LAJMI I FUNDIT:

Nëna Tereze – jetë për t’u kujtuar dhe dëshmi për t’u imituar

Nëna Tereze – jetë për t’u kujtuar dhe dëshmi për t’u imituar

Ne si shqiptarë, të krishterë apo myslimanë, Nënën tonë Tereze e kemi njohur mjaft vonë, diku viteve të ‘80-ta të shkullit të kaluar, pas Çmimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979), edhe pse revista jonë fetare dhe kulturore “Drita”, prej numrit të parë për Pashkë 1970, pothuaj në çdo numër ka shkruar dhe botuar vështrime, lajme, ngjarje që lidhën për jetën dhe veprën e saj në Kishë dhe në botë.

Sipas mendimit dhe vlerësimit tim, lidhja me Nënën Tereze ka pasur këto pesë faza jetësore: njohjen, nderimin, falënderimin, së fundi edhe përshpirtërinë dhe kultin, imitim dhe përngjasim i saj në jetën tonë të krishterë dhe kombëtare. Pas njohjes kemi ardhur deri te nderimi dhe falënderimi, me emërtimin e shkollave, shesheve, rrugëve, institucioneve kulturore dhe shëndetësore, me ngritjen e shtatoreve në Kosovë dhe më gjerë. Hap i rëndësishëm, ndoshta edhe vendimtar, për krijimin e përshpirtërisë dhe të kultit, të imitimit, është edhe ndërtimi i Shenjtërores dhe katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, bekimi dhe shugurimi i saj, si dhe ndërtimi i kësaj kishe dhe qendre në Dugujevë kushtuar Shën Nënës Tereze nga ana e famullitarit të atëhershëm të Gllaviçicës, tashmë të ndjerit Don Gjergj Gjergjit.


Nënën Tereze Bojaxhiu e kam takuar shumë herë gjatë njohjes, shoqërimit dhe bashkëpunimit me të, në meridianët të ndryshme të botës, që nga takimi im i parë personal në Romë më 29 mars 1969. Unë atëherë isha student i vitit të dytë të filozofisë në Universitetin “Urabanian”. Atë e kam shoqëruar në pesë vizitat e saja në Kosovë dhe në Maqedoninë Veriore, 1970, 1978, 1980, 1982, 1986; isha me të gjatë Shpërblimit Nobel për Paqe, në Oslo (10 dhjetor 1979); në shumë vende të Evropës Lindore; sidomos në Kalkutë dhe në rrethinë ( dhjetë ditë, 1989)…

Çdo takim ishte si i pari dhe i fundit, që më bënte përshtypje thjeshtësia, çiltëria, mirësia, bujaria, duresa, shenjtëria, kujdesi dhe dashuria për të varfër ndër më të varfër, të gërbulur, ata që askush nuk i donte, sidomos kujdesi, vëmendja, shërbimi dhe dashuri shembullore për çdo njeri, aftësia e saj për të vuajtur dhe vepruar për kthimin e dinjitetit dhe personalitetit bazik të çdo njeriu, veçmas të atyre në buzë të vdekjes, për të gërbulur dhe të përjashtuar, për mbarë njerëzimin.

Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës:

• Tradita dhe përvoja kombëtare ilire, arbërore, shqiptare, në familje dhe në famulli, që mbështetet në këto parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”; “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”;
• Përvoja dhe jeta e dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, porosia e Jezusit i cili identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjlit, e bëtë për mua” (Mt 25, 40);
• Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë. Me 17 libra kushtuar Nënës Tereze, të përkthyera në shumë gjuhë botërore, jam munduar t’i dokumentoj dhe argumentoj këto dy burime të pashtershme për Nënën Tereze: Zotin – dashuri dhe vëllaun apo motrën njeri.

Nëna Tereze është paradigmë e interkulturalizmit, shkëmbimit dhe pasurisë gjithnjerëzore, sepse ajo na ka mësuar dhe dhuruar pesë shkallë themelore të lidhjeve dhe marrëdhënieve ndërnjerzore, si parakusht thelbësor për takim, bisedim, dialog, komunikim dhe bashkim.

1. Për Nënën Tereze, çdo njeri është para së gjithave Njeri, si unë dhe si ti, pra, me dinjitet dhe personalitet që duhet ta çmojmë, nderojmë, pranojmë, pa asnjë përjashtim etnik, gjuhësor, gjinor, kastor, fetar, ashtu si është, në kërkim të mirës, vërtetës, jetës, mirësisë dhe dashurisë universale.

2. Hapi i dytë i Nënës Tereze është edhe më cilësor dhe përmbajtësor: çdo njeri është Vëllai apo Motra ime, sipas mësimit dhe frymëzimit të krishterë. Feja matet nëpërmjet dashurisë, dhe dashuria për Zotin kalon nëpër “shkallët” e dashurisë për kryeveprën e tij, njeriun. Nëse Zoti është Krijuesi dhe Shpëtimtari i çdo njeriu, pra, i njerëzimit, atëherë ne duhet ta shohim, njohim, duam dhe shërbejmë çdo njeri – si vetë Zotin.

3. Kjo bindje, përcaktim dhe orientim i Nënës Tereze, sjell të shkalla e tretë: çdo njeri nuk është vetëm njeri, Vëlla apo Motër, por vetë Jezu Krishti, dhe çka do që bëjmë, ana pozitive, apo nuk bëjmë, ana negative, për Njeriun, bëjmë apo nuk bëjmë, për vetë Zotin. Ky është vlerësimi i Zotit për jetën dhe veprimtarinë tonë, tani dhe në amshim. Masa e Zotit është vetëm një – dashuria, si dhe gjuha e Zotit, është po ashtu një – ajo e dashurisë. Jemi të lumtur vetëm kur jetojmë në dashuri – marrim dhe japim dashuri njëri-tjetrit.

Prandaj, Dashuria është sinonim i Zotit, do të duhej të ishte edhe i njeriut.

Këto pesë shkallë, të mbështetura në takim, bisedim, dialog, komunikim dhe bashkim në dallime, kanë krijuar dy shtyllat bazike të jetës dhe veprës së Nënës Tereze: kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë. Pa këtë dy elemente thelbore, nuk ka interkulturim, integrim, harmoni mes njerëzve, etnive, feve, botëkuptimeve të ndryshme, në krijimin e asaj që është detyra dhe mundësi për të gjithë: bashkimi në dallime. Ose do ta synojmë dhe krijojmë këtë, ose do të rrëshqasim në skajshmëri të ndryshme, gjithmonë në dëm tonë dhe të tjerëve.

Pa takime, bisedime, dialogje, komunikime dhe bashkime në dallime, mendjen tonë e ngarkojnë dhe robërojnë paragjykimet, vlerësimet intuitive, tashethënat, përgojimet, ngurrtësia e mendjes dhe akulli i zemrës, kështu që jetojmë pa ndonjë shije dhe kuptim, domethënie, kënaqësi, lumturi, mbi të gjitha pa dashuri.

Bota e sotme nuk është e lirë nga robëritë e ndryshme, dhe si e tillë, as e mirë, sepse mungon hapësira e jetës së përbashkët, njerëzimi në kohën tonë është i robëruar nga pesë “diktatorë” të pavetëdijëshëm, që janë: materializmi, konsumizmi, hedonizmi, relativizmi dhe ateizmi praktik, që rrënojnë vlerat dhe virtytet njerëzore, morale dhe fetare, me këtë vetë njeriun, duke ia marrë “frymën” e shpirtit, qenësoren, thelbësore, kryesoren, të Vërtetën dhe Dashurinë.

Nëna Tereze me jetën dhe veprimtarinë e saj të bujshme, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe përmbajtjen e interkulturit universal, duke u bërë dhe mbetur rrugë, frymëzim, paradigmë e një botës së re, më njerëzore, ku ka vend, hapësirë, mbi të gjitha kujdes dhe dashuri për të gjithë.

Ja pesë pikat dhe risitë kryesore të jetës dhe veprimtarisë së Nënës Tereze për ne dhe për mbarë njerëzimin.

Risitë dhe porositë e Nënës Tereze për ne:

1. Feja – kërkim, shpresa – veprim dhe dashuria – flijim dhe dhurim: Ndër risitë më të rëndësishme që kam hetuar unë janë këto: feja – që për Nënën Tereze ishte kërkim i Zotit në Njeriun dhe i Njeriut në Zotin, në çdo fazë të jetës së saj dhe për çdo njeri pa dallime dhe përjashtime. E kishte kërkuar Zotin dhe thirrjen, planin e tij prej moshës 12 deri 18 vjeçare, kur kishte vendosur plotësisht t’i kushtohet atij: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfrit e botës” (Letnicë, 14 gusht 1928). Gjatë 18 viteve si “Motër e Loretos”, dhe së fundi prej vitit 1950 e deri te kalimi në amshim, 5 shtator 1997. Kurrë nuk e ka ndarë Zotin prej Njeriut dhe Njeriun prej Zotit dhe mu për këtë jetonte me Zotin dhe për Zotin, me Njeriun dhe për Njeriun.

Shpresa – veprim, gjithnjë dhe kudo, me dashuri dhe për dashuri, me parimin: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne.”

Dashuria – flijim dhe dhurim pa kursim për t’u bërë dhe mbetur Nëna e Dashurisë, sipas tri parime të shenjta: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim.” “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.” “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes.”

2. Nëna universale – universalizmi i jetës dhe dashurisë: Misioni i Nënës Tereze është Dashuria, vend-veprimi është bota, mbarë njerëzimi, metodologjia është dëshmia e krishterë, qëllimi është lehtësimi dhe pakësimi i vuajtjeve, mënyra është pjesëmarrja e plotë dhe e lirë në jetën e tyre, të privilegjuar janë të braktisurit dhe të dëbuarit e botës.

Risia e dytë e Nënës Tereze ishte universalizmi në çdo kuptim dhe drejtim kohor dhe hapësinor në dy parime themelore: Për Zotin – dashuri dhe Njeriun – vëlla apo motër, pra, i jetës dhe dashurisë. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur dhe zbatuar një vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, agnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë. Ajo nuk kishte për qëllim kthimin e të tjerëve në fenë e krishterë, në Kishën Katolike, por “që të jetë në mesin e tyre rrezja e Pranisë dhe e Dashurisë së Zotit, që t’ ua dhurojnë të gjithëve Zotin – dashuri – Atë.”

Qëllimi i saj, pra, ishte diçka tjetër, dashuria dhe prania e Zotit në botën e sotme, sidomos ndër të varfrit më të varfër, të braktisur, të gërbulur, njerëz të përbuzur dhe të përjashtuar nga jeta e rëndomtë, për të drejtën më madhe dhe shenjte: për lumturi dhe dashuri.

Kjo nevojë, e drejtë, mundësi, detyrë, synim, qëllim, sot shkelet anekënd botës me shumë mënyra dhe mekanizma, duke mos e kuptuar dhe pranuar se dallimet janë begati, pasuri, përplotësim, mundësi pozitive dhe konstruktive për të gjithë.

3. Vuajtja – bekim e jo mallkim: Risia e tretë e Nënës Tereze është kjo: vuajtja, pësimi, mjerimi, varfëria, gërbula, Sida, si dhe çdo pësim tjetër, nuk është mallkim, dënim i Zotit, por hir, mundësi për ta treguar dashurinë ndaj Jezusit që vuan në njerëz të tillë. Ajo thoshte kështu: ”Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim. Kur nuk kam asgjë, atëherë jap gjithçka, sepse dhuroj vetveten”

4. Dhurim falas dhe në tërësi: Risia e katërt e Nënës Tereze është dhurimi falas dhe në tërësi, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: ”Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëre këtë punë me zemër, ose mos e bën aspak!”.

Dhe vazhdon kështu: ”Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit … Jepe pjesën më të mirë të vetvetes, zemrën, dashurinë…”

Dhe ja, prapë mrekullia e dashurisë dhe e shenjtërisë: Më e varfra e botës, Nëna Tereze, më së shumti i ka ndihmuar të varfrit e botës, jo vetëm në anën materiale, por edhe më tepër në atë shpirtërore, sepse është dhuruar falas dhe tërësisht, me gëzim dhe me dashuri të plotë Zotit nëpërmes njeriut.

5. Kontemplative – aktive në botë: Risia e pestë e Misionareve të Dashurisë është kjo: të jenë kontemplative aktive në botë. Kjo do të thotë të jenë tërësisht të kushtuara Zotit në lutje, meditim, adhurim, pendesë, dhe si pasojë e kësaj jete shpirtërore, të jenë edhe aktive në botë me dashuri vepruese.

Kontemplative – aktive domethënë ta kërkojmë, gjejmë, shërbejmë Zotin jo vetëm në çaste të kushtuara atij, në jetën tonë shpirtërore, por gjithkund dhe gjithnjë, pikërisht me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë.

Nëna Tereze thoshte: ”Nëse e njohim, duam, adhurojmë, ushqehemi me Jezu Krishtin vetëm në meshë, në Kungim, është tepër pak. Ne lutemi, meditojmë, adhurojmë, marrim pjesë në meshë, e marrim Jezusin në Kungim në zemër për ta vazhduar këtë kërkim dhe shoqërim me të në përditëshmëri. Nëse e gjejmë dhe shërbejmë Jezusin në të varfrit tanë, atëherë jemi kontemplative në mesin e botës.. Prej Jezusit në Eukaristi, kalojmë në Jezusin Vëlla apo Motër – Njeri…”

Ndërsa bashkësitë tjera rregulltare ndahen në dy kategori, aktive apo vepruese në botë, nëpër famulli, shkolla, spitale, institucione të ndryshme, dhe kontemplative, të mbyllur dhe të kushtuar tërësisht vetëm jetës shpirtërore, Nëna Tereze ka gjetur modelin e ri që këto dy lloje jete dhe kushtimi të bashkohen në një me harmoni dhe veprimtari mahnitëse.

Për këtë Nëna jonë Tereze ishte dhe gjatë do të mbesë “Ungjilli i gjallë”, risia ungjillore dhe “Misionarja e Dashurisë”, Nëna e botës së mjerimit, tash Shenjtëresha e Dashurisë.

Ajo bindshëm ka dëshmuar që krijimi i njeriut, familjes, shoqërisë së re, është i mundshëm dhe ka dy shtylla, binare, orientime: Zotin dhe Njeriun, kurse mënyra e realizimit është prapë e dyfishtë: feja dhe dashuria.

Të besosh në Zotin, e mos të besosh në njeriun, është utopi, vetëmashtrim, tradhti, si dhe ta duash Zotin, e mos ta duash Njeriun, është lëshim gabim, mëkat.

Me Zotin Dashuri dhe Vëllain apo Motrën Njeri – çdo gjë është ndryshe, më e mirë, më njerëzore, më e bukur, burim lumturie dhe frymëzim dashurie.