Ka arsye të forta për t'u shqetësuar për tensionin aktual rreth fillimit të ndërtimit të kolonive të Hebrenjëve në Jerusalemin Lindor nga qeveria e udhëhequr nga Benjamin Netanyahu, si dhe të ndërprerjes së bisedimeve të paqes midis Izraelit dhe Autoriteteve Palestineze. Këto bisedime nuk pritet të japin rezultate konkrete - jo vetëm për shkak të dobësisë së dy qeverive, por po ashtu sepse të dy palët janë aq larg në qëndrimet e tyre themelore për kufijtë, vendbanimet, Jerusalemin dhe refugjatët palestinez, mirëpo edhe për pikëpamjet e ndryshme ndaj të njëjtës çështje nga liderët [dhe popujt po ashtu] e të dyja vendeve.

Qeveria Izraelite thotë se Jerusalemi është kryeqyteti i Izraelit dhe me ligjin për kryeqytetin, autoriteti i shtetit Hebraik ka të drejtë të ndërtoj kudo dhe në çdo kohë, përderisa përfaqësuesit e autoriteteve Palestineze thonë se “kjo bëhet me qëllim të spastrimit etnik të popullatës shumicë Palestineze në Jerusalemin Lindor”. Duke ditur këto qëndrime diametralisht të kundërta, të cilat i ngjajnë një të kaluare jo shumë të largët në të cilën ka kaluar Kosova rreth rrugëtimit të saj drejt mëvetësisë së saj, ka pak shpresa për një zgjidhje të shpejtë dhe të pranueshme për të dyja palët. Si në rastin e Kosovës, ashtu edhe në rastin e Jerusalemit, dështimi i çfarëdo iniciative është i pritshëm në qoftë se palët mbesin të betonuar në qëndrimet e tyre fillestare. Më e keqja është ndikimi që ka kjo gjendje tek të rinjtë e këtyre vendeve. Në këtë mënyrë krijohet një cikël i ri i armiqësive mes brezave të rinj. Nga ana tjetër frika për të bërë një hap para është normale, mirëpo jo gjithsesi e justifikuar, marrë parasysh që ekzistojnë dy opsione: paqe apo luftë.


Vështirësitë në zgjidhjen e konflikteve Shqiptaro-Serbe dhe atij Izraelito-Palestinez rrjedhin nga kompleksitetet e tyre. Si në Kosovë, ashtu edhe në Izrael, konflikti është i shtrirë në një dimension territorial dhe etnik, mirëpo gjithashtu ka komponentë tjerë. Në të dyja rastet konflikti është zhvilluar në mes të dy lëvizjeve kombëtare për krijimin e shtetit, ku përfshihen kontestet lidhur me çështjet e ekzistimit apo mosekzistimit, sovranitetit dhe legjitimitetit, dallime në rrëfime historike, e drejta mbi vendbanimet, si dhe një konflikt fetar. Edhe pse nuk është më thelbësorja, aspektet fetare në këto konflikte i intensifikojnë ato dhe për më tepër, këto konfliktet tërthorazi i përfshijnë po ashtu vendet fqinje. Rrjedhimisht kjo ndikon edhe marrëdhëniet mes fuqive të mëdha ndërkombëtare, ShBA- Rusi në rastin e Kosovës, ShBA-Iran në rastin e Izraelit. Teoria se “dy konfliktet nuk mund të jenë unike” del të jetë e vërtetë vetëm pjesërisht.

Ashtu si problemi izraelit-palestinez, konflikti rreth Kosovës ka zgjatur dekada dhe i ka rrënjët në ngjarjet historike. Nganjëherë popujt e dy vendeve i referohen ngjarjeve që ndodhën shekuj më parë, ku përpjekjet për të gjetur një zgjidhje kanë dështuar.

Në Kosovë ka pasur përpjekje të mëdha ndërkombëtare për të dalë me një zgjidhje, ndërsa Kosova ishte nën administrimin e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) për gati një dekadë. Nga populli i Kosovës, UNMIK-u shihej si një sistem që nuk ishte dizajnuar për ta dërguar Kosovës përpara dhe si rezultat I pakënaqësisë se akumuluar, në mars të vitit 2004, shqiptarët si popull shumicë ishin rebeluar dhe kishin demonstruar pakënaqësitë e tyre jo vetëm ndaj Kombeve të Bashkuara, por edhe ndaj pakicës serbe në Kosovë si revoltë ndaj tendencës serbe për rikolonizim nga Serbia. Si rezultat i këtyre ngjarjeve, faktori ndërkombëtar e kishte kuptuar që kosovarët kanë filluar ta humbasin durimin dhe se procesi i bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës duhej filluar. Bisedimet që zgjatën rreth dy vjet dhe me kundërshtime të forta mes palëve, do të kurorëzoheshin me planin e hartuar nga ish ndërmjetësi i OKB-së për statusin, novelisti Martti Ahtisaari, plani i të cilit gjeti mbështetje të gjerë ndërkombëtare dhe e çoi vendin drejt shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt 2008. Kundërshtimi i këtij plani nga Serbia dhe frika nga vetoja e Rusisë, aleatit tradicional të Serbisë, bllokoi një zgjidhje konsensuale për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Si në raste tjera te mëhershme [BeH, Qipros dhe Kashmirit], bashkësia ndërkombëtare me gjysmë zemre, kuptohet, por nga një realizëm i bazuar në dy teori dhe praktikë, filloi të mbështes kauzën me pretekstin se nuk kishte asnjë shans të menjëhershëm për zgjidhjen e krizës përmes kompromisit mes palës kosovare dhe asaj serbe. Kështu përcaktimi i statusit të Kosovës u kthye në një rrafsh tjetër, mbajtje e situatës nën kontroll - çfarë në zhargonin politik është e njohur si "menaxhim i konfliktit"

Konflikti izraelito-palestinez është shumë më kompleks, por për disa arsye bashkësia ndërkombëtare beson se mund të ofrohet një zgjidhje e shpejtë dhe e menjëhershme për të, duke propozuar ekzistimin e dy shtetësisë [mirëpo nuk përcaktohet koha mbi të cilën do përcaktohen kufijtë e këtyre dy shteteve], me Izraelin në njërën anë mbi bazat e kufijve ekzistues [1948] dhe me Shtetin e ri Palestinez që do krijohen mbi këto rrethana. Kjo formë është e pa pranueshme për këta të fundit pasi që Palestinezët duan që shteti i ri Palestinez të ketë si kryeqytet Jerusalemin [tash i njohur si Jerusalemi Lindor] dhe kufijtë e shtetit të ri të jenë ato që kanë qenë para okupimit izraelit më 1948. Pikërisht këtu krijohet edhe hendeku i ndasive të mëdha në mes palëve në tërë procesin.

Debati i brendshëm i Izraelit qe një kohë të gjatë fokusohet mbi propozimet e ndryshme për zgjidhjen e konfliktit. Dhe çfarë mësimesh mund të nxirren nga situata tjera të ngjashme nga vendet post konfliktuoze e sidomos nga Kosova, marrë parasysh ngjashmëritë ne mes të dy vendeve. Kosova dhe Izraeli kanë ngjashmëri si historike ashtu edhe faktike, popullata shumicë në të dyja vendet rrethohet nga popuj tjerë që nuk janë shumë miqësor ndaj tyre, ndonëse si Kosova, ashtu edhe Izraeli kanë deklaruar se janë në marrëdhënie miqësie me disa nga fqinjët [Kosova me Maqedoninë dhe Malin e Zi, Izraeli me Jordaninë].

Konfliktet e këtij lloji janë vështirë për të zgjidhur jo vetëm për shkak të lidershipit, por edhe për shkak të vuajtjeve dhe traumave të së kaluarës që janë thellë të ngulitura në kujtesën e njerëzve që i kanë përjetuar ato [thjesht pyesni shqiptarët në Kosove se çfarë mendojnë për serbët, apo palestinezet për hebrenjtë]. Pengesa të tilla të natyrës psikologjike nuk mund të hiqen lehtë nga mendja, edhe pse për të shkuar përpara, ato duhet të injorohen të paktën me një sy [lexo: pjesërisht]

Është mirë që secili prej nesh të nxjerrim mësime nga e kaluara dhe të vlerësojmë pozitën tonë jashtë kornizave të interesave të ngushta në debatin e brendshëm kosovar apo izraelit, ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk është gjithmonë e vetëdijshme apo nuk dëshiron që t’i shohë ngjashmëritë mes nesh [palëve në konflikt]. Liderët evropian mendojnë se krahasimi i rasteve në Ballkan dhe Lidhjen e Mesme nuk ka sukses, ndërsa vetë BE-ja shihet se ka dështuar qartë në Qipro, duke pranuar një pjese të ishullit të ndarë si anëtare e barabartë në Bashkimin Evropian. Kjo është bërë mollë sherri edhe për vetë BE-në, e cila ka mbrojtur interesat e vetëm njërës palë në konflikt. Duket që në rastin e Kosovës dhe të Izraelit, bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron ta përsërisë gabimin e njëjtë, pasi shihen reagime më të kujdesshme në raport me palët e përfshira në konflikt.

Ndryshimi i termit politik nga "zgjidhja e konflikteve" në "menaxhimin e konfliktit" nuk do të thotë se duhet pranuar status quo-ja. Iniciativa e fundit në Kosovë për të integruar veriun e vendit që për më shumë se një dekadë është jashtë kontrollit të Prishtinës, apo iniciativa e pezullimit të përkohshëm për gjashtë muaj i ndërtimit të kolonive Hebraike në territoret e banuara me palestinezë, ofron dëshmi për këtë. Situata në të dyja rastet, jo vetëm që mbetet e pa ndryshuar mirëpo ka tendenca për të provokuar pakënaqësi, thënë shkurt, po nuk u menaxhua mirë, rreziku i shpërthimit të dhunës nuk duhet injoruar. Kjo për shkak se palët kanë arsye për tu revoltuar, shqiptaret pse strategjia për integrimin e veriut nuk po zbatohet, serbët pse bashkësia ndërkombëtare dhe shqiptarët po shikojnë me çdo kusht të fusin nën kontroll veriun duke i shkëputur ata nga Beogradi; respektivisht palestinezët do protestonin për fillimin e ndërtimit të kolonive hebreje, ndërsa hebrenjtë do protestonin në mbrojtje të vendimit për vazhdimin e ndërtimit.

Për t’iu shmangur shpërthimit të dhunës, kjo do të thotë të se Kosova dhe Izraeli duhet të jenë më fleksibil në veprimet e tyre dhe minimojnë fërkimet mes palëve që kanë tendenca destabilizimi. Hapat që duhet të ndërmerren nga komunitetit serb ne Kosovë janë pranimi i realitetit të krijuar me shpalljen e pavarësisë dhe integrimi në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, ndërsa komunitetit palestinez i mbetet të punojë në drejtim të krijimit të institucioneve qeveritare të qëndrueshme, që do përfaqësonin një unitet mbarëpalestinez, që nënkupton përkrahje nga palestinezët në Bregun Perëndimor, ata që jetojnë përbrenda territorit të Izraelit dhe Rripit te Gazës, që momentalisht kontrollohet nga lëvizja Hamas, si dhe në veçanti në krijimin e një sistem efektiv të sigurisë së përgjithshme që do të merrej me luftimin e grupeve terroriste. Deri atëherë, opsioni i vetëm që nuk është as i luftës e as i paqes së qëndrueshme, është që të dyja vendet të provojnë të krijojnë një ambient më të përshtatshëm për qytetarët e tyre.

(Autori është aktivist i të drejtave të njeriut dhe i angazhuar në zgjidhjen e konfliktit Shqiptaro-Serb si dhe Izraelito-Palestinez)