Ndër intelektualët më në zë të viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar, Branko Merxhani, mbetet akoma një figurë plot të panjohura. Enigmatik ishte edhe për bashkëkohësit, të cilët hamendësonin për prejardhjen e tij familjare pa treguar ndonjë të dhënë të sigurt. Edhe krijimtarinë e tij nuk e kemi të plotë në duar. Vëllimi “Vepra” përmban publicistikën e tij në shqip të viteve ’20-’30, por asgjë të botuar përpara ose pas kësaj periudhe që ka interes për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për sa u përket dorëshkrimeve të Merxhanit, studiuesi Aurel Plasari ka shkruar në shtyp për një dorëshkrim kujtimesh, të titulluar “Tragjedia shqiptare”, i cili shpresojmë se do të botohet së shpejti.

Të panjohurat që rrethojnë jetën e Merxhanit nuk i kanë penguar interesin e studiuesve për mendimin e tij, madje edhe mund të kenë ngjallur më shumë kërshërinë e tyre, sikurse ka ndodhur edhe për autorët e tjerë bashkëkohorë që ishin “të ndaluar” gjatë komunizmit. Nuk kanë munguar as përpjekjet apo thirrjet për ta aktualizuar mendimin e Merxhanit, veçanërisht doktrinën e tij të “neoshqiptarizmës”.

Sipas publicistit dhe botuesit Ndriçim Kulla, “neoshqiptarizmën” sot duhet ta shohim si një tendencë njëherazi kombëtare dhe “oksidentalizuese”, tek e cila përveç Merxhanit e Vangjel Koçës, duhet futur edhe Konica, intelektualët e klerit katolik etj. Në një ese të botuar më 2002, ai shpreh keqardhjen se neoshqiptarizma ka mbetur një “model i braktisur” nga politikanët dhe intelektualët e sotëm shqiptarë që nuk kanë arritur të gjenerojnë një lëvizje autentike mendore për të orientuar shoqërinë shqiptare drejt demokracisë dhe integrimit në BE.

Duke pasur parasysh fakti se edhe sistemet e mendimit kanë historinë e vet, dhe se ato mund të vjetrohen e të tejkalohen, mbetet një çështje e hapur nëse (dhe në ç’masë) “neoshqiptarizma” e viteve ’20-’30 mund të shërbejë si model për shqiptarët sot. Sidoqoftë, për diçka mund të jemi të sigurt, për faktin se “neoshqiptarizma” e Merxhanit nuk ishte një sistem plotësisht autentik i mendimit, por në një masë të madhe e huazuar nga ideologjia e “turkizmit” e mendimtarit turk, Zija Gëkalp, Ziya Gökalp, (1876-1924). Përpara Merxhanit, Gëkalpi konceptoi një sistem ideor për të orientuar e udhëzuar komb-ndërtimin turk dhe modernizimin e shoqërisë turke, një sistem që do të kishte ndikim te politikat e ndjekura nga Ataturku. Të njëjtën ambicie duket se ushqente edhe Merxhani: për ta bërë neoshqiptarizmën udhërrëfyese intelektuale për Mbretin Zog dhe rininë shqiptare.

Gjithashtu, Merxhani në shtypin shqiptar argumentonte se disa prej reformave të Ataturkut mund të zbatoheshin edhe në Shqipëri. Ai i njihte mjaft mirë shkrimet e Gëkalpit, të paktën aq sa për ta imituar në krijimin e një ideologjie sintetike nacionaliste shqiptare. Atëherë kur Merxhani e përmend Gëkalpin në shkrimet e tij, e quan me respekt mentar të kombit dhe të rinisë turke, apo një ndër poetët e shpirtit kombëtar turk. Dy herë – më 1930 dhe më 1934 – ai u premton lexuesve se së shpejti do të botonte “një studim të gjatë mbi jetën dhe idetë e këtij turku idealist të madh”, por me sa duket nuk e ka realizuar, meqenëse nuk gjendet në vëllimin e publicistikës së ribotuar. Duke krahasuar publicistikën e Merxhanit me shkrimet kryesore të Gëkalpit, më poshtë do të vëmë në dukje në mënyrë skematike huazimet e neoshqiptarizmës prej turkizmit lidhur me këto tema: sociologjia e kombit, përkufizimi i kombit, ideali kombëtar dhe orientimi oksidentalist i modernizimit.

Sociologjia e kombit

Qëllimi i përbashkët për krijimin e solidaritetit kombëtar në shoqërinë përkatëse e ka shtyrë Gëkalpin dhe Merxhanin drejt sociologjisë së Dyrkeimit [Emile Durkheim]. Dyrkeimi e kupton shoqërinë si një rend moral, prandaj mungesën e normave e quan një patologji të përkohshme. Edhe pse moderniteti rrit specializimit e proceseve të punës dhe individët bëhen gjithmonë e më të dallueshëm nga njëri-tjetri, solidariteti nuk shpërbëhet, ai veçse shndërrohet në solidaritet të ndërvarësisë për plotësimin e nevojave.

Gëkalpi dhe Merxhani e vlerësonin shumë sociologjinë e Dyrkeimit dhe e merrnin si paradigmatike të shkencës shoqërore. Gëkalpi konsiderohet si themeluesi i sociologjisë turke. Ai i dha një ngjyresë kombëtare sociologjisë dyrkeimiane, sepse besonte se ishte detyra e sociologjisë të përcaktonte se në ç’gjendje ishin turqit dhe se çfarë u nevojitej atyre për të bërë pjesë ndër kombet moderne. Sipas tij, “sociologjia e një kombi është sinteza e disiplinave shoqërore që kanë të bëjnë me atë komb: gjuhësia kombëtare, etika kombëtare, jurisprudenca kombëtare etj.” Gëkalpi ndan të njëjtin besim me Dyrkeimin dhe me shumë intelektualë të tjerë të kohës në Europë se morali i shoqërive moderne duhet bazuar mbi shkencën, në vend të bashkësisë dhe fesë që ishin burimet e moralit në shoqëritë tradicionale.

Merxhani ishte popullarizuesi kryesor i sociologjisë në Shqipërinë e asaj kohe. Edhe ai, sikurse Gëkalpi ishte ithtar i një sociologjie kombëtare, sepse secili komb ka profilin e vet që e dallon prej të tjerëve dhe prandaj duhet të ketë sociologjinë e tij. Për Merxhanin, shpirti i shqiptarit është një zonë e panjohur që duhet zbuluar nga sociologjia, e cila ka për detyrë të shërojë sëmundjet shpirtërore të shoqërisë shqiptare. Që reformat qeveritare të kenë sukses, atyre duhet t’u prijë sociologjia e kombit: “Ne e konsiderojmë Sociologjinë – shkencën e shoqërisë – si fuqi më të nevojshme për aktivitetin tonë reformonjës. Sociologjia është ndihmuesja e parë e reformatorëve”.

Gëkalpi dhe Merxhani kritikojnë sociologjinë marksiste, që ata e njësonin me determinizmin material. Gëkalpi i ka kushtuar një artikull krahasimit të sociologjisë së Dyrkeimit me atë të Marksit, të cilin e ka titulluar “Materializmi historik dhe idealizmi sociologjik”. Edhe Merxhani ka shkruar një artikull mbi ballafaqimin e teorive të Marksit dhe Dyrkeimit, të titulluar “Materializma historike dhe idealizma”. Argumentimi i tij është i njëjtë me atë të Gëkalpit dhe që të dy shprehen në favor të sociologjisë së Dyrkeimit, të cilën e barazojnë me determinizmin idealist.

Përkufizimi i kombit

Çfarë është kombi? Gëkalpi i vuri vetes qëllimin që t’i përgjigjej me saktësi kësaj pyetjeje. Shumë nga bashkëkohësit e tij konceptin e kombit e lidhnin me bashkësinë fetare, me konceptin e kombit gjithëpërfshirës osman, ose me idenë e racës. Gëkalpi ishte i mendimit se kombi nuk duhej identifikuar me asnjërin prej këtyre, sepse sipas tij, “kombi është një grup social ose kolektiv që përbëhet prej individësh që kanë marrë edukim të njëjtë dhe që kanë të përbashkët gjuhën, emocionet, idealet, fenë, moralin dhe ndjenjat estetike”. Kombi rrjedh nga etnia, por është më i evoluar, sepse në kohët moderne solidariteti shoqëror nuk bazohet mbi farefisninë, por mbi bashkimin kulturor dhe edukimin. Edhe Merxhani mendonte njëlloj: edhe pse anëtarët e kombit mund të kenë prejardhje të përbashkët, faktori kryesor që e përcakton atë është mjedisi shoqëror. Ai shkruante se “një komb nuk është gjë tjetër përveçse një ndjenjë, një ide, një harmoni shpirtërore, një ‘kuptim shoqëror’”.

Përkufizimet e Gëkalpit dhe Merxhanit për kombet përkatëse ishin territorialë, pra shtrirja e kombit përputhej me kufijtë e shtetit ekzistues dhe të dy i kanë qëndruar larg ideve irredentiste dhe pan-nacionaliste. Edhe pse Gëkalpi shpesh është konsideruar si një prej teoricienëve të panturkizmit, duhet thënë se shkrime e tij për këtë temë kanë një natyrë morale, për t’u kujtuar turqve pasardhësit e tyre të ndritur.

Gëkalpi e dinte se pas disfatës që pësuan osmanët në Luftën e Parë Botërore projektet panturkiste ishin të parealizueshme dhe ai iu përkushtua farkëtimit të ndjenjës kombëtare në territoret e mbetura në Anadoll. Merxhani ndonëse përmend në shkrimet e tij “vise të ndryshme të Shqipërisë së lirë dhe të robëruarë”, prapëseprapë atë që ai e quan “problem pan-shqiptar” e trajton në funksion të nevojave të shtetit shqiptar. Konkretisht, ai shqetësohet se si “Shqipëria e dytë” e mërgimtarëve mund të japë ndihmesë në popullimin e Shqipërisë, në zhvillimin ekonomik të saj apo në marrëdhëniet me shtetet e tjera ku jetojnë shqiptarë. Për këto arsye ai sugjeron që Shqipëria të ndihmojë shqiptarët në vende të tjera që të mos shkombëtarizohen, por jo më shumë se kaq.

Fuqia e idealit

Gëkalpi i konsideron idetë si faktorë të ndryshimit shoqëror, vetë kur ato përqafohen nga grupet shoqërore. Në kohë krizash dhe rreziqesh, përfaqësimet kolektive fitojnë fuqi të madhe në mendjet dhe zemrat e njerëzve, duke u kthyer në ideale. Ideali më i lartë është nacionalizmi, i cili përmbledh në vetvete pavarësinë, zhvillimin dhe solidaritetin kombëtar. Ai del në pah atëherë kur kombi ka pësuar pushtimin, poshtërimin ose është ndodhur para një rreziku të madh. Në rrethanat të tilla individualitetet i nënshtrohen vullnetit të kombit dhe ky i fundit kthehet në idealin e gjithsecilin: “Kur një komb rrezikohet, individët nuk mund ta shpëtojnë. Kombi bëhet shpëtimtari i vetes. Në këto kohëra individi magjepset nga një shpirt mbitokësor; vullneti i tij hesht; një vullnet i përgjithshëm bëhet i vetmi “unë” në çdo ndërgjegje. Kombi atëherë u duket anëtarëve të tij si një ideal hyjnor apo kolektiv dhe i fton ata në një fitore apo parajsë të paralajmëruar”.

Kombi me ideale nuk vdes kurrë, sepse edhe kur dobësohet ai rigjenerohet me anë të hovit jetësor që i jep ideali. Këtu Gëkalpi huazon konceptin e elan vital të filozofit Henri Bergson. Hovi jetësor mishërohet te njerëzit e mëdhenj, apo gjenitë. Këta janë njerëz që me fuqinë e frymëzimit prej kulturës kombëtare kthehen në udhëheqës në çaste vendimtare: “Një gjeni është një person që përtej vullnetit të tij e kthen shpirtin e vet në një sipërfaqe pasqyruese të pushtetit të fshehur dhe krijues të kombit”. Mirëpo krizat nuk mund të vazhdojnë pa ndërprerje. Pasi kalon një krizë idealet nuk zhduken, por ruhen përmes simboleve kombëtare dhe përkujtimeve të epokave heroike. Edukimi i kombit kalon nga kriza te shkolla dhe këtu roli i edukatorëve dhe i sociologëve është i dorës së parë: “Jo çdo komb prodhon gjeni dhe këtu nuk ka asgjë për t’u turpëruar. Mirëpo, kombet pa sociologë dështojnë në planifikimin e drejtimit të tyre”.

Merxhani ndan të njëjtat mendime sikurse Gëkalpi në lidhje me idealet dhe gjeniun kombëtar. Idealet shfaqen në kohë të mundimshme për kombin: “Ideali është ajo jetë që rrojnë shoqëritë në epokat e krizës së tyre… Triumfi i Idealit është prova më e mirë e vitalitetit të një populli. Ideali njeriun që është prej natyre partikularist dhe egoist e nderron në një Vetëmohonjës guximtar, në një Altruist”. Edhe Merxhani e përvetësoi teorinë bergsoniane të “hovit jetik”. Ai këtë teori e shikon si kundërvënëse ndaj asaj të evolucionit. Nëse kjo e fundit privilegjon lëndën, e para ekzalton idetë. Gjithashtu, teoria e hovit jetik i shkon për shtat projektit të neoshqiptarizmit për krijimin e kombit shqiptar në kushtet e mungesës së një tradite shtetërore apo nacionaliste.

Merxhani teorinë e evolucionit e quan burim të fatalizmit, pesimizmit dhe dëshpërimit dhe ai u bën thirrje të rinjve që të kthehen nga mësimet e Bergsonit “me një të kërcyer shpëtimtar” si frymëzim për veprën e tyre krijuese kombëtare.

Drejt qytetërimit perëndimor

Misionet kombformuese të turkizmit dhe neoshqiptarizmit nuk mund të trajtohen të veçuara prej etosit modernizues. Gëkalpi dhe Merxhani me modernizim kuptojnë arritjet shkencore dhe teknologjike të kapitalizmit evropian. Në themel të mendimeve të tyre mbi modernizimin është dallimi midis kulturës dhe qytetërimit. Gëkalpi në artikullin “Kultura dhe qytetërimi” shkruan se si kultura, si qytetërimi përshijnë sferat fetare, morale, ligjore, intelektuale, estetike, ekonomike, gjuhësore dhe teknologjike të jetës shoqërore. Për këtë arsye, kultura dhe qytetërimi duken sikur janë identikë.

Por, ata ndryshojnë sepse, së pari, kultura është kombëtare, kurse qytetërimi ndërkombëtar. Ky i fundit është shuma e institucioneve që i kanë të përbashkët disa kombe që kanë arritur të njëjtin nivel zhvillimi. Së dyti, qytetërimi është një prodhim racional i veprimeve të ndërgjegjshme të njerëzve, kurse elementet kulturore janë produkt i shoqërisë. Shembulli që sjell ai është gjuha: ne nuk mund t’ia ndryshojmë me fuqinë e vullnetit kuptimin fjalëve të gjuhës sonë, apo rregullat e saj; nëse shpikim terma apo i huazojmë nga gjuhë të tjera, ato mund të bëhen pjesë e gjuhës nëse pranohen nga shoqëria.

Edhe Merxhani ka botuar një artikull me titullin “Kultura e qytetërimi”, i cili nuk bën tjetër veçse përsërit argumentimet e Gëkalpit mbi ngjasimet dhe dallimet midis kulturës dhe qytetërimit. Merxhani shkruan se kultura dhe qytetërimi “përmbajnë tërësinë e socialitetit të turmave njerëzore, ku hyjnë jetët shoqërore, fetare, ligjore, estetike, ekonomike, gjuhësore dhe shkencore”. Pikat e dallimit, sikurse edhe te Gëkalpi, janë tipari ndërkombëtar i qytetërimit dhe artificialiteti i tij. Edhe ai, si Gëkalpi, sjell shembullin e marrëdhënies së gjuhës me termat: “provën e parë të kulturës e shohim në fjalët e gjuhës, kurse termat e reja që shpiken na japin provën e parë të qytetërimit. Fjalët janë institucione shoqërore, kur se termat e ra janë instalime individuale”.

Për një komb ka më shumë rëndësi kultura e shëndoshë, sepse në përballimin midis një populli me kulturë të shëndoshë, por me qytetërim të kalbur me një popull tjetër që ka një kulturë të dobët, por qytetërim të shëndoshë, del i fituar i pari. Gëkalpi dhe Merxhani sjellin shembujt e mposhtjes së egjiptianëve prej persëve, të persëve prej grekëve, të grekëve prej maqedonasve, të maqedonasve prej romakëve. Moderniteti është mbizotërimi i fuqive perëndimore në tërë botën, prandaj, thotë Gëkalpi, për turqit nuk ka shumë hapësirë për të zgjedhur: “Ose të zotërojmë qytetërimin e Perëndimit, ose të zotërohemi prej Perëndimit: duhet të zgjedhim midis këtyre alternativave”. Edhe Merxhani shkruan me të njëjtën frymë: “Jemi të shtrënguar me dashje e pa dashje të ecim për në Oksident”.

Përfundim

Misioni që i vunë vetes Gëkalpi dhe Merxhani nuk ishte më pak se sa hartimi i një udhëzuesi teorik për kombet e tyre në rrugën e qytetërimit modern. Republika e Turqisë dhe shteti shqiptar u formuan në kohën e apogjeut të nacionalizmit, kur shteti kombëtar u bë mbizotërues në Europë pas shpërbërjeve të perandorive humbëse në Luftën e Parë Botërore. Të ndikuar nga sociologjia e Dyrkeimit dhe filozofia e Bergsonit, Gëkalpi dhe Merxhani u përpoqën që të krijonin lëvizje kulturore nacionaliste, të konceptuara njëkohësisht edhe me themele shkencore. Ata kishin besim se sociologjia do të shërbente për të harmonizuar kulturën kombëtare me qytetërimin modern. Megjithëse Merxhani asnjëherë në artikujt e tij nuk i përmend huazimet nga Gëkalpi, nga sa paraqitëm më sipër duket qartë ndikimi nga teoricieni nacionalist turk.

Mund të themi se Merxhani ka bërë një përshtatje të turkizmit të Gëkalpit për kushtet shqiptare. Njohja me thellësi e sistemit të Gëkalpit dhe e sukseseve të arritura nga Ataturku, e kanë bindur Merxhanin se një sistem i ngjashëm mund të zbatohej edhe në Shqipëri. Duke u mbështetur tek argumentet e Gëkalpit, ai ndiente se po ecte në një rrugë të shkelur dhe të sigurt, paçka se nuk duhej përmendur emri i mentorit, ndoshta për të mos dëmtuar autencitetin e neoshqiptarizmit.