Neymar kundërshton shpjegimin e Ancelottit për mungesën e tij tek Brazili

Neymar kundërshton shpjegimin e Carlo Ancelottit për mungesën e tij te Brazili, duke pohuar se përjashtimi nuk ka të bëjë me gjendjen e tij fizike.
Superylli 33-vjeçar ishte një nga disa emra të mëdhenj që u lanë jashtë grumbullimit më të fundit të Brazilit.
Neymar, i cili është rikthyer në atdhe dhe po luan për Santos, është i vendosur të marrë pjesë në Kupën e Botës verën e ardhshme.
Megjithatë, ai nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjet e fundit kualifikuese për atë turne, pasi Brazili e ka siguruar tashmë kualifikimin në eventin më të madh të FIFA-s.
“Neymar nuk është në këtë listë të dytë për shkak të një problemi të vogël që pati javën e kaluar, por ai nuk ka më nevojë të dëshmojë asgjë”.
“Të gjithë e njohin Neymarin, kombëtaren, dhe të gjithë tifozët brazilianë. Si të gjithë të tjerët, edhe ai duhet të jetë në formë të mirë fizike për të ndihmuar ekipin të performojë si duhet dhe të japë maksimumin në Kupën e Botës”, ka thënë Ancelotti.
Por, Neymar ka këmbëngulur se mungesa e tij nuk ka të bëjë asgjë me gjendjen fizike.
“Kisha një ënjtje në muskuj. Ishte e bezdisshme, por asgjë serioze, sot luajta. Kundër Bahia nuk do të luaja gjithsesi (pezullim), ndaj ata preferuan të më kursenin nga stërvitja që të rikuperohesha”.
“Mendoj se jam lënë jashtë për arsye teknike, nuk ka të bëjë me gjendjen time fizike”, ka thënë Neymar./Telegrafi/





















































