sektorin e ujërave në Kosovë.

“Zvicra vazhdon të mbështesë sektorin e ujërave në Kosovë. I nisur së bashku me qeverinë gjermane dhe atë të Kosovës, investimi zviceran prej 8 milionë eurosh ka mundësuar ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë, si dhe zëvendësimin dhe riparimin e rrjetit të kanalizimit, nga i cili do të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e Gjakovës, dhe njëkohësisht do të kontribuojnë në mbrojtjen afatgjatë të burimeve ujore në Kosovë dhe Shqipëri”, tha Kolly.

Kurse, kryeministri Albin Kurti shtoi se pas këtij përurimi do të vazhdohet me punën për impiantin në Gjilan, që do të kushtojë 23 milionë euro.

“Me impiantet në Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ne kemi arritur të trajtojmë rreth 11 për qind të ujërave të ndotura në nivel vendi nga 1 për qind sa kishim në fillim të mandatit dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta avancuar edhe më shumë këtë sektor”, tha Kurti.

Kostoja totale e projektit arrin 17 milionë euro. Zvicra dhe Gjermania kanë marrë përsipër pjesën më të madhe të investimit, ndërsa pjesa e mbetur prej 3 milionë euro financohet nga Komuna e Gjakovës.

Paralelisht, Gjermania aktualisht po e mbështet Ujësjellësin Rajonal të Gjakovës me një grant shtesë në vlerë prej 17.5 milionë euro, nga i cili do të përfitojnë njësoj Peja, Gjakova dhe Prizreni. Fokusi në këtë rast është vendosur në rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe ndarjen e ujërave e akumuluara nga të reshurat, nga rrjeti i ujërave të zeza me qëllim për të ulur më mënyrë domethënëse kostot për komunat.

Programi i ujërave të zeza synon gjithashtu mbrojtjen e burimeve ujore të Kosovës dhe Shqipërisë dhe veçanërisht mbrojtjen nga ndotja e mëtejshme të lumit Drin. /Telegrafi/