eksperti-banner

Një rrjedhje masive e të dhënave ka zbuluar operacionet e brendshme të “Dialog”, një shoqëri e fshehtë me anëtarësi vetëm me ftesë, e përbërë nga më shumë se 200 figura elitare të politikës, financave dhe teknologjisë në nivel global.

Rrjedhja, e cila përfshin databaza private të regjistrimit dhe kodin e faqes së internetit, zbuloi ekzistencën e një aplikacioni ekskluziv për krijimin e lidhjeve mes anëtarëve të kësaj shoqërie.


Gjithashtu u zbuluan agjendat e takimeve private, të mbajtura jashtë regjistrimeve zyrtare, ku diskutoheshin konflikte gjeopolitike, teknologjia e mbrojtjes dhe ndikimi shoqëror i inteligjencës artificiale.

E bashkëthemeluar në vitin 2006 nga investitori miliarder i teknologjisë Peter Thiel, “Dialog” organizon takime mes zyrtarëve të lartë amerikanë, diplomatëve të huaj dhe drejtuesve të korporatave.

Sipas WIRED, regjistri i zbuluar për takimin e ardhshëm në gusht të vitit 2026 përmban emrat e 222 personave.

Lista e rrjedhur përfshin figura të njohura si Elon Musk, Jared Kushner, Scott Bessent, senatorin Ted Cruz dhe Kaja Kallas.

Dokumentet përmendin gjithashtu sekretarin e ushtrisë amerikane Dan Driscoll, bashkëthemeluesin e Palantir Technologies, Joe Lonsdale, si dhe drejtuesin ekzekutiv të Take-Two Interactive, Strauss Zelnick, kompania që qëndron pas lojës Grand Theft Auto VI.

Dokumentet tregojnë se pjesëmarrësit përdorën adresa personale ose të kompanive, duke i vendosur komunikimet e tyre jashtë fushës së ligjeve për publikimin e të dhënave zyrtare.

Në qendër të rrjedhjes është zbulimi i një platforme private për krijimin e kontakteve mes anëtarëve, transmeton Telegrafi.

Aplikacioni, i promovuar si një mjet që krijon “lidhje domethënëse për njerëz të jashtëzakonshëm”, pyeste përdoruesit nëse ishin “në kërkim të dashurisë” dhe mblidhte të dhëna shumë të ndjeshme personale.

Hakerja zvicerane dhe aktivistja kibernetike maia arson crimew ishte ndër të parët që zbuloi drejtorinë e fshehur në kodin e faqes së internetit të organizatës.

Rrjedhja komprometoi një databazë komerciale të Airtable, duke nxjerrë në publik çelësa privatë të qasjes, biografi të pjesëmarrësve dhe bindje politike të padeklaruara. Dialog kishte premtuar në mënyrë të qartë se këto të dhëna politike nuk do të shpërndaheshin kurrë.

Materialet e zbuluara përshkruajnë një agjendë të pazakontë për takimin e ardhshëm pranë Dublin.

Programi privat përfshin diskutime mbi strategjinë e mbrojtjes dhe tema sociale, me panele me tituj si “Përballimi i Luftës së Tretë Botërore”, “Teknologjitë e fushëbetejës” dhe “Rikthimi i armëve bërthamore”.

Sesione të tjera tregojnë fokusin specifik të grupit, me tema si “Krijo një kult”, “Krijo një parti” dhe “Si është jeta juaj seksuale?”.

Pjesëmarrësit kanë shprehur shqetësime të përbashkëta për ndryshimet e shpejta teknologjike.

Sipas dokumenteve, anëtarët kanë parashikuar rritjen e sulmeve terroriste të brendshme ndaj qendrave të të dhënave, shfaqjen e avokatëve të mbrojtjes të specializuar në inteligjencën artificiale dhe humbje masive të vendeve të punës si pasojë e zhvillimit të AI-së në vitet e ardhshme. /Telegrafi/