Nga lufta në Kosovë te maja e industrisë kimike në SHBA, historia e suksesit të Teuta Elshanit

Një histori force, këmbënguljeje dhe suksesi vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Teuta Elshani, shqiptare nga Kosova, ka arritur një nga pozicionet më të larta në fushën e inxhinierisë kimike, në një prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare.
Teuta Elshani pas një rrugëtimi 26-vjeçar pune të palodhur, ka arritur të marrë pozitën e Udhëheqëse Teknike e Kërkimit dhe Zhvillimit (R&D Technical Leader) në Kimberly-Clark Professional – Amerika e Veriut, duke ushtruar rolin e inxhinieres strategjike, një nivel elitar në industrinë e saj.
Në një postim Elshani thekson se jeta e saj ndryshoi rrënjësisht më 17 prill 1999, kur lufta në Kosovë i mori familjen dhe e la të vetme në moshën 23-vjeçare.
Përballë humbjes dhe dhimbjes së thellë, ajo u gjend përpara një zgjedhjeje vendimtare: të dorëzohej apo të vazhdonte përpara.
Me një diplomë të fituar në Kosovë në kushte lufte dhe në një fushë delikate si kimia, ajo nisi karrierën e saj në Shtetet e Bashkuara si teknike laboratori.
Paralelisht me punën, iu desh të mësonte një gjuhë të re dhe të punonte në ekipe ku shumica e kolegëve ishin doktorë të inxhinierisë kimike.
“Me dhimbjen në gjoks dhe kujtimet që më rëndonin, mësova të merrja frymë mes trishtimit dhe të vazhdoja përpara, edhe kur çdo shpresë ishte zhdukur. Por noti nuk mbaroi me mbijetesën. Pas frymëmarrjes së parë erdhi barra e punës dhe e mbajtjes gjallë të trungut familjar që lufta e kishte prerë deri në rrënjë”, shprehet ajo.
Pavarësisht vështirësive të mëdha personale dhe profesionale, Teuta Elshani nuk u ndal. Me përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm, ajo u ngjit gradualisht në hierarkinë profesionale, duke marrë sot një rol strategjik dhe drejtues në një kompani globale me ndikim të madh ndërkombëtar.
Historia e saj përfaqëson jo vetëm një sukses profesional individual, por edhe një shembull frymëzues se si, edhe pas humbjeve më të mëdha është e mundur të ndërtohet një e ardhme e fortë. /Telegrafi/



















































