Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme u prit në Kongresin Amerikan nga Kongresmeni Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën dhe iniciues i “Projektligjit për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës”.

Ky projektligj kërkon monitorimin dhe raportimin nga Departamenti i Shtetit Amerikan mbi trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.


Gjatë takimit, Spiropali theksoi se nisma e Kongresmenit Self, përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e problemeve serioze me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe adresimin e tyre institucional.

“Shqipëria mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, në bashkëpunim me aleatët tanë”, deklaroi Spiropali.

Vizita e Spiropalit në Uashington do të vijojë me takimet në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në disa organizata e think-tanke të mendimit politik me fokus zhvillimet e fundit globale.

Këtë të enjte, Spiropali ka zhvilluar edhe disa takime në Senatin Amerikan, me fokus bashkëpunimin dhe koordinimin për çështje me interes të përbashkët mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

Në takimin me senatoren Elissa Slotkin, u trajtua koordinimi strategjik për çështjet e sigurisë, bashkëpunimit ekonomik e politik mes dy vendeve.

Spiropali theksoi në një mesazh në rrjetet sociale se “si përfaqësuese e Michiganit, Senatorja Slotkin vlerëson rolin aktiv të komunitetit të madh shqiptar në zonën e saj”.