LAJMI I FUNDIT:

Në tokën e premtuar

Kishin pas thënë se toka e premtuar është një parajsë e kësaj bote për popullin e zgjedhur. Ishte tokë e bujshme, pjellore, e bukur dhe mjaftë e përshtatshme për një jetesë të këndshme. Por, arritja deri tek toka e premtuar sipas logjikës së këtyre interpretimeve ishte përmes dhunës, shtypjes, nënçmimit, vrasjes! Këtë gjë po shohin sytë tanë nga tentimi i këtyre njerëzve për tokën e premtuar. Ata arritën synimin! Pushtuan Palestinën dhe krijuan shtetin e quajtur Izrael.

Rrëfimet e tyre fetare i frymëzuan dhe i orientuan kah toka e premtuar. Popullin tonë të mjerë nuk po e frymëzojnë rrëfimet biblike e as kur`anore për tokën e premtuar, por thjeshtë premtimet e partive politike për liberalizimin e vizave, për zhvillimin ekonomik, për një jetesë sa më normale. Liberalizimi i vizave ndodhi. Dhe ja, ku sheh të çliruar të varfrit si prej gardhit me vrap pas ideve të propaganduara dhe asgjë të vërteta. Si në kohën e Enverit! Shqiptarët e ëndërronin dhe e kujtonin Shqipërinë si diçka jashtëtokësore, por më vonë u zhgënjyen nga realiteti. Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri ende gjendeshin rrugët ku përdhunoheshin gocat e reja në mes të rrugës pa fije turpi dhe sikur të kishin qenë kafshë. Regjimi dhe propaganda e tij, kishin krijuar një imazh të tillë për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, se Shqipëria është vendi më ideal në rruzullin tokësor.


‘Monarku’ Nikolla Gruevski me tufën e tij të politikanëve ka vite të tëra që na propagandojnë një Evropë të bukur, dhe të orientuar pro zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Secili skaj në Republikën e Maqedonisë ka dëgjuar për tentimin e qeverive në Maqedoni për futje në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Liberalizimi i vizave u interpretua si kulmi i suksesit politik të kësaj qeverie. Por, realiteti çka na tregoi?
Shqiptarët e Komunës së Likovës dhe Kumanovës po ikin me vrap të pakontrolluar kah vendet e Bashkimit Evropian kryesisht në Belgjikë për të kërkuar azil ekonomik.

Lufta e 2001 ka përfunduar. U nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Sipas të gjitha raporteve të Komisionit Evropian, Maqedonia ka arritur deri në një shkallë të lartë të sigurisë ekonomike, politike, ndëretnike dhe ndërfetare në vend. Me liberalizimin e vizave për Maqedoninë, një pjesë e madhe e shqiptarëve të Kumanovës, Komunës së Likovës, po kërkojnë azil ekonomik. Ata po ikin për në Belgjikë, në tokën e tyre të premtuar. Qëllimi i tyre është që të mos kthehen më asnjëherë në Maqedoni.

Njeriu nuk ikë nga diçka e mirë, e këndshme, ose e përshtatshme. Ai nuk ikë nga bollëku ekonomik dhe politikë. Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e njerëzimit që njerëzit të ikin nga drejtësia sociale, ekonomike dhe politike të një vendi në ndonjë vend tjetër. Ata që ikin kanë hallë. Halli i tyre është tmerrues për Maqedoninë. Ai mund t’i ndryshojë rrjedhat e diskursit politik në Maqedoni. Qeveria e Maqedonisë në vend që të gjej zgjidhje të përshtatshme për këto njerëz, ajo i bën apel njerëzve që të mos mashtrohen nga agjencionet turistike ngaqë nuk ka punësim dhe azil ekonomik në Belgjikë.

Kjo qeveri vepron si një organizatë jo qeveritare kur janë në pyetje këta njerëz. Ajo vepron në këtë mënyrë sepse është e interesuar që këto njerëz të ikin prej këtij vendi, dhe vendi ti ngelet popullatës maqedonase. Deri tash nuk pamë dhe nuk dëgjuam që ndonjë maqedonas ka kërkuar azil ekonomik në Belgjikë. Ngaqë maqedonasit nuk kanë nevojë për azil ekonomik. Të gjithë ata që ikën dhe që po ikin për çdo ditë janë shqiptarët dhe komuniteti romë. Deri tash nuk dëgjuam që ndonjë shqiptarë nga Tetova, Gostivari ose Struga kërkoi azil ekonomik në Belgjikë. Këtij karvani të padrejtësive ndaj shqiptarëve të Kumanovës ndër vite i kanë ndihmuar secila parti politike shqiptare në Maqedoni.

Komunës e Likovës dhe të Kumanovës këto ditë e vizitoi edhe një delegacion belg i udhëhequr nga sekretari shtetëror për azil Melkiol Vatle i cili tha: "Erdhëm këtu për ta parë situatën në këtë rajon dhe ajo me të vërtetë është e rëndë. Mirëpo unë bisedova me kryetarin e komunës dhe ai më njoftoi se ekzistojnë projekte dhe vizion për zhvillimin e komunës. Qytetarët duhet ta dinë se me ardhjen në Belgjikë nuk do të kenë as punë as banesa".

Këto ditë vendin tonë vizitoi edhe kryeministri belg Iv Letern i cili pas takimit me Nikolla Gruevskin në një konferencë për media tha:” Mundem vetëm të konfirmoj se ne jemi të frustruar nga situata e këtillë. Për stabilitetin e kësaj pjese të kontinentit është shumë e rëndësishme që vendi juaj të jetë i suksesshëm në arritjen dhe realizimin e ardhmërisë së tij evropiane. Për këtë arsye konsideroj se duhet të jepen propozime të caktuara. Shpresoj se do të ketë vullnet nga të dyja palët që t’i shqyrtojnë këto propozime dhe të gjejnë zgjidhje. Shpresojmë se kjo çështje nuk do të jetë pengesë afatgjatë për anëtarësimin në BE të cilin e kërkoni".

Përndryshe Belgjika një numër të madh të azilkërkuesve ka filluar që t’i kthejë për në Maqedoni. Jeta për këto njerëz vazhdon e njëjtë me probleme sikur gjithmonë. Ndërsa nga qeveria e këtij vendi deri tash nuk ka asnjë investim në këto anë dhe si duket nuk do të ketë asnjëherë.

Po e vështruam rajonin e Likovës në aspektin ekonomik, do të shohim se aty gjendet toka gati me pjellore në Maqedoni, pozicioni më i përshtatshëm për zhvillim të turizmit rural si dhe uji mjaft i pastër dhe i kthjellët. Por, paperspektiva ekonomike e banorëve të këtyre vendeve i ka detyruar që ti braktisin arat dhe fushat e tyre e të kërkojnë zgjidhje jashtë këtij shteti. Vetëm disa investime të vogla nga ana e qeverisë në këtë anë të Maqedonisë, do e gjallëronte jetën ekonomike në këtë anë.

Mjafton që të ndërtohen disa rrugë, dhe infrastruktura e këtij vendi e të promovohet ky vend për investime për turizëm malor dimëror dhe veror. Një vend që ka mrekulli të tilla natyrore si Bellanocin, Likovën, Mateçin e Runicën dhe shumë vende tjera, është gjynah që të mos zhvillohet asnjë sferë e turizmit.

Megjithatë nga gjithë kjo e keqe ka një të mirë, ngaqë përfundimisht popullata po vetëdijesohet për dallaveret e politikanëve tanë. Në ditën e votimeve duhet të mendohen shumë mirë këto njerëz se kë do e zgjedhin për përfaqësues të tyre politik.