LAJMI I FUNDIT:

Në tri lokacione në Prishtinë, dogana konfiskon cigare elektronike të kontrabanduara

Në tri lokacione në Prishtinë, dogana konfiskon cigare elektronike të kontrabanduara

Në Prishtinë, më 14 gusht, është zhvilluar një aksion i zyrtarëve doganorë ndaj tregtarëve që shesin cigare elektronike kontrabandë.

Qysh në fillim zyrtari doganor informon pronarin e biznesit për qëllimin e aksionit dhe e pyet rreth mbajtjes së cigareve pa banderolë. Pretendime këto të cilat i mohon plotësisht pronari.


Zyrtari doganor: Ma jep letërnjoftimin dhe certifikatën e biznesit. Së pari po të pyes a ki cigare pa banderolë?

Pronari i bisnesit: Nuk mbajmë pa banderolë.

Zyrtari doganor: Nuk mbani?

Zyrtari doganor: As Heets as asgjë?

Pronari i biznesit: As Heets-a as asgjë.

Por, realiteti nuk doli ashtu.

Dogana zuri cigare elektronike të fshehura në dollapa, e rafta mbrapa kutive të cigareve të tjera, larg syrit të klientit e zyrtarëve shtetërorë.

Përveç cigareve, aty u zunë dhe gjashtë telefona pa dokumentacion.

Kjo situatë, bëri që pronari i biznesit të provokojë situatën duke bërë fotografi me kameramanin e “Betimi për Drejtësi”, pa lejen e tij dhe derisa ishte duke kryer detyrën.

Kjo doli të mos jetë e vetmja e realizuar nga ai.

Pronari kishte fotografuar dhe doganierët derisa kishin qenë duke kontrolluar lokalin.

Megjithatë, i pyetur se kujt po ia dërgonte këto fotografi, ai mohon vetë ekzistencën e tyre.

Pronari: Unë foto veç me këta bona me shmekin. Jon kamerat unë bëra me të s’bona me ty.

Zyrtari doganor: E pash foton.

Pronari: Qe, qe.

Gazetarja: A mundesh me na tregu nëse e ke fotografu zyrtarin doganor, kujt ia ke dërgu fotografin.

Pronari: Kerkujna hiç.

Gazetarja: E pse të duhet me fotografu zyrtarin doganor?

Pronari: Kush e fotografoi, pse po ngjet llafe?

Gazetarja: Ata po thonë qe e keni fotografu zyrtarin doganor.

Për rrjedhojë, punëtorët të cilët u tha të jenë të lokalit nuk zbatojnë edhe urdhrin doganor për të mos hyrë në lokal deri në përfundim të aksionit.

Në ndërkohë futet dhe një punëtor tjetër brenda lokalit, i cili tenton të pengojë punën e gazetarëve për të zhvilluar pyetje dhe duke kërkuar të mos incizohet ani se hynë brenda lokalit përkundër urdhrit doganor që vetëm pronari të qëndrojë brenda.

Punëtori: Edhe veç media je ti veç me incizu.

Punëtori: Ajo s’ka kurrfarë të drejtë në botë

Zyrtari doganor: Mos me pas të drejtë nuk është me neve.

Punëtori: Po s’ka të drejtë me fol, ajo le të inxhizon po gojën s’ka të drejtë me qel.

Punëtori: Çka po më incizon atje jashtë

Gazetarja: A jam brenda lokalit, a jam me zyrtarët doganorë

Punëtori: Po pse po me inxhizon jashtë.

Si përfundim, vlera e cigareve dhe filterave të konfiskuar arriti në 3 mijë e 200 euro.

Ndërsa, vlera e shmangies së taksave doganore në 1 mijë e 900 euro.

Në këtë vlerë nuk hyjnë dhe telefonat, për verifikimin e të cilëve biznesit i është lënë afat për sjelljen e dëshmisë se dokumentacionit.

“Pas kontrollës së realizuar në subjektin e lartcekur kemi hasur në cigare pa banderola përkatësisht Heets 10 mijë e 400 copë cigare dhe të tjera 4 mijë e 600 copë cigare. Gjatë kontrollës në subjektin e lartcekur kemi hasur edhe në 3 Iphone dhe 3 Samsung pa dokumentacion të origjinës. Malli në fjalë konfiskohet deri në përfundim të procedurës”, tregon Artijan Gjonbalaj, shef i Njësisë Antikontrabandë.

Për këtë, biznesit “Dini” i është shqiptuar gjoba prej 5 mijë euro.

Kjo për shkak se i njëjti është përsëritës i mbajtjes dhe shitjes së mallit të kontrabanduar.

Derisa, sasi e cigareve janë gjetur dhe në dy lokacionet e tjera në Prishtinë, market “Luli” dhe Tobako Shop “Emri”, por në sasi më të vogël.

“Pas kontrollës së paparalajmëruar në subjektin juridik kemi has në mallra pa dokumentacion dhe banderolë, për çka janë konfiskuar ku sasia e saktë do të japet pak më vonë sa t’i numroj të gjitha. Kishim tabako fitera nga Turqia, nga Amerika Latine, tash për tash kemi një sasi jo edhe të vogël por jo edhe të madhe por kemi rezultuar me shmangie të taksave”, tregon zyrtari doganor.

“Sot kemi kontrollu subjektin në fjalë, kemi gjetë vetëm gjashtë pako Heets të cilat i kemi ndalu. Nuk është shmangie e lartë sepse janë vetëm gjashtë pako por meqë është mall i ndaluar e kemi konfisku dhe procedu me kundërvajtje. Thotë se vijnë do persona shitës ambulativ dhe ecin, letra nuk ka”, jep detaje zyrtari doganor Musa për biznesit tjetër të kontrolluar.

Si rrjedhojë që të dy bizneseve u janë shqiptuar gjoba, njërës në vlerë 3 mijë euro dhe tjetrës në vlerë 1 mijë euro.

Të dy aksionet rezultuan me konfiskim të 65 mijë e 172 copë cigareve dhe 8 pajisje.

Vlera e të cilave ishte afër 10 mijë eurove dhe shmangia mbi 7 mijë euro.

Derisa nga ky aksion u shqiptuan 17 mijë euro gjoba. /BetimipërDrejtësi/