Pesë shekuj e gjysmë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut do të kremtohen këtë vit nga shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve të tyre. Por, a do të jetë ky kremtim në lartësinë e merituar? Nuk mund të paragjykohet, aq më tepër që dëshira është për më të mirën nga institucionet dhe individët, paçka se e mbara do të ishte që Viti i Skënderbeut të mos shpallej vetëm nga qeveria e Shqipërisë, por me një vendim të përbashkët me qeverinë e Kosovës. Nëse kjo nuk mund të ndodhte gjysmë shekulli më parë, në vitin 1968, tani ishte krejt e mundur.
Madje, dhe mund të “korrigjohet” disi, duke u marrë dhe një tjetër vendim, kësaj here i dy qeverive, që mund të ishte kalendari i përbashkët i veprimtarive kryesore etj.. Se nuk do të ketë kuptim, ta zëmë, të zhvillohen dy sesione shkencore, një nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe një tjetër nga ajo e Kosovës, po një i përbashkët. Ashtu siç Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të organizojnë së bashku veprimtarinë “Figura e Skënderbeut në letërsi”.
Ndërkohë, një komision i ngritur nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë për këtë kremtim madhor në linjën e kishës katolike, duke synuar gjithëpërfshirjen, ka propozuar dhe një konferencë shkencore jubilare në Prishtinë në nëntor, në bashkëpunim me Ipeshkvinë e Kosovës, duke ngarkuar që tani studiues të mirënjohur të lëmit të historisë të kërkojnë dokumente të panjohura në arkivat e Vjenës, Dubrovnikut, Romës, Stambollit, Ankonës, Napolit etj..
Për figura të përmasave të Gjergj Kastriotit e Nënë Terezës nuk mund të ketë vetëm qasje shtetërore, por gjithëinstitucionale e mbarëkombëtare, apo dhe për figura të tjera të shquara të kombit, që zakonisht iu kushtohet një vit, si Gjon Gazulli, Pjetër Bogdani, Ismail Qemali, Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Fan Noli, Faik Konica, Shtjefën Gjeçovi, Aleksandër Moisiu, Ismail Kadare, Musine Kokalari, Ibrahim Rugova etj..
Janë praktikë e njohur tashmë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, po për çfarë më parë se për ngjarje historike kulmore, apo për unifikime në rrafshin arsimor e kulturor kombëtar, mund të bashkëpunohet? Kanë rëndësinë e vet programet e përbashkëta të shkëmbimeve tregtare, zhvillimit të agroturizmit, lehtësimit të procedurave doganore etj., por “përbashkimi” kulturologjik amtar është i pari. Ndaj. është rasti që të gjitha institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës të bëhen një për Heroin Kombëtar, dy presidentët, dy qeveritë, dy palë diplomacitë.
Shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi. Arbëreshët e Italisë. Shqiptarët e Diasporës. Duke qenë i mirëpritur dhe një unifikim i simbolikave, logove, që do të prodhohen me këtë rast. Bile, mund të kishte dhe një këshill koordinues mbarëshqiptar të kremtimit të 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nuk do të vlente protagonizmi i askujt në këtë gjë. Politika nuk mund të fitojë kapital dhe këtu.
Do të ishte e padëshiruar që lidhur me Heroin Kombëtar të kishte dy axhenda, njëra e qeverisë dhe tjetra e Presidentit, në Tiranë apo në Prishtinë. Shqiptarët i bëri bashkë lufta, viti tronditës 1999, kur kosovarët e dëbuar nga trojet e veta u strehuan vëllazërisht në Kukës, Tiranë e gjer në Sarandë, e si të mos i bëjë bashkë kryekrenaria e së shkuarës? Siç është prej vitesh dhe Rruga e Kombit një arterie ndërlidhëse e vëllezërve të një gjaku dhe e vlerave të ndërsjella mes tyre.
Ashtu përmendoret e Skënderbeut që, si në Tiranë e Krujë, lartësohen dhe në Prishtinë, Shkup, Dibër të Madhe etj.. Ka kohë që shqiptarët këndej me ata andej Morinit shkojnë e vijnë lirisht te njëri-tjetri në dasma, festa, tubime letrare, kulturore, turistike etj., çka do të thotë se janë përbashkuar librat, këngët, vallet, urimet. Nuk ka më “doganë” për këto. Aq më pak. do të ketë këtë vit, kur na ka thirrur kryezoti ynë i Motit të Madh të festojmë e të reflektojmë.
Ndër shumë përbashkime të këtij viti emblematik, në Lezhë, në maj, krahas grupeve nga Shqipëria, Kosova, shqiptarët e Malit të Zi e të tjerë, do të mbërrijë dhe një grup folklorik arbëresh, si dëshmi e asaj që kurrë atje nuk u bjerr kujtimi lavdimadh i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Veçse ajo që është arritur në nivel “popullor”, nuk ka arsye të mos arrihet dhe në nivel akademik, në rastin e një tubimi shkencor dy-akademish etj.. Sapo mësuam se Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka shpallur konkursin për veprën më të mirë shkencore kushtuar Skënderbeut.
A nuk do të ishte më mirë që ky konkurs të ishte i përbashkët me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës? (Në njëfarë mënyre, kështu do të shkohej natyrshëm drejt një akademie shkencash të përbashkët me Kosovën, një lidhjeje shkrimtarësh të përbashkët, pasi një është albanologjia dhe letërsia shqiptare andej e këndej, anise shkencëtarët dhe shkrimtarët rrojnë në dy shtete shqiptare. Një është në thelb edhe teatri, kinematografia, festivalet e këngës, humori shqiptar, që do të thotë se shfaqjet e ndryshme janë të një hullie.)
Fundja, përbashkimi për ngjarje kulturore të rrafshit kombëtar nuk është hera e parë që ndodh. Edhe dje, kur kishte një mbyllje hermetike të vendit, ka pasur raste që është arritur përbashkimi i elitës kombëtare, si me 1972-in, ku firmëtarët e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe ishin dhe nga shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze, apo në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës ku kishte gjithnjë dhe grupe arbëreshe etj.. Kjo, assesi nuk do të thotë që të ketë një bashkim mekanik të gjithë veprimtarive kushtuar Skënderbeut, pasi natyrshëm institucionet do të zhvillojnë dhe veprimtari të vetat.
Viti i Skënderbeut do të zgjojë energji të reja te të gjithë ne. Historianët do të vijojnë të botojnë studimet e tyre rreth figurës së papërsëritshme të kalorësit të qytetërimit shqiptar. Qeveritarët do të përmbushin axhendat zyrtare me protokolle strikte. Televizionet, gazetat, portalet, arkivat dhe bibliotekat do të bëjnë të tyren përmes dokumentarësh, dosierësh, shpalimesh, konferencash etj..
Armët dhe përkrenarja e Skënderbeut, ndoshta, do të shtegtojnë sërish nga Vjena drejt Tiranës si 6 vite më parë. Shkollarët do të shkruajnë esetë e tyre të thukëta. Rapsodët e mbetur gjallë nuk do ta kursejnë muzën e tyre “homerike”, si dhe ansamblet e folkut, apo Tetari i Operës, që do të shfaqë operën “Skënderbeu” etj.. Instituti i Monumenteve të Kulturës do të ndërhyjë në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë etj.. Në Labinot do të përfundojë portreti madhështor i Skënderbeut në faqen e malit.
Gravura, portrete, statute, akte juridike, armë dhe relikte të tjera të epokës së Skënderbeut do të ekspozohen në Tiranë, Lezhë etj.. Por, në këtë gjithëpërfshirje, do të ishin të lutur shkruesit e palodhur të rrjeteve sociale ta kursenin mundin e tyre për të gjetur medoemos vendlindjen e Gjergj Kastriotit, origjinën e tij me rrënjë e me degë, të kenë urtinë e të dëgjojnë mjeshtrit e historisë, letrave, arteve. Të na shërbejë ky vit për ta njohur me themel historinë e Skënderbeut dhe jo të vazhdohet të flitet me patetikë e romantizëm për figurën e tij, si për një “legjendë” mesjetare mbitokë- sore, me të cilën vetëm duhet të mburremi.
Përkundrazi, ta përdorim veprën e tij si model idealiteti për të sotmen. Studiuesit me kohë kanë provuar vlerat shtetformuese, qeverisëse, luftarake e diplomatike të Skënderbeut për 25 vite në arenën gjeopolitike të kohës. Nëse historia jonë ka pasur aq shumë humbje dhe humbës, për fatin e saj, ka pasur dhe një strateg të pashembullt fitimtar në rrënjë të Europës rilindëse.
Jemi në vigjilje të hapjes së negociatave për anëtarë- simin në Bashkimin Europian dhe nuk mund të ketë një simbol më domethënës për këtë, sesa fytyra e madhnueshme e Gjergj Kastriotit, që ishte njëherësh dhe hero i mbrojtjes së qytetërimit dhe vlerave europiane. Apo, ç’vlerë themelore të identitetit tonë mund t’i ofrojmë shoqërisë globale, ku kemi filluar të integrohemi, më parë se qëndresën skënderbegiane për liri të shekullit XV? Edhe për këtë, Viti i Skënderbeut meriton “përbashkimin” dhe kurorëzimin më të lartë. /panorama/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëSkandali i ri diplomatik i Vuçiqit në New York – ofendoi sllovenët, vjen reagimi i ashpër i Lubjanës zyrtare
Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit
Zbulohen dy kërkesat që Laporta ia bëri Xavit në një takim urgjent – njëra ka të bëjë me Guardiolën
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova
Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh
Del rezultati përfundimtar në Bogovinë, këto janë rezultatet
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
E jotja është mu koncentru, e karriges Gaming me t’rahatu
Karrige që ta relakson mendjen dhe trupin
Knaqja zemrën vetit: Bli fustanin me zbritje në Melodia Px
Autobusi bon me t’ik, a kjo bluzë me zbritje hiç kërqysh!
Sako nga MelodiaPx që t’shton vetëbesim!
Më të lexuarat
A u vodh Barcelona në El Clasico? Cafu deklarohet shkurt dhe qartë
Dëshmitarja që pa vrasjen e gazetares britanike në vitin 1999, pretendon se pas këtij akti qëndron serbi i njohur si Legia
"Ish-gjyqtari më i pasur në botë", është pronari i dy super bizneseve dhe ka pasuri neto më shumë se Mike Tyson
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë
Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal
"O Bes Kallaku", reagimi epik i Xhensilës kur fansat i përmendin ish-partnerin në koncert