LAJMI I FUNDIT:

Netflix-i, më shumë se kurrë në konkurrencën e artit të shtatë

Netflix-i, më shumë se kurrë në konkurrencën e artit të shtatë

Arian Jorgaqi

Netfilx vazhdimisht po mundohet të bëhet pjesë e gjigantëve të kinemasë amerikane, të cilët së shpejti duhet të rishikojnë kushtet e pranimit të filmave të tij në Oscar, disa ditë pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë në mënyrë të papritur dha mbështetjen e tij për gjigantin e transmetimit.


Akademia e fuqishme amerikane e Arteve dhe Shkencave të Filmit, që shpërndan çdo vit çmimet prestigjioze Osacar, konfirmoi një informacion të zbuluar nga gazeta e specializuar Variety, se ata kanë marrë një letër zyrtare që i paralajmëron për një shkelje të mundshme të të drejtave të konkurrencës.

“Kemi marrë një letër nga Departamenti i Drejtësisë së cilës i jemi përgjigjur”, tha në një deklaratë organizmi hollivudian, që klasifikon profesionistët.

Arsyet e zemërimit të drejtësisë amerikane janë te dyshimet se Akademia ka ndryshuar kushtet e pranimit për Oscar, vetëm për t’i vënë Netflix-it shkopinj nën rrota.

Regjisori fitues i shumë çmimeve Oscar, Steven Spielberg, ka propozuar që filmat e prodhuar nga Netflix të mos konkurrojnë për Oscar… por, për çmimet Emmy Awards që shpërndahen nga televizioni amerikan.

“Kur të doni të bëni një format televiziv, bëni një film televiziv”, tha regjisori, i cili bashkëpunon gjithashtu me Apple TV – platformën e re të transmetimit të videove me ikonën e mollës.

Por, për drejtësinë amerikane, deklarata të tilla mund të “ngrenë shqetësime rreth të drejtës për konkurrencë”.

Në letrën drejtuar Akademisë, Autoriteti i Konkurrencës shprehet i shqetësuar nga këto rregulla të reja, që mund të shtypin konkurrencën.

“Këshilli i drejtuesve të Akademisë do të mblidhet me 23 prill në mbledhjen e tij të përvitshme për rregulloren e çmimeve, përgjatë të cilës do të diskutojë mbi një ndryshim të mundshëm”, deklaroi Akademia.

Kontaktuar nga AFP, Netflix refuzoi të komentonte.

“Ne e duam kinemanë. Por, ja çfarë duam tjetër: t’u japim një muaj falas personave që nuk mund të paguajnë, t’ju lejojmë të gjithëve të shohin daljet më të fundit dhe njëkohësisht t’u japim krijuesve mundësinë për të ndarë artin e tyre. Të gjitha këto nuk janë ekskluzive”, publikoi muajin e kaluar në Twitter, gjiganti i transmetimit.

Autoriteti i konkurrencës në Ministrinë e Drejtësisë ka për qëllim të vëzhgojë respektimin e rregullave liberale ekonomike: tregtimin e lirë dhe lirinë në zgjedhje të konsumatorit.

Ai ka kundërshtuar më kot së fundmi blerjen e gjigantit mediatik ”Time Warner” nga grupi i telekomit AT&T, me arsyetimin se gjiganti që do të krijohej do të mbyste, sipas tij, konkurrencën dhe do të ndikonte në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Në rastin e Netflix-it, ai i trembet faktit se ndryshimet e reja do të shkelin një ligj të rëndësishëm të konkurrencës, nenin Sherman.

Departamenti “nuk do të donte të ndërhynte me anë të një gjyqi”, tha për AFP, Kerry Fields, profesor i specializuar në ekonominë e ndërmarrjeve në USC. Akademia nuk donte të zbulonte për AFP-në përgjigjen e saj për drejtësinë, por sipas tij, kjo letër “mund ta bëjë që të tregohet më e kujdesshme”.

“Institucioni ka tashmë shumë probleme e nuk jam i sigurt nëse anëtarët duan të nisin një betejë juridike me Ministrinë, që mund të jetë shumë e kushtueshme”, shtoi ai.

Hollivudi ndihet tashmë më i kërcënuar pasi Netflix rrëmbeu katër çmime Oscar në ceremoninë e fundit, tre prej tyre për suksesin e shumëpërfolur “Roma”, të meksikanit Alfonso Cuaron. Por, përtej çmimeve Oscar, diskutohet çështja e betejës mes botës së vjetër dhe të tanishmes, industrisë tradicionale të filmit dhe kompanive të transmetimit online.

”Është një betejë titanësh që vë formatin e vjetër kundër të riut”, thotë Kerry Fields. Është ky duel në të cilin autoritetet amerikane e kanë zgjedhur anën e tyre, në një mënyrë disi të habitshme. “Për shumë të rinj është vendim i duhur, por unë do të kisha menduar se ata do të ishin në anën e industrisë”, vazhdon ai.

Në këtë betejë, Disney po e plotëson ushtrinë e tij, pasi gjiganti i argëtimit, që zotëron njëkohësisht Lucasfilm (“Star Wars”) dhe Marvel (“Avengers”) deklaroi se do të publikonte në nëntor, në Shtetet e Bashkuara, një platformë videosh online të quajtur Disney+. /atsh/