Në Universitetin “Kadri Zeka” u shfaq “Lettres Ouvertes” – historitë e shqiptarëve nga Gjilani që punuan në Zvicër

Sot, në hapësirat e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është shfaqur filmi-dokumentar “Lettres Ouvertes”, nga autorja Katharine Dominicé.
Kjo ngjarje kulturore mblodhi shumë qytetarë vendës dhe mërgimtarë, të cilët ishin të pranishëm për të ndjekur rrëfimet e vërteta për jetën e punëtorëve sezonalë në Zvicër, ndër ta edhe shumë shqiptarë nga Kosova.
“Kjo shfaqje filmi nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por është një tribut për ata që dhanë gjithçka që kishin për një të ardhme më të mirë. Njëherit është edhe një rast për të njohur urat e ndërtuara mes dy popujve, Kosovës dhe Zvicrës”, u tha në fjalën hyrëse të ngjarjes.
Rektori i UKZ-së, Artan Dërmaku, në fjalën e tij theksoi se shumë shqiptarë lanë gjithçka në atdhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë jashtë vendit. Sipas tij, shumë prej këtyre rrëfimeve burojnë pikërisht nga Gjilani dhe Anamorava.
“Është një pasqyrë e përpjekjes reale të jetës dhe sakrificës së mijëra shqiptarëve që të shtyrë nga nevoja ekonomike dhe ëndrra për një jetë më të mirë, kanë kaluar vite të tëra me punë të lodhshme në shtetin e Zvicrës. Shumë prej tyre vijnë nga Gjilani dhe Anamorava, të cilët në rrëfimet e tyre shfaqin edhe një pjesë të historisë sonë”, u shpreh Dërmaku.
Ai theksoi se ky film-dokumentar është një vepër e thellë kulturore, njerëzore dhe historike, që flet për identitetin e shqiptarëve në kohë dhe hapësirë.
Ndërkohë, Albana Krasniqi Malaj, drejtoreshë në Universitetin e Kulturave të Gjenevës, theksoi se prej vitit 1931 ekziston mundësia për të punuar gjatë sezonës në Zvicër. Ajo shtoi se në atë kohë të parët që shkuan për të punuar ishin italianët, e më pas edhe popuj të tjerë.
Sipas saj, nga viti 1934 deri në vitin 2002, në Zvicër kanë ardhur mbi 6 milionë sezonierë për të punuar.
Më tej, ajo shpjegoi se si është krijuar fjala “sezonier” në Zvicër dhe pse shumë prej shqiptarëve shkuan për të punuar atje.
“Fjala sezonier është krijuar për shkak se bujqësia kishte nevojë për punëtorë sezonalë dhe si rrjedhojë ata vinin për të punuar dhe më pas vazhdonin në degë të tjera të ekonomisë së Zvicrës, si ndërtimtaria”, tha ajo, duke shtuar se Zvicra kishte nevojë për krah pune, dhe një pjesë e mirë e tij vinte nga Kosova, sepse ishte ndër krahinat më të varfra. /Telegrafi/





















































