LAJMI I FUNDIT:
Gjilani 1° fog

Nga sfida në sukses, historia e Valentina Hajdarit nga Gjilani që nuk u dorëzua kurrë

Nga sfida në sukses, historia e Valentina Hajdarit nga Gjilani që nuk u dorëzua kurrë

Vajza që triumfoi ndaj sfidës së saj tashmë po jeton ëndrrën, duke i përfunduar me sukses studimet dhe duke ndërtuar karrierën e saj.

Valentina Hajdari nga Gjilani, për vite ishte me aftësi të kufizuara, mirëpo për të kjo sfidë tashmë konsiderohet e tejkaluar. Ajo për Telegrafin rrëfen rrugëtimin e saj deri në jetësimin e ëndrrës së saj.

Hajdari thekson se me përkushtimin e saj dhe mbështetjen e familjes ia ka dalë t’a tejkaloj këtë sfidë.


“Vitet e para ishin sfiduese, por me përkushtim të madh dhe mbështetjen e pakursyer të familjes sime, ia dola të kapërcej pengesat dhe të fitoj pavarësinë time fizike. Ky udhëtim nuk ishte i lehtë, por më mësoi se me besim, durim dhe mbështetje, mund të arrish gjithçka që synon. Sot, jam krenare që kam bërë hapa të mëdhenj drejt realizimit të ëndrrave të mia,” thotë Hajdari.

Ajo që e forcoi Valentinën për të vazhduar tutje dhe për t’u mos u dorëzuar, ishte nëna e saj.

“Të gjitha momentet e mbështetjet e jashtëzakonshme të nënës time, në çdo proces më kanë dhënë forcë për të mos u dorëzuar”, thotë ajo, duke theksuar se roli i familjes ka qenë vendimtar në rrugëtimin e saj.

Kalimi nga një sfidë shëndetësore në ndërtimin e një karriere profesionale, për të ishte një përjetim jo i lehtë dhe një rrugëtim i gjatë.

Hajdari thotë se përvoja gjatë studimeve e ka bërë të kuptoj se pavarësisht sfidave, mundet edhe të punoj.

“Përvoja gjatë studimeve e sidomos përgatitja e punimit të diplomës në nivelin Bachelor më ka bërë me kuptu që pavarësisht sfidave shëndetësore, mundem në të ardhmen edhe të punoj dhe krejt ky përjetim më ka motivuar që unë sot të ndërtoj një karrierë profesionale”, ka thënë Hajdari.

Ajo thekson se sot është e pavarur fizikisht dhe ka arritur të ndërtojë një karrierë profesionale, duke realizuar ëndrrën e saj.

Tutje, Hajdari shprehet se ndjenja e arritjes dhe lumturisë që përjeton tani është rezultat i përkushtimit dhe mbështetjes që ka pasur gjatë rrugëtimit të saj.

Ajo shprehet se këto ndryshime kanë ndikuar ndjeshëm në jetën e saj, duke i dhënë një perspektivë të re për të ardhmen dhe për mundësitë që ajo mund të krijojë për veten.

“Ndryshimet që kam përjetuar më kanë ndihmuar të zhvillohem si në aspektin profesional, duke u përfshirë në projekte që më sfidojnë dhe më motivojnë, ashtu edhe në atë shoqëror, ku kam krijuar marrëdhënie të reja dhe mbështetje të vazhdueshme. E ndiej se jam më e përgatitur për të përballuar çdo sfidë që mund të vijë në të ardhmen”, thotë ajo.

Për ata që po përballen me sfida të ngjashme, mesazhi i saj është i qartë dhe i fuqishëm

“Përkushtimi, puna e palodhshme dhe një qëndrim pozitiv janë çelësi për të tejkaluar çdo pengesë”, thotë ajo.

Hajdari thekson se besimi në veten dhe mbështetja nga të tjerët janë thelbësore për të ecur përpara, pavarësisht vështirësive.

“Mesazhi im për këdo që po përballet me sfida është që të mos u dorëzohen kurrë, sado e vështirë të duket situata. Punoni shumë për qëllimet tuaja dhe besoni se gjithçka është e mundur nëse jeni të vendosur. Gjithashtu, mendoni pozitivisht, jo vetëm për veten tuaj, por edhe për rrethin që ju mbështet. Mbështetja nga familja dhe miqtë është një shtyllë e rëndësishme për të ecur përpara. Gjithmonë kujtojani vetes se sfidat janë vetëm faza të përkohshme dhe me përpjekje të vazhdueshme, mund t’i ktheni ato në fitore”, përfundon ajo. /Telegrafi/