Nën hijen e shtatoreve “këndej Vardarit”
Ku do të vendosen Nexhat Agolli dhe Pjetër Bogdani apo figurat e tjera që herë përfolën nga burime partiake e herë tërhiqen pasi i nxjerr dhëmbët Gruevski. A thua do të vendosen në sheshin e Shkupit, pasi këndej urës ua zunë vendin krijuesit e alfabetit cirilik të maqedonasve “antik”. Edhe sikur të besojmë se këto shtatore do të vendosen, mendoja me vete se do të vendosen nën kuajt e Goce Dellçevit dhe Dame Gruevit apo nën prapanicën e kalit të “Aleksandrit”? Apo ndoshta do t’i vendosin përballë luanëve të VMRO-së, se ndoshta edhe shtatoreve të tyre dikush ua ka frikën dhe do të dëshironte ti frikësojë duke i rrethuar me “llava”?
Ishte e hënë, dita e parë e javës, dhe nga ditët më të nxehta që vazhdojnë të jenë gjatë gjithë javës. Kisha përfunduar orarin e punës dhe kërkoja zgjidhje sa më të shpejtë për t’u kthyer në Tetovë. Nën presionin e diellit, i cili më dukej se më ndiqte edhe kur tentoja të fshihem nën hijet e druve, arrita disi ti afrohem Urrës së Gurit, për të dalë më shpejt matanë Vardarit, ku e dija që më priste edhe një betejë me temperaturat e larta, por shpresoja që do të përfitoja në kohë. Kalova Urën e Gurit, por kësaj radhe pash një ndryshim dhe fillova të dyshoj pse mu duk kështu? Ndoshta e kisha ngase kishte ditë që s'kisha kaluar andej, apo ndoshta dielli më kishte humbur orientimin.
Përderisa kërkoja arsyet e këtij dezorientimi, sillesha duke shikuar katër trupa të mëdhenj të gdhendur dhe të lyer me të zezë, që kur i godiste dielli dinin edhe të ndërrojnë ngjyrën, saqë më bënin edhe të dyshoj mos vallë këta janë shenjat e para të daltonizmit. Këta trupa aty kishin zënë vendin e furgonëve dhe taksive që disa herë i shfrytëzoja për t’u kthyer në Tetovë. Kisha dëgjuar që më parë aty vinin inspektorët e Ministrisë së Transportit për t’i gjobitur taksitë sa herë që arka e shtetit afrohej kah fundi, dhe kështu disa nga taksi vozitësit kishin arritur gjoba në mbi 10 mijë euro dhe vazhdonin të punojnë, të vetëdijshëm se në gjendje të vështirë ekonomike dënimin do ta paguanin vetëm me burg. Thash me vete: meqë gjobat e mëdha nuk kanë arritur t'i frikësojnë këta taksi vozitës, që shteti i quan ilegal, ministri i Transportit dhe Lidhjeve paska vendosur t'i frikësojë me shtatore, ashtu siç në fushat e grurit i frikësojnë sorrat me alabak.
Më erdhi një e qeshur kur mu duk se vërtetë kishin arritur ti frikësojnë taksistët me katër statuja, pasi pash vetëm 2-3 furgonë të zbrazët dhe asnjë vozitës të tyre. Por, heshtjen dhe thellimin në dilemat shekspiriane, e ndërpreu një zë që më thoshte: “A je për n’Tetovë?”. Shikova përreth dhe meqë s’pashë njeri të flet me mua u zhyta përsëri në dilemat që s'donin të ma lirojnë kokën. A thua përsëri e kam nga dielli dhe më vijnë zëra, apo më flasin këta trupa të stërmëdhenj që fillova të besoj se ndoshta janë alabak të maskuar si njerëz. Ktheva kokën dhe pash njërin nga taksi vozitësit i cili ishte fshehur pas njërit nga këta trupa, në krahun e majtë të Urës së Gurit dhe më sinjalizonte me dorë. Duke u drejtuar kah ai, syri më kapi një tablo që s'mund t'i ikte as syri në gjumë, ku shkruante “Shën Kirili dhe Metodi”. Atëherë e kuptova se kush qenkan këta dy trupa në krahun e majtë të Urës së Gurit dhe kjo më shtyri të lexoja më pas se dy trupat e tjerë ishin “Shën Klimenti dhe Naumi i Ohrit”.
Një dilemë mu hoq e më lindi tjetra, çfarë kërkon vozitësi i furgonit pas këtyre shtatoreve? “Eja këtu nën hije, më duhen edhe katër vetë edhe nisemi”, ma priti vozitësi i cili ikte nga dielli më shumë sesa që ikte dikur nga inspektorët. Por, kësaj radhe kishte ikur nga të dyja, edhe nga dielli edhe nga inspektorët të cilët prisnin te pika e pagesës së parkingut më përtej. U ula dhe unë bashkë me vozitësin dhe disa udhëtarë të tjerë që prisnim të mblidhemi në numër sa nevojiteshim për të mbushur furgonin dhe të nisemi menjëherë për Tetovë. U ula dhe filloja të mendoj për dy shtatoret që u kishte ardhur radha në kuadër të projektit “Shkupi 2014”.
Ky projekt filloi të realizohet, me sukses të paparamenduar edhe atë. Katër themeluesit e alfabetit cirilik kishin lënë sheshin e Shkupit dhe kishin kaluar Urën e Gurit për t'ju treguar të gjithë atyre që deri dje e ndanin Shkupin në “këndej dhe andej Vardarit”, se ky qytet nuk ka këndej dhe andej, nuk është i këtyre dhe i atyre, por vetëm i “ATYRE”. Dëshmuan se për atë kush dhe ku do të ngritet, nuk vendosin as protestat e studentëve të arkitekturës, as kërcënimet e “Molla Sulës”, as namazi që s'arriti të falet nën “predikimin” e Ramadan Ramadanit (që s'arrij t'ia mësoj kurrë titullin: kryetar botuesish, ekspert i kulturës, analist politik, shpëtimtar i xhamive, imam, poet, NGO-ist apo...). Aq më pak, pozitën e Kirilit dhe Metodit kishin arritur ta frikësojnë shqiptarët që ju ka buzëqeshur fati të ulen në kolltuqet e Qeverisë dhe Parlamentit.
Kjo dëshmoi se punët dhe “patriotizmi” bëhet me vepër e jo me fjalë. “Aferim Nikolla”, e bëre tënden, por ç’të themi për bashkëqeverisësit e kryeministrit i cili po realizon çfarë të sheh në ëndërr edhe një aktivist më i thjeshtë, e këta të dalldisurit pas integrimeve, nuk arrijnë të realizojnë as projektet e tyre më të rëndësishme, më të lira dhe më të lehta. Kompromis me tre figura shqiptare, përkrahë mbi 80 skulpturave që do të pushtojnë Shkupin. Kompromisi u bë, por kur do të bëhen veprat. Jemi të shpejtë për kompromis dhe e arrijmë atë përpara se të na kërkojë pala tjetër. Ndoshta Gruevski do të kishte më shumë mëshirë dhe do të na ofronte nja 5-6 shtatore, por ne nuk e lamë të brengoset kryeministrin tonë dhe ia lehtësojmë duke u pajtuar vetë me tre skulptura që ende s'ua dimë vendin ku do të ngriten.
Ku do të vendosen Nexhat Agolli dhe Pjetër Bogdani apo figurat e tjera që herë përfolen nga burime partiake e herë tërhiqen pasi i nxjerr dhëmbët Gruevski. A thua do të vendosen në sheshin e Shkupit, pasi këndej urës ua zunë vendin krijuesit e alfabetit cirilik të maqedonasve “antik”. Edhe sikur të besojmë se këto shtatore do të vendosen, mendoja me vete se do të vendosen nën kuajt e Goce Dellçevit dhe Dame Gruevit apo nën prapanicën e kalit të “Aleksandrit”? Apo ndoshta do t’i vendosin përballë luanëve të VMRO-së, se ndoshta edhe shtatoreve të tyre dikush ua ka frikën dhe do të dëshironte ti frikësojë duke i rrethuar me “llava”?
Ngrita pak kokën për të parë matanë Vardarit dhe po shikoja se gjithkund instaloheshin kabllo të rrymës, bazamenti i fontanës dhe bazamente për të gjitha shtatoret dhe nuk pash asnjë bazament të veçuar nga ata që ishin planifikuar me projektin famoz “Shkupi 2014”. Ktheva kokën pas dhe fillova të shikojë mos kanë bërë ndonjë vend për t’i rikthyer shqiptarët aty diku rreth Skënderbeut. Në atë lagje ku dikush rreh gjoks se ka ngritur një Muze i cili vazhdon të figurojë si ndërmarrje private dhe jo institucion kulturor apo historik. Kështu vazhdoja të vras mendjen se si Kirili dhe Metodi bashkë me Klimentin dhe Naumin kishin marrë guximin për të kaluar Urën e Gurit dhe për të treguar se edhe këndej kanë hise ata, e Nexhat Agollit e Pjetër Bogdani vazhdojnë të shfrytëzohen në kuadër të kësaj kampanje para zgjedhjeve që sipas të gjithë treguesve do të mbahen në pranverë të vitit të ardhshëm, ose edhe më shpejtë.
Derisa vrisja mendjen se si ramë në dy-tre figura shqiptare dhe për ata nuk mundemi të gjejmë vend, ndërsa të tjerë vijnë dhe ua zënë vendin edhe “këndej Urës”.



































