Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në sesionin e parë të punimeve të Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit, që po zhvillohet në Londër me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi rëndësinë e unitetit evropian përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme, duke paralajmëruar se autoritarizmi dhe ndikimet ruse e kineze po rrezikojnë stabilitetin e kontinentit. Ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse gjeografikisht janë brenda Evropës, ende mbeten jashtë strukturave të BE-së dhe NATO-s, gjë që krijon, sipas tij, “një boshllëk të rrezikshëm sigurie”.


“Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, për ta mbyllur këtë boshllëk. Ne kemi qëllime dhe vlera të përbashkëta – dhe asnjë alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO”, tha Kurti.

Samiti i Procesit të Berlinit në Londër

Ai theksoi se Kosova ka shënuar përparim të ndjeshëm në zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen e mirë, duke theksuar se vendi ka pasur një mesatare rritjeje ekonomike prej 6% në pesë vitet e fundit dhe është hequr nga lista e shteteve të brishta nga Banka Botërore dhe FMN.

Megjithatë, Kurti paralajmëroi për kërcënimet që vijnë nga Serbia, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë. “Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, por drejtësia ende nuk është vënë në vend. Pandëshkueshmëria nxit sulme të reja ndaj sovranitetit tonë”, tha ai.

Kryeministri në detyrë përmendi edhe bashkëpunimin ekonomik rajonal, Agjendën e Gjelbër dhe nevojën për më shumë investime për zhvillim të qëndrueshëm. Ai njoftoi për nënshkrimin e marrëveshjes tregtare me vendet e EFTA-s dhe rihapjen e funksionalitetit të CEFTA-s gjatë kryesimit të Kosovës.

Sa i përket migracionit, Kurti tha se Kosova nuk është burim migracioni, por vetëm një pikë tranziti me shifra të ulëta, ndërsa theksoi përkushtimin për të luftuar krimin e organizuar, trafikun e armëve dhe financat e paligjshme në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar./Telegrafi/