Nga Spitali i Pejës bëjnë të ditur se gjendja e edukatores së lënduar është stabile

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se sot ka pranuar për trajtim mjekësor një paciente të lënduar si pasojë e goditjes me mjete të forta, në një incident që ka ndodhur në një institucion parashkollor në këtë qytet.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, pas ekzaminimeve mjekësore dhe ofrimit të shërbimeve të nevojshme shëndetësore, gjendja e pacientes është vlerësuar stabile.
“Pas ekzaminimit mjekësor dhe ofrimit të shërbimeve të nevojshme shëndetësore, gjendja e pacientes është vlerësuar stabile dhe e njëjta është liruar për trajtim të mëtutjeshëm sipas rekomandimeve mjekësore”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti ka ndodhur sot rreth orës 10:40 në një kopsht në Pejë, ku një nxënës ka sulmuar edukatoren e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore.
“Sot rreth orës 10:40, policia është njoftuar se në një kopsht në Pejë, një nxënës e ka goditur edukatoren e tij me një shufër metalike, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit të Pejës”, ka deklaruar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ai ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, si dhe prokurori i shtetit, të cilët janë duke hetuar rrethanat e plota të incidentit.
Sipas burimeve, rasti ka ndodhur në kopshtin “Pëllumbat e Paqes” në Pejë, ndërsa mosha e fëmijës së përfshirë në incident raportohet të jetë rreth 7 vjeç.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar. /Telegrafi/





















































