Pse mendja juaj funksionon ndryshe në një botë plot ekrane dhe njoftime

Në një botë ku gjithçka shënohet brenda sekondës, në aplikacione, shënime digjitale, screenshot-e dhe mesazhe zanore, fakti që ende zgjidhni stilolapsin dhe fletoren mund të duket sikur i përkisni një bote të vjetër “analoge” në mes të kaosit digjital. Megjithatë, psikologjia ka një shpjegim krejt tjetër.


Njerëzit që ende shkruajnë me dorë zotërojnë një sërë tiparesh që po bëhen gjithnjë e më të rralla: mendim më të thellë, pjekuri emocionale, përqendrim më të madh dhe lidhje më të fortë me veten. Shkrimi me dorë është shumë më tepër sesa një shënim, ai është shprehje e ritmit të brendshëm, mënyrës së të menduarit dhe tempos personale që nuk e dikton telefoni.

Në vijim, ky tekst i thelluar shpjegon çfarë tregon zakoni juaj i shkrimit me dorë për ju dhe si edhe “shkarravitjet e rastësishme” zbulojnë peizazhin tuaj mendor, transmeton Telegrafi.

1. Zgjidhni thellësinë përpara shpejtësisë

Telefoni ju lejon të shkruani çfarëdo brenda një sekonde. Por e vërteta është se shpejtësia shpesh do të thotë - sipërfaqësi. Shkrimi me dorë ju ngadalëson aq sa të filloni të mendoni për atë që po shkruani. Hulumtimet tregojnë se:

▪ shkrimi me dorë e thellon të nxënit, sepse truri duhet të sintetizojë, të zgjedhë dhe të nxjerrë përfundime
▪ ndërsa shtypja në tastierë nxit shpesh kopjimin mekanik, pa kuptim të thellë

Prandaj, njerëzit që ende zgjedhin fletoren shpesh kanë një profil mendor:

▪ analitik
▪ të fokusuar
▪ të qëndrueshëm në vëmendje
▪ më të thellë në mendim

Nëse diçka e shënoni me dorë, kjo do të thotë se keni vendosur se ajo vlen vëmendjen tuaj dhe kohën tuaj.

2. Keni një ndjenjë të fortë përgjegjësie personale dhe sistem të brendshëm

Telefoni ofron përkujtesa, shënime, alarme, aplikacione dhe algoritme që mendojnë në vendin tuaj. Letra nuk e bën këtë dhe pikërisht për këtë arsye zbulon një strukturë psikologjike krejt tjetër. Shkrimi me dorë do të thotë se:

▪ vetë vendosni çfarë është e rëndësishme
▪ krijoni sistemin tuaj, pa u mbështetur te të tjerët
▪ keni vetëdisiplinë më të fortë
▪ ndjeni kontroll mbi detyrimet tuaja

Psikologët e lidhin këtë me vetërregullim të lartë. Njerëzit që mbajnë shënime në letër kanë më shumë gjasa t’i realizojnë planet, sepse nuk udhëhiqen nga njoftimet, por nga motivimi i brendshëm. Ju nuk “menaxhoni një aplikacion”. Ju menaxhoni veten.

3. Jeni emocionalisht më të lidhur me mendimet tuaja

Shkrimi me dorë është intim. Aty ka gjurmë të presionit të lapsit, pabarazi të shkronjave, ritëm, ndërprerje, njolla, gjëra që telefoni nuk do t’i regjistrojë kurrë. Prandaj shkrimi me dorë është përdorur për vite me radhë në terapi dhe praktikë psikologjike: ai e thellon kontaktin me emocionet personale.

Letra “flet”: “Këtu ishe i trishtuar”, “Këtë e shkruajte me nxitim”, “Këtë e shkruajte duke shpresuar”,

Njerëzit që zgjedhin letrën janë shpesh introspektivë, emocionalisht të pjekur dhe të gatshëm të përballen me veten, pa filtra dhe pa fshirje.

4. Natyrshëm jeni më të pranishëm dhe më të fokusuar

Telefoni ju ndërpret edhe kur nuk e doni: njoftime, banera, mesazhe, tinguj, sugjerime. Letra - kurrë. Gjatë shkrimit, nuk ka ndërprerje, shpërqendrime apo zhurmë digjitale. Vetëm mendimi dhe sipërfaqja ku ai merr formë. Psikologët theksojnë se njerëzit që shkruajnë rregullisht me dorë kanë:

▪ vëmendje më të qëndrueshme
▪ më pak “zhurmë” mendore
▪ përqendrim më të mirë
▪ aftësi më të zhvilluar reflektimi

Është një shenjë e qetë, por e fortë, se e vlerësoni fokusin tuaj dhe nuk i dorëzoheni çdo njoftimi që bie.

5. Jeni më kreativë sesa mendoni dhe mendoni vizualisht

Shkrimi me dorë lejon një liri që telefoni nuk e ofron:

▪ vizatoni shigjeta
▪ krijoni flluska idesh
▪ nënvizoni, ngjyrosni, lidhni
▪ lini hapësira bosh për frymëzim

Kjo do të thotë se truri juaj mendon në mënyrë hapësinore, vizualisht dhe në mënyrë kreative. Shumë nga njerëzit më kreativë në botë përdorin letër, sepse ajo është më fleksibile se çdo aplikacion. Nëse fletoren e mbushni me skica, vizatime të vogla, shigjeta dhe simbole - kjo është shenjë se mendoni në shtresa, jo në një vijë të vetme.

shutterstock

6. Nuk vareni nga miratimi i të tjerëve

Çdo gjë e shënuar digjitalisht ka potencial të ndahet. Edhe në nivel nënvetëdijeje – kjo ndikon në sinqeritet. Letra nuk ka publik. Kjo do të thotë se njerëzit që shkruajnë me dorë:

▪ nuk mendojnë si do t’u duket të tjerëve
▪ nuk kërkojnë pëlqim
▪ nuk e redaktojnë jetën si “përmbajtje”
▪ kultivojnë hapësirën e tyre të brendshme

Nga këndvështrimi psikologjik, kjo është tregues i motivimit të brendshëm dhe stabilitetit emocional. Ju shkruani për veten - jo që dikush t’ju “pëlqejë”.

7. Respektoni kujtesën dhe vazhdimësinë e jetës

Fletoret, agjendat dhe ditarët bëhen arkiv i jetës suaj:

▪ lista të vjetra
▪ shënime nga periudha të rëndësishme
▪ mendime nga kohë që nuk doni t’i harroni
▪ fjali të vogla që ju kthejnë pas në kohë

Shënimet digjitale janë më të lehta, por më kalimtare, shumica e njerëzve nuk i rishohin kurrë. Shënimi me dorë është gjurmë fizike, pjesë e biografisë.

Çfarë do të thotë kur thjesht “shkarravitni” në letër?

Shkarravitjet, vizatimet e rastësishme, rrethet, vijat, spiralet, katrorët - duken të parëndësishme, por psikologjia thotë se ato zbulojnë shumë për gjendjen e brendshme. Kur shkarravitni pa menduar, truri çlirohet nga ngarkesa. Shkarravitja aktivizon pjesën e trurit që merret me përpunimin e pavetëdijshëm të informacionit, prandaj njerëzit që shkarravitin shpesh mbajnë mend më mirë dhe përqendrohen më lehtë.

Kur vizatoni forma gjeometrike - kërkoni strukturë.
Katrorët, rrjetat dhe vijat tregojnë përpjekje për të vendosur rregull në mendime.

Kur vizatoni spirale - përpunoni emocione.
Spiralet janë shenjë e shpeshtë e tensionit të brendshëm, përpunimit emocional ose introspeksionit.

Kur vizatoni lule, fytyra, simbole – imagjinata është aktive.
Kjo tregon kreativitet, mendim vizual dhe “shëtitje” mendore nëpër ide.

Kur shkruani fjalë të rastësishme dhe fraza të copëzuara, mund të jetë shenjë e kreativitetit, një proces ku kërkohet zgjidhja që ende nuk është artikuluar me vetëdije.

Shkarravitja NUK është humbje fokusi. Përkundrazi, është valvul natyrale e trurit që ndihmon përqendrimin.

Shkrimi me dorë nuk është nostalgji, por superfuqi psikologjike

Në një botë që dëshiron gjithçka të jetë e shpejtë, sipërfaqësore dhe mund të fshihet lehtë, shkrimi me dorë dhe letra thonë të kundërtën:

▪ mendoj me ritmin tim
▪ ndiej atë që shkruaj
▪ mbaj mend çfarë ka vërtet rëndësi
▪ ruaj privatësinë time
▪ nuk vrapoj pas njoftimeve

Shkrimi me dorë është një akt i vogël, i heshtur rezistence. Është mënyrë për të mbetur i pranishëm, vetvetja dhe i lidhur me mendimet tuaja.

Nëse ende jeni personi që nxjerr fletoren, ndërsa të tjerët nxjerrin telefonin, nuk jeni prapa. Thjesht jetoni në një thellësi që bota digjitale ende nuk di ta arrijë. /Telegrafi/