Nga Kosova në skenën botërore të CS2 – makazze ndan sekretet e suksesit dhe sfidat që e presin tek NAVI

Nëse ke luajtur me orë të tëra në Faceit, e di sa i gjatë është rrugëtimi për të arritur te skena elitare e eSports. Por, një djalosh 18-vjeçar nga Kosova, kjo ëndërr nuk i ka mbetur vetëm në imagjinatën e tij.
Drin "makazze" Shaqiri, është emri që po rritet shpejt në skenën e Counter Strike 2. Pas një viti dominim në NAVI Junior dhe performancave që s’mund të anashkaloheshin, ai është promovuar në ekipin kryesor të Natus Vincere (NAVI).
Tash, me kontratë zyrtare, stërvitjet në Barcelonë dhe në pritje të debutimit në 'IEM Cologne 2025', makazze është gati ta tregojë veten para botës.
Në një intervistë për Telegrafin, ai flet për rrugëtimin, emocionet, presionin dhe ëndrrën që shumë të rinj në Kosovë e kanë në 'serverët' e tyre çdo ditë: të bëhen lojtarë profesionistë.
Telegrafi Sport: Nga akademia në ekipin e parë: Si ia dolët ta bëni këtë hap gjigant në karrierë, në një moshë kaq të re?
makazze: Përkushtimi ndaj lojës dhe puna e palodhshme që kam bërë me ekipin e akademisë më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Kam qenë gjithmonë i fokusuar dhe e kam pasur një qëllim të qartë: të arrij në ekipin e parë
Telegrafi Sport: Sa e shihni veten të gatshëm të garoni në skenën më të madhe të CS2, ku tani e gjithë vëmendja do të jetë tek performancat e tua?
makazze: Po, ndihem i gatshëm. Rruga nëpër akademi më ka përgatitur mirë për presionin dhe ritmin e lartë që ka skena profesionale. Tash e kam momentin dhe do të jap maksimumin.
Telegrafi Sport: A keni komunikuar me ekipin e NAVI, si e kanë pritur ata ardhjen tënde në ekipin e parë?
makazze: Më kanë pritur shumë mirë. Tashmë kemi stërvitjet në Barcelonë, prej 11 korrikut, ku fokusi jonë është krejtësisht te turneu IEM Cologne.
Telegrafi Sport: Në ekip po e zëvendësoni “jL”, çfarë do të thotë kjo për ty, duke ditur se ai ishte shpallur më herët MVP i Majorit të Kopenhagës?
makazze: Ta zëvendësosh një MVP të Majorit është përgjegjësi e madhe. Por për mua, kjo tregon edhe besimin që NAVI e ka tek unë dhe kjo më motivon edhe më shumë që të dëshmohem në çdo ndeshje.
Telegrafi Sport: Sa jeni entuziast të punoni me një trajner si B1ad3 i cili njihet për përvojën e tij të gjatë në CS, punën me talente të reja dhe i cili ka fituar shumë me ekipin e NAVI-t?
makazze: B1ad3 është ndër trajnerët më me përvojë në CS. Besoj më të do të rritem edhe më shumë, i njeh detajet dhe di si të zhvillojë lojtarët e rinj. Është një mundësi e artë për mua.
Telegrafi Sport: Nga cili lojtar u inspiruat për të filluar karrierën tuaj në CS?
makazze: Në fillim jam frymëzuar nga ekipi Bad News Eagles, veçanërisht nga Juanflatroo. Ka qenë modeli im prej ditës së parë, më ka shty të besoj që edhe lojtarët shqiptarë mund të arrijnë në skenën më të madhe.
Telegrafi Sport: Mesazhi juaj për të gjithë të rinjtë që luajnë CS2 në Kosovë?
makazze: Për të gjithë të rinjtë që luajnë CS në Kosovë, mos e ndalni veten kurrë. Ndiqni ëndrrat tuaja, punoni çdo ditë dhe mos u dorëzoni, sepse me përkushtim dhe durim gjithçka është e mundur. /Telegrafi/























































