LAJMI I FUNDIT:

Në takimin e Ramiz Alisë me Turgut Ozalin, presidenti turk pyeti: Sa shqiptarë janë në Kosovë dhe a ka shqiptarë në Greqi?

Në takimin e Ramiz Alisë me Turgut Ozalin, presidenti turk pyeti: Sa shqiptarë janë në Kosovë dhe a ka shqiptarë në Greqi?

Mes takimeve që mbajti Ramiz Alia në New York vizitës së tij me rastin e pjesëmarrjes në mbledhjen e OKB-së në shtator 1990, me rëndësi shihej edhe takimi me presidentin turk, Turgut Ozal. Takimi u mbajt në hotel “Peninsula” me 27 shtator 1990 dhe temat e diskutimit ishin kryesisht për ndryshimet politike e ekonomike që po ndodhnin në Shqipëri, marrëdhëniet me fqinjët, pozitën e vështirë të shqiptarëve në Kosovë, marrëdhëniet delikate me Greqinë që nga vitit 1944 kur u shënua tragjedia çame e deri në vitin 1986-1988 kur diskutohej heqja e ligjit të luftës. Por, në fokus të diskutimeve të tyre ishte edhe gjendja ekonomike e Shqipërisë dhe mundësitë për të lidhur marrëdhënie në fusha të ndryshme të ekonomisë. Më poshtë do të sjellim të plotë procesverbalin e këtij takimi, zbardhur sipas origjinalit që ruhet në AQSH.

KONKRETIZIMI I MËTEJSHËM I MARRËDHËNIEVE MIDIS SHQIPËRISË E TURQISË FORCON MIQËSINË MIDIS DY POPUJVE


Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, shoku Ramiz Alia, më 27.09.1990 u takua në Nju-Jork në hotelin “Peninsula” me presidentin turk Turgut Ozal, me të cilin zhvilloi këtë bisedë:

Turgut Ozal: Jam shumë i kënaqur që ju takoj. Unë kam pasur takime të ndryshme me ministra shqiptarë që kanë ardhur në Turqi.

Shoku Ramiz Alia: Shoku Adil Çarçani u kthye me përshtypje shumë të mira nga Turqia. Edhe unë kam kënaqësinë e madhe që takohem me ju. Midis të dy vendeve tona ka marrëdhënie tradicionale, dhe kjo na gëzon. Në qoftë se në gadishullin Ballkanik ka probleme të ndryshme, midis dy vendeve tona, midis Shqipërisë dhe Turqisë, nuk ka asnjë problem politik, përkundrazi, të gjitha premisat janë për marrëdhënie shumë të mira.

Turgut Ozal: Në Ballkan historikisht marrëdhëniet më të mira ne i kemi me Shqipërinë. Me zhvillimet e reja që po ndodhin, me ndryshimet që janë bërë e po bëhen në Ballkan, jam përsëri i sigurt se ne do t’i rrisim e do t’i zgjerojmë marrëdhëniet. Besoj se do të vizitoni edhe vendin tim Turqinë e do të jem shumë i lumtur t’ju pres. Ka shumë shqiptarë në Turqi, të cilët janë njerëz shumë të mirë.

Shoku Ramiz Alia: Është e vërtetë që shqiptarët janë shumë të mirë, ne gëzohemi shumë që ata kanë emër të mirë në Turqi. Kjo gjë përbën një element që marrëdhëniet midis dy vendeve tona të jenë shumë të mira.

Për sa i përket vizitës sime në Turqi, e pranoj me kënaqësi shumë të madhe ftesën, por do të dëshiroja t’ju prisja juve në Shqipëri, sepse e kishit në plan.

Turgut Ozal: Vizita e parë që do të bëj në Ballkan do të jetë në Shqipëri.

Shoku Ramiz Alia: Dakord. Vizita juaj do të jetë një ngjarje e madhe politike në kuadrin e marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve tona.

Turgut Ozal: Dëshiroja t’ju bëj një pyetje, duke ju drejtuar si vëllait tim. Cilat janë ndryshimet politike dhe të tjera që po bëhen në Shqipëri dhe çfarë problemesh keni?

Shoku Ramiz Alia: Edhe unë do të bisedoj me ju si me vëllanë. Me vëllezërit bisedohet e mira dhe e keqja.

Gjendja në Shqipëri, nga ana politike, në radhë të parë, është shumë e mirë. Ne kemi thënë disa herë se Shqipëria ndryshon nga vendet e tjera. Duhet pasur parasysh që ka mbi 30 vjet që jemi shkëputur nga vendet e Lindjes dhe që nga ajo kohë kemi nxjerrë shumë mësime. Në zhvillimin e vendit tonë ne kemi trashëguar një prapambetje të madhe. Shqipërinë ju e njihni dhe s’ka nevojë të futem në histori, por në vitin 1945 kur u çliruam, s’kishte pothuajse asgjë. Populli siguronte bukë vetëm për 6 muaj, kur popullsia ishte vetëm 1 milion. Mesatarja e jetës ishte rreth 40 vjeç. Kjo ishte Shqipëria. Dhe për të arritur në atë çka është bërë sot, na është dashur një punë shumë e madhe. Kemi sakrifikuar shumë, kemi shtrënguar rripin. Kushtet historike kanë qenë të tilla.

Ne nuk mund të themi se i kemi miq grekët, sepse ligjin e luftës, që ishte një absurditet, ata e mbajtën deri në vitin 1988. Ishte si gozhda e Nastradinit.

Turgut Ozal: A ka popull shqiptar në Greqi?

Shoku Ramiz Alia: Ka pasur shumë, por më 1944 grekët i nxorën jashtë. Në Greqi ka shqiptarë, por janë pak.

Turgut Ozal: Po a ka grekë në Shqipëri?

Shoku Ramiz Alia: Po, janë 50 mijë vetë. Ata gëzojnë të gjitha të drejtat si gjithë shqiptarët, as më shumë dhe as më pak.

Zhvillimi i vendit tonë ka kërkuar njëkohësisht edhe restrikcione, një centralizim të madh të ekonomisë, një kontroll të madh në përdorimin e mjeteve, në akumulim etj. Tani gjendja ka ndryshuar, Shqipëria nuk është më siç ishte. Jeta mesatare e shqiptarit është 72 vjeç. Ka mundësi që tani të lirohet pak rripi, jo rripi i mesit, por në kuptimin e centralizimit. Pra, po shkohet drejt demokratizimit të mëtejshëm të jetës sociale. Janë bërë përmirësime në fushën e legjislacionit, për shembull, diçka që më parë konsiderohej krim i rëndë, tani nuk është. Në qoftë se më parë dalja jashtë shtetit ishte më e kufizuar, tani është më pak, njerëzit marrin pasaporta dhe mund të shkojnë jashtë shtetit. Me qëllim që ndërmarrjet të jetë autosuficiente, mund të zhvillohet gjithashtu edhe tregtia e individëve. Më parë nuk lejohej tregtia e vogël private, tani po. Po kështu në fshat, secili ka tokën e vet. Po ecim drejt asaj që të kemi bashkëpunim me të gjithë, bile deri në krijimin e shoqërive të përbashkëta, me financimet nga jashtë etj. Por, jo çdo gjë ecën si në bulevard, sepse ka boshllëqe, ka gropa, bile edhe të mëdha. Kemi edhe pengesa.

Në këtë botë, sidomos pas ngjarjeve në Evropën Lindore, ka shumë këshilltarë, që këshillojnë ritme të shpejta, sipas gustove të tyre. Ne jemi të mendimit se çdo vend ka traditat e veta, ka bazën e vet ekonomike, politike e sociale. Ndjekja e recetave të të tjerëve sjell pasoja jo të mira. Nxitimet nuk paralajmërojnë kohë të mirë. Ne preferojmë të ecim me hapa të sigurt. Çdo lloj perturbacioni i brendshëm mund të shkaktojë shqetësime jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e më gjerë.

Të marrim situatën në Jugosllavi. Populli shqiptar në Kosovë është i diskriminuar, i burgosur.

Turgut Ozal: Sa është numri i shqiptarëve në Kosovë?

Shoku Ramiz Alia: Tre milionë, sa ç’janë edhe në Shqipëri.

Ne duhet të tregohemi të kujdesshëm, me qëllim që rezultatet në vendin tonë të jetë sa më të mira, të mos e vëmë këmbën në boshllëk, por ta hedhim në taban të mirë e të fortë, kjo është filozofia jonë.

Turgut Ozal: Kur isha kryeministër kam takuar ministren tuaj, zonjën Kapo dhe me sa kujtoj, në Shqipëri nuk lejohej marrja e kredive nga jashtë. A ka ndryshim në këtë drejtim?

Shoku Ramiz Alia: Po, ka ndryshim. Me ligje të veçanta janë bërë ndryshime. Në muajin tetor do të mblidhet Kuvendi ynë Popullor dhe do të propozohet nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor të krijohet një komision për të rishikuar disa çështje të Kushtetutës, kemi parasysh disa nene që të mos biem në kundërshtim me ato gjëra që kërkon zhvillimi i vendit. Ne po veprojmë me firma të veçanta, në mënyrë që ato të investojnë kapital të huaj në Shqipëri. Në qoftë se Turqia dëshiron një gjë të tillë, ne do ta mirëpresim.

Turgut Ozal: I kam thënë edhe kryeministrit shqiptar se jemi gati për të ndihmuar, jemi të gatshëm për vizita reciproke, në varësi të kushteve dhe në nivele të ndryshme. Unë për shembull jam dakord që të sjellim grupe ekspertësh të flasin me njerëzit tuaj, edhe tuajt të vijnë në Turqi, të shohin ato që kemi bërë. Në qoftë se gjatë këtyre bisedimeve kërkohet mbështetja jonë, bile edhe në aspektin financiar, ne me kënaqësi do ta bëjmë një gjë të tillë. Dihet se gjërat bëhen nga vetë populli i një vendi dhe nga jashtë mund të vijë vetëm një farë ndihme.

Siç dihet, më 1923 kur u themelua republika turke, pas Luftës Ballkanike, Luftës së Parë Botërore e luftërave të tjera, i gjithë Anadolli ishte i pazhvilluar, nuk kishte industri, populli ishte fshatar ose ushtar, tregtia bëhej nga armenët, grekët ose çifutët. Pas krijimit të republikës na u desh shumë kohë, kemi bërë ndryshime të mëdha. Sot jemi 57 milionë banorë, me një shtesë popullsie 2,3 për qind, pra me sa di, sa e juaja. Ndryshime të mëdha ndodhën këta 10 vjetët e fundit në Turqi, kaluam gjerësisht në tregtinë e tregut të lirë. Tani paraja turke është e konvertueshme si të gjitha paratë e tjera, si ajo gjermane etj. Kemi një numër të madh universitetesh. Numri i përgjithshëm i atyre që ndjekin shkollën është mbi 13 milionë, pra më shumë se gjithë popullsia e Greqisë. Sot kemi një industri të madhe, prodhojmë vetë shumë gjëra, eksportojmë një numër të madh produktesh, duke filluar nga tekstilet, pajisjet elektrike e deri te fibrat dhe çeliqet. Ne, nëpërmjet shoqërive tona të mëdha të ndërtimit, ndërtojmë jo vetëm në Turqi e në vendet arabe, por edhe në Rusi dhe këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi gjithashtu një industri të zhvilluar për mbrojtjen.

Po i sugjeroj vëllait tim që në varësi të secilës fushë nga këto mund të bashkëpunojmë. Është mirë që të dërgohet një ekip ekspertësh turq në Shqipëri para vizitës sime në vendin tuaj.

Shoku Ramiz Alia: Jam plotësisht dakord.

Turgut Ozal: Ne kemi përvojë edhe në fushën e turizmit. Besoj se bregdeti juaj është shumë i mirë.

Shoku Ramiz Alia: Kemi një bregdet shumë të mirë, por një infrastrukturë të keqe. Në këtë fushë ka probleme, por mund të kemi edhe këtu bashkëpunim.

Jam plotësisht dakord me idetë që dhatë. Ato janë shumë inkurajuese, dhe mendoj se një praktikë e tillë duhet ndjekur. Kanë ekzistuar komisione shqiptaro-turke në fusha të ndryshme, por ato kanë mbajtur shumë fjalime. Kurse ideja juaj konkrete që të studiohen më përpara gjërat nga grupet, të shihet çfarë është e dobishme jo vetëm në interes të njërës palë, se ne jemi vend i vogël, ju jeni mbi 50 milionë e kuptohet që ne do të fitonim më shumë, por jam i mendimit që të kihen parasysh interesat e të dy palëve.

Marrëdhënieve me Turqinë ne u kushtojmë rëndësi të madhe politike. Ballkani është fuçi baruti, pra bie era barut. Situatat krijohen dhe janë nga më të ndryshmet. Mund të flasim për kohë të bukur, por ka shumë destabilizime.

Turgut Ozal: Ju kufizoheni me Jugosllavinë dhe Greqinë?

Shoku Ramiz Alia: Ndërsa përballë, me Italinë. Me Greqinë dhe Jugosllavinë krijohen situata të ndryshme. Me Greqinë dëshirojmë të kemi marrëdhënie të m ira. Njeriu fqinjin nuk e zgjedh, por me Greqinë kemi probleme. Urojmë që marrëdhëniet të jenë të mira. Me ardhjen e qeverisë së Micotaqisit, marrëdhëniet nuk janë aq të mira, erdhi puna që zëvendëskryeministri grek e deklaroi hapur se tani mund të shtrohet çështja që jugu i Shqipërisë të bashkohet me Greqinë. Mund të thosha që kjo është një aberracion (marramendje).

Në Tiranë do të bëhet mbledhja e ministrave të Punëve të Jashtme. Ne jemi të interesuar që marrëdhëniet e secilit vend të jenë të pastra. Ne ndjekim vijën që marrëdhëniet të çohen përpara. Gëzohem shumë që Presidenti Ozal ka të njëjtat mendime me tonat lidhur me marrëdhëniet midis dy vendeve. Ju siguroj se do t’i forcojmë më shumë këto marrëdhënie. Ato nuk janë në dëm të askujt, as të Greqisë, as të Jugosllavisë, as të Bullgarisë.

Ju e thatë vetë që shqiptarët në Turqi janë njerëz të mirë.

Turgut Ozal: Gratë e dy kolegëve të mi janë me origjinë shqiptare.

Shoku Ramiz Alia: Ish-kryetarit të Parlamentit turk, Karaduman, gjatë vizitës që bëri në Shqipëri, së bashku me gruan e tij, i shtrova një drekë. Kur po bisedoja me gruan e tij, ajo më tha se ishte nga Shkodra. Ia ktheva: “Mos e zgjat më se mund të dalim edhe kushërinj, pasi edhe unë jam nga Shkodra”.

Ju falënderoj shumë për gjithë ato ide racionale që dhatë. Jam i mendimit që ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve tona do të punojnë për konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis nesh. (sic.). /Shqiptarja/

Në trend Lajme

Më shumë
Vetëm edhe një ditë i hapur aplikimi për trajnimin

Vetëm edhe një ditë i hapur aplikimi për trajnimin "Mobile Journalism" në fushën e gazetarisë - në fund shpërblehen më të mirët

Komunat
Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare për Kosovën është disfatë historike për Serbinë?

Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare për Kosovën është disfatë historike për Serbinë?

Lajme
U raportua nga gruaja për dhunë, Inspektorati policor thotë se po e heton drejtorin kundër trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës

U raportua nga gruaja për dhunë, Inspektorati policor thotë se po e heton drejtorin kundër trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës

Elfije Boletini
Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Lajme
U gjuajtën me armë derisa ishin në veturë, detaje nga rasti që ndodhi në Prishtinë

U gjuajtën me armë derisa ishin në veturë, detaje nga rasti që ndodhi në Prishtinë

Kronika e Zezë
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Kalo në kategori