LAJMI I FUNDIT:

Çështja shqiptare në prizmin e diplomacisë dhe të opinionit publik britanik

Çështja shqiptare në prizmin e diplomacisë dhe të opinionit publik britanik

Nga: Enis Sulstarova

Libri i Daut Dautit “Britania dhe çështja shqiptare gjatë rënies së Perandorisë Otomane, 1878-1914” i shtohet bibliotekës së pasur të studimeve për periudhën e Rilindjes Kombëtare. E veçanta e librit të Dautit është ndërthurja në analizën e tij të politikës së jashtme britanike (në raport me fuqitë e tjera) për “Çështjen e Lindjes”, me politikën e brendshme britanike dhe me perceptimet publike në këtë vend mbi popujt e Ballkanit dhe mbi shqiptarët në veçanti.

Asnjë shtet nuk e ushtron politikën e jashtme pa njëfarë pjesëmarrjeje të publikut. Po të mbajmë parasysh se në dekadat e fundit të shek. XIX dhe në fillimet e shek. XX, Britania kishte perandorinë më të madhe të botës, që do të thoshte se interesat e saj shtriheshin në të gjithë kontinentet, dhe se ajo njëkohësisht ishte demokracia më e vjetër dhe më e zhvilluar e Evropës, atëherë del e qartë se opinioni publik në këtë vend kishte një rol të rëndësishëm në përcaktimin e politikës së jashtme. Dihet se opinioni publik nuk është i qëndrueshëm, por i luhatshëm e sidomos i ndikueshëm prej politikanëve dhe gazetarëve me emër që amplifikojnë zërin e tyre me anë të mediave.


Për periudhën në fjalë, roli i shtypit ishte i jashtëzakonshëm, sepse ai informonte publikun mbi ngjarjet në botë, përcillte te ai informacione mbi popuj e ndryshëm nëpër botë dhe mbi shkallën e tyre të qytetërimit. Debati mbi politikën e jashtme zhvillohej në shtyp duke u bazuar mbi perceptimet e krijuara mbi historinë dhe kulturën e popujve që jetonin në zona të ndryshme të botës ku ushtrohej sundimi dhe ndikimi britanik.

Në librin e Dautit lidhen debatet e krahëve politikë mbi Perandorinë Osmane me perceptimet e udhëtarëve dhe studiuesve britanikë që shfaqën interesim për popujt dhe çështjet kombëtare në Ballkan. Në dijeninë tonë, këto dy tema përgjithësisht janë trajtuar secila më vete, si nga autorët e huaj, po ashtu edhe ata shqiptarë. Kështu, libri i njohur i Maria Todorovës “Ballkani imagjinar” përqendrohet te perceptimet e udhëtarëve dhe të shtypit dhe më pak te politika e fuqive të mëdha për Perandorinë Osmane.

Ka disa studime të autorëve shqiptarë për veprimtarinë e Edit Durhamit dhe Abrij Hërbërtit [AubreyHerbert] për çështjen shqiptare, por që natyrshëm nuk merren gjerësisht me debatin politik në Britaninë e Madhe. Mund të themi se Katerina Fleming në librin “Bonaparti mysliman” ia ka dalë të integrojë politikën e Britanisë së Madhe dhe Francës ndaj Ali Pashë Tepelenës me imazhin e këtij sundimtari në Perëndim, të krijuar prej udhëpërshkrimeve dhe trillimeve letrare.

Libri i Dautit hapet me imazhin e Shqipërisë të krijuar te publiku britanik në dekadat që i paraprinë Kongresit të Berlinit dhe rolin e Britanisë së Madhe në këtë kongres, posaçërisht mos interesimin e saj për kombin shqiptar e sheh të lidhur edhe me njohuritë e pakta dhe ekzotike që publiku britanik kishte për shqiptarët. Mirëpo, siç e vëren me të drejtë autori, goditjen më të madhe ndaj të drejtave kombëtare shqiptare e dha hipja në pushtet e liberalëve të udhëhequr nga Gladstoni. Ky i fundit shtypjen e të krishterëve ballkanas nga “despotizmi osman” e ktheu në një kryqëzatë morale për të kundërshtuar politikën pro-osmane të konservatorëve të Benxhamin Dizraelit.

Kështu, sa herë që në debatin publik britanik dilte në pah “Çështja Lindore”, nën këtë rubrikë trajtoheshin vuajtjet e të krishterëve të Ballkanit. Edhe atëherë kur shqiptarët dalloheshin si një popull i veçantë, ata shpeshherë shihen si subjekte të bindur të sulltanit apo si aleatë të turqve për të mbajtur nën zgjedhë të krishterët. Identitetet fetare kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e nacionalizmave ballkanikë dhe në përkrahjen që fuqitë evropiane u dhanë atyre. Edhe pse nacionalistët shqiptarë e ngritën identitetin kombëtar mbi gjuhën dhe prejardhjen, për politikë-bërësit dhe opinionin publik britanik ata shihen si një popullatë kryesisht myslimane. Siç vëren edhe autori, kemi paradoksin që konservatorët britanikë, tradicionalisht më të lidhur me besimin e krishterë favorizonin shqiptarët, ngaqë ishin për ruajtjen e sundimit osman në Ballkan, ndërsa liberalët, për të cilët pritej që feja të mos ishte edhe aq pjesë e konsideratës politike, përkundrazi, përkrahnin në çdo rast të krishterët e Ballkanit (f. 16).

Situata mbeti e tillë edhe pas Kongresit të Berlinit. Çështja shqiptare nisi të trajtohej si pjesë e çështjes së Maqedonisë, ku ndesheshin irredentizmat e shteteve ballkanike dhe përziheshin interesat e Austro-Hungarisë dhe të Rusisë. Disa herë në libër përmendet se ruajtja e territoreve të Perandorisë Osmane në Ballkan i interesonte Perandorisë Britanike për dy arsye: e para ishte moslejimi i daljes së Rusisë apo të një shteti të madh sllav në Ngushticat e Bosforit dhe e dyta për të mos acaruar marrëdhëniet me myslimanët e Indisë. Përmendja e Indisë në raportet diplomatike që kishin të bënin me shqiptarët myslimanë është një temë interesante për t’u eksploruar më tej nga këndvështrimi i studimeve paskoloniale.

Gjithashtu, opinioni publik gjatë “Krizës Lindore” vijoi të ishte simpatizues i sllavëve të jugut dhe grekëve, mirëpo ndonjë si Artur Evëns megjithatë u interesua për të shkuarën shqiptare dhe e informonte drejt publikun britanik për lashtësinë dhe tiparet e popullit shqiptar. Ekspertët britanikë krijuan Komitetin e Ballkanit për të ndikuar politikën e jashtme britanike dhe brenda tij Durhami dhe Hërbërti ishin avokatë të çështjes kombëtare shqiptare, për zgjidhjen e së cilës propozohej autonomia. Konkurrenca midis Britanisë dhe Gjermanisë dhe afrimi i Austro-Hungarisë me këtë të fundit, përcaktoi deri diku qasjen britanike ndaj shqiptarëve në prag dhe gjatë Luftës Ballkanike. Publiku gjeti te Serbia kauzën e lirisë, siç e kishte gjetur dekada më parë te Greqia.

Nga ana e tyre, xhonturqit krijuan iluzionin se do të mund ta reformonin perandorinë dhe se do të plotësonin disa nga aspiratat kombëtare të shqiptarëve. Në këto kushte, lëvizja shqiptare në vitet 1911-1912 nuk pati përkrahje nga politika e jashtme britanike, edhe pse udhëheqës si Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina shpresonin se kërkesat e tyre do tëpriteshin mirë nga diplomatët britanikë. Durhami dhe Hërbërti, në krye të Komitetit Shqiptar, vijuan pa u lodhur të paraqisnin interesat shqiptare në qeveri dhe media, me njëfarë suksesi në drejtim të pranimit të shtetit të ri shqiptar, por pa arritur që Britania të angazhohej në krahun e shqiptarëve dhe t’u kundërvihej fuqive si Rusia e Franca, qëishin qartazi për copëtimin e territoreve shqiptare nga fituesit e Luftës Ballkanike.

Historianët dhe publiku shqiptar i interesuar ka tashmë një panoramë të saktë të qasjes së diplomacisë ndërkombëtare ndaj çështjes shqiptare gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare, në sajë të një numri studimesh cilësore. Gjithsesi, libri i Dautit është një prurje e mirëpritur në historiografinë shqiptare, për shkak të metodologjisë së ndjekur dhe për hulumtimin e burimeve arkivore të pashfrytëzuara më parë, që pasurojnë informacionin dhe plotësojnë edhe më mirë panoramën. Tipari karakterizues që vumë në dukje qysh në fillim, pra ndërthurja e debatit publik me raportet diplomatike e bën leximin të këndshëm dhe e fut lexuesin në atmosferën e kohës. Libri është dinamik: skenat ku zhvillohet diplomacia e politika ndërrohet herë pas herë, një herë në Londër, më pas në Stamboll, për të kaluar më pas në Janinë, Shkup, Manastir, Shkodër. Ligjërimi i përdorur nga autori, i cili është i rrjedhshëm dhe i qartë. E meta e vetme që kemi vërejtur është redaktimi i dobët shkencor dhe gjuhësor. Është shqetësuese, madje acaruese kur në një botim shkencor ambicioz gjenden fjalë si “shkollarët” në vend të “studiuesit”, apo “Patriarkati” në vend të “Patrikanës”. Shpresojmë që në botimet e mëvonshme këto gabime të ndreqen. /Shenja/