Nga fusha e futbollit, në mision komando: Gvardiol i Man Cityt provon stërvitje e veçantë me armë

Anëtari i ekipit kombëtar kroat dhe mbrojtësi i Manchester Cityt, Josko Gvardiol, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për t’u përgatitur për sezonin e ri, duke dalë jashtë kornizave të zakonshme të stërvitjes. Ai mori pjesë në një simulim ekskluziv të një misioni komando, i frymëzuar nga videot taktike dhe operacionet speciale në jetën reale.
Në këtë trajnim, i zhvilluar në një ambient natyror dhe nën drejtimin e ish-forcave speciale dhe ekspertëve të sigurisë, Gvardiol u përball me detyra të vështira që testuan qëndrueshmërinë, mbijetesën në ekip, orientimin në natë (terr) dhe lëvizjet taktike duke përdorur armë që qëllojnë me fishekë plastikë të vegjël dhe të butë.
Ky program është dizajnuar për të përmirësuar si aspektet fizike, ashtu edhe ato mendore të pjesëmarrësve, duke ofruar një përvojë intensive, por të sigurt.
“Gjithmonë kam dashur të ndiej se si është të jesh pjesë e forcave speciale dhe të kryesh një mision të vërtetë komando,” shkroi Gvardiol në profilin e tij në Instagram.
Gvardiol i shtyn vazhdimisht kufijtë e tij si futbollist, dhe kalimi i kilometreve në terren të vështirë me pajisje komando dhe ngjitja në malet e Kroacisë janë pjesë e përgatitjeve të tij të forta për sezonin që po nis dhe pritet të kulmojë me Kupën e Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Duke e përdorur pushimin pas Kupës së Botës për Klube, mbrojtësi kroat e shfrytëzoi kohën për të provuar një eksperiencë krejt të re, duke konfirmuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tij maksimal.
Ky trajnim është pjesë e projektit “Commando Squad 9”, marka e parë kroate që sjell botën e videolojërave në një eksperiencë të vërtetë, të sigurt dhe të personalizuar për civilët, atletët dhe ekipet që kërkojnë më shumë se vetëm stërvitje klasike.
Çdo mision bazohen në histori të vërteta të operacioneve speciale dhe përshtatet në varësi të dëshirave dhe nivelit fizik të pjesëmarrësve./Telegrafi/



















































