Sot në sheshin “Skënderbej” të Tiranës është mbajtur protesta e thirrur nga ish-udhëheqësit e UÇK-së, me moton “Liria ka emër”, në mbështetje të ish-krerëve politikë dhe ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të paraburgosur në Hagë.

Mijëra protestues nga të gjitha trojet kombëtare, shumë prej tyre nga Kosova me flamuj kuqezi dhe flamuj të UÇK-së, janë mbledhur në shesh për të shprehur solidaritetin e tyre.


Në mesin e protestuesve ishte edhe komandant batalioni në kuadër të Brigadës 153, Vehbi Hajzeri, i njohur me nofkën "Vimi", nga fshati Koliq i Gollakut.

Vehbiu, së bashku me mijëra bashkëluftëtarë të tjerë ishin nisur me autobusë nga Prishtina në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

“Ata për neve janë çlirimtarë”, deklaroi Hajzeri për Euronews.

“Shtetin e Shqipërisë e falënderojë shumë çka janë t’u ba për çlirimtarët”, vazhdoi ai.

“Për me folë, duhet me u nis prej vetit, edhe unë kam qenë komandant batalioni në Brigadën 153, e di qysh ka qenë lufta, edhe qysh kafshatën e bukës e kemi nda me civilë.”

“Po ne në fund të fundit jemi të këtij populli.”

“Është fat i madh që edhe Amerika i ka kthy sytë andej dhe sa duket ka tjetër atmosferë në Gjykatë”, shtoi komandanti.

“Edhe nëse s’kemi me ngrënë, veç çlirimtarët me i pas këtu, për neve mjafton”, përfundoi deklaratën Hajzeri.




Ndryshe, Vehbiu ishte kyçur në radhët e UÇK-së së bashku me vëllezërit, Bedriun dhe Elezin.

Ata kanë qenë nga të parët që janë bashkuar në luftën çlirimtare dhe që nga ajo kohë kanë qenë të pandashëm – në betejë, në sakrificë dhe në ideale.

Edhe pas luftës, lidhja e tyre ka mbetur po aq e fortë, duke vazhduar të ruajnë dhe kultivojnë traditën përmes folklorit.

Familja Hajzeri, ashtu si shumë familje të tjera, mbetet simbol i përkushtimit, unitetit dhe krenarisë kombëtare. /Telegrafi/