Në Sheshin e Revolucionit në Teheran u vendos një banderolë ku Donald Trump paraqitet në arkivol


Në kryeqytetin e Iranit, Teheran, u vendos një banderolë gjigante ku presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paraqitet i shtrirë në një arkivol të zi.
Në banderolën gjigante të vendosur në Sheshin e Revolucionit, një nga pikat më të rëndësishme të kryeqytetit, barrierat prej betoni me ngjyrë të zezë, të përdorura gjatë ceremonisë së mbajtur në Xhaminë Imam Khomeini Musalla për ish-udhëheqësin iranian Ali Khamenei dhe mbi të cilat qytetarët kishin shkruar me shkumës, paraqiten në formën e arkivoleve, ndërsa presidenti amerikan Trump është paraqitur simbolikisht brenda njërit prej tyre.
Mbi muret e paraqitura si arkivole shfaqen mbishkrimet: "Ne do ta vrasim Trumpin" dhe "Vdekje Trumpit".

Një gjë e tillë vjen në ditën kur presidenti Donald Trump i tha Fox News të martën se do të zgjerojë sulmet e SHBA-së ndaj Iranit javën tjetër për të synuar termocentralet dhe urat nëse Teherani nuk arrin një marrëveshje.
"Java tjetër bëhet shumë keq për ta sepse javën tjetër vijnë termocentralet. Javën tjetër vijnë urat", tha Trump në një intervistë me transmetuesin amerikan, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

"Do t'i rrëzojmë të gjitha termocentralet e tyre. Do t'i rrëzojmë të gjitha urat e tyre nëse nuk ulen në tryezë dhe nuk negociojnë".
Komentet e Trump erdhën ndërsa forcat amerikane kryen sulme kundër Iranit për të katërtën ditë radhazi dhe rivendosën një bllokadë detare në portet e vendit.

Një armëpushim i brishtë i 17 qershorit midis dy palëve është “shkatërruar” në mënyrë efektive, me fokus në kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, e cila është thelbësore.
I pyetur se sa gjatë do të vazhdojnë sulmet e SHBA-së, Trump u përgjigj: "Ato do të vazhdojnë derisa të them se është mjaft". /Telegrafi/





































