Përfitimet, kufizimet dhe këshillat e specialistëve

Nëse algoritmi i TikTok e di që jeni të dhënë pas fitnessit, ka shumë gjasa që muajt e fundit t’ju jenë shfaqur video mbi përfitimet e platformave të fitnessit me vibrim. Krijuesit pretendojnë se këto pajisje kompakte janë të dobishme për gjithçka, nga tonifikimi i këmbëve dhe stimulimi i drenazhimit limfatik, te ndihma në rikuperimin e muskujve pas stërvitjes.


Mirëpo, përpara se të ndiqni trendin më të ri të mirëqenies në TikTok, ia vlen të dëgjoni mendimin e ekspertëve me kualifikime të mirëfillta dhe pa qëllime të fshehura.

Cosmopolitan bisedoi me profesionistë në mjekësinë sportive, fiziologjinë e ushtrimeve dhe fizioterapi për të mësuar nëse pajisjet me vibrim ia vlejnë të përfshihen në rutinën tuaj të stërvitjes. Por, përpara se të kalojmë te mendimet e tyre, le të shohim çfarë janë këto pajisje dhe si funksionojnë.

Çfarë janë platformat me vibrim?

Platformat me vibrim janë pajisje të ngritura që emetojnë dridhje, të cilat nxisin refleksin e balancës së trupit dhe aktivizojnë muskujt që na ndihmojnë të mos rrëzohemi, shpjegon Jeanne M. Doperak, DO, mjeke e kujdesit parësor në mjekësinë sportive në University of Pittsburgh Medical Center. “Është e ngjashme me qëndrimin në një varkë që lëkundet - gjithë trupi përfshihet për të qëndruar drejt.”

Sipas fizioterapistes Winnie Yu, PT, DPT, CSCS, mbi një pajisje me vibrim mund të kryeni ushtrime si ‘squats’, ‘lunges’, dhe ‘planks’, ose thjesht të qëndroni ulur apo në këmbë, transmeton Telegrafi.

A funksionojnë vërtet platformat me vibrim?

Varet nga çfarë prisni prej tyre. “Këto pajisje nuk zëvendësojnë një program tradicional stërvitjeje, i cili duhet të përfshijë kardio, ushtrime force dhe shtrirje,” thekson Dr. Doperak. Pra, nëse nuk ushtroni fare dhe shpresoni që 10-15 minuta në ditë mbi një platformë të dridhshme do t’ju japin bark të sheshtë, ka shumë gjasa të zhgënjeheni.

E njëjta gjë vlen edhe për përdorimin e tyre në rikuperimin e muskujve apo uljen e dhimbjeve pas stërvitjes. Edhe pse mund të ketë disa përfitime, metodat klasike si përdorimi i nxehtësisë, pajisjeve kompresuese ose sauna-s kanë mbështetje më të fortë shkencore, thotë fiziologu i ushtrimeve Ashton Dobbins, M.S., themelues i Team Ascend.

Të tre ekspertët pajtohen se shumë nga synimet që kërkoni të arrini me një platformë vibrimi mund të realizohen më mirë dhe shpesh më lirë me metoda të tjera. Megjithatë, ato mund të ofrojnë disa avantazhe konkrete.

Përfitimet e platformave me vibrim

Edhe pse nuk janë “magji” për stërvitje e rikuperim, këtu janë katër përfitimet kryesore të mbështetura nga shkenca:

1. Intensifikimi i stërvitjes

Për ata që duan ta bëjnë më sfiduese rutinën, platformat me vibrim mund të shtojnë angazhim shtesë të muskujve, sidomos të barkut. Filloni me shtrirje të thjeshta, pastaj kaloni te pozicione statike si planks apo squats.

2. Rikuperimi nga dëmtimet

Të përshtatshme për persona me dëmtime të gjymtyrëve të poshtme ose mobilitet të kufizuar. Por duhet të jenë pjesë e një plani rehabilitimi, jo zëvendësues i tij.

3. Përmirësimi i balancës

Dridhjet ndihmojnë në zhvillimin e propriocepcisë, aftësisë së trupit për të kuptuar pozicionin në hapësirë. Filloni me intensitet të ulët dhe kërkoni këshillë mjekësore nëse keni probleme serioze me ekuilibrin.

4. Stimulimi i drenazhimit limfatik

Vibrimet rrisin qarkullimin e gjakut, duke ndihmuar lëvizjen e lëngjeve të tepërta në trup. Megjithatë, aktiviteti fizik tradicional si ecja apo ushtrimet kardio shpesh janë më efektive.

A duhet ta blini?

Nëse kërkoni forcë apo formë trupore, ka pajisje më efektive dhe më të përballueshme. Por, për personat me mobilitet të kufizuar nga dëmtimet ose gjendje mjekësore, mund të jetë një opsion i vlefshëm, gjithmonë me aprovimin e mjekut. /Telegrafi/