Nicki Minaj ka shpërthyer në një seri postimesh në rrjetin X, duke bërë akuza të tërthorta ndaj Roc Nation – kompania e menaxhimit të themeluar nga Jay-Z – për sabotim dhe ndërhyrje në karrierën e saj muzikore dhe personale.

Në postimet që kanë ngjallur shumë reagime, reperja 42-vjeçare shkroi: “Barbz, kjo është arsyeja e VËRTETË pse nuk do të publikoj muzikë”, duke aluduar për tensione të pazgjidhura dhe ndikime negative nga “monoliti muzikor”.


Minaj përmendi ndërhyrje në jetën e saj familjare dhe probleme me shadowban në rrjetet sociale, duke pretenduar se fansat e saj po përballen me bllokime dhe censurë të qëllimshme, shkruan DailyMail.

Ajo bëri thirrje për dokumentimin e rasteve të tilla dhe premtoi se “konfirmimet do të jenë vërtet interesante”.

Një prej postimeve më të komentuara përfshinte një referencë të dukshme për Jay-Z dhe partneritetin e tij me NFL-në.

Minaj akuzoi gjithashtu “miq në pozita të larta” se po përpiqen të përçajnë martesën e saj me Kenneth Petty dhe të minojnë burimet e saj të të ardhurave.

Deri tani nuk ka reagim zyrtar nga Roc Nation apo Jay-Z, ndërsa fansat e Minaj janë mobilizuar online për të ndarë problemet teknike dhe pengesat që pretendojnë se përjetojnë në platformat ku reperja është aktive.

Kjo përplasje publike vjen në një periudhë ku Minaj nuk ka publikuar projekte të reja që nga albumi Pink Friday 2 në vitin 2023, duke shtuar dyshime mbi ndikimet e jashtme në aktivitetin e saj artistik. /Telegrafi/