LAJMI I FUNDIT:

Nëna e ukrainases dyshon se vajza e saj është vrarë – nga Prokuroria e Ferizajt thonë se po presin raportin e autopsisë

Nëna e ukrainases dyshon se vajza e saj është vrarë – nga Prokuroria e Ferizajt thonë se po presin raportin e autopsisë

Një ukrainase rreth 23-vjeçare, me 21 shkurt ishte gjendur e vdekur në autostradën “Arben Xhaferi”, në rrethana të dyshimta.

Gati dy muaj pas rastit, ende nuk ka persona të dyshuar.


Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Vjosa Baftiu, ka deklaruar shkurt për Telegrafin, se janë duke pritur raportin e autopsisë dhe se nuk mund të japë detaje të tjera.

“Momentalisht jemi duke pritur raportin e autopsisë, për momentin, nuk ka të dyshuar në lidhje me rastin”, u shpreh Baftiu.

Ndërkaq, Natasha Kozij, nëna e viktimës, Olena Kozij, ka thënë për Telegrafin, se rasti është duke u neglizhuar nga prokuroria i rastit.

Ajo dyshon se vajza e saj u vra.

“Mjafton të shikoni kamerat e vëzhgimit të shtëpisë ku jetonte vajza juaj dhe kamerat e vëzhgimit në pikën e karburantit ku ajo ishte më 21.02.24 dhe gjithçka do të jetë e qartë”.

“Por prokuroria dhe policia nuk duan ta bëjnë këtë, dhe për disa arsye e injorojnë atë”, u shpreh ajo.

Natasha ka treguar se ka biseduar edhe me prokurorin e rastit. Duke ditur se nuk kupton anglisht, thotë se ka kërkuar një përkthyes.

Vdekja e mistershme e 23-vjeçares ukrainase në autostradën "Arber Xhaferi", nëna e saj ka një kërkesë për shtetin e Kosovës
Lexo po ashtu Vdekja e mistershme e 23-vjeçares ukrainase në autostradën "Arber Xhaferi", nëna e saj ka një kërkesë për shtetin e Kosovës

“Kam folur me prokurorin që po e trajton këtë çështje. Folëm me një përkthyes, por ai thotë se nuk më kupton. Ose nuk dëshiron të kuptojë”, tha Kozij.

E pyetur nëse gjatë komunikimit me të bijën ka kuptuar ndonjë shqetësim, ajo tha se ajo kishte humor të mirë dhe se nuk ka pasur probleme me askënd.

Madje, thekson se në mars do të kthehej në Ukrainë.

“Vajza ime nuk kishte fare probleme. Ajo do të kthehej në shtëpi në mars 2024. E prisnim në shtëpi. Fatkeqësisht, nuk prita”, u shpreh Kozij./Telegrafi/