LAJMI I FUNDIT:

Në Sarajevë promovohet trilogjia “Atje ku dielli lind dy herë” e autorit Namik Dokle

Në Sarajevë promovohet trilogjia “Atje ku dielli lind dy herë” e autorit Namik Dokle

Disa ditë më parë, në Qendrën Boshnjake të Kulturës në Sarajevë, u bë promovimi i tre romaneve të shkrimtarit Namik Dokle, “Vajzat e mjegullës”, “Lulet e skajbotës” dhe “Ditët e lakuriqëve të natës” të nominuara nga botuesi si trilogjia e Gorës: Atje ku dielli lind dy herë.

Tre romanet e Dokles janë botuar nga shtëpia botuese e Sarajevës, “Connectum”, të përkthyera në gjuhën boshnjake nga shkrimtari dhe studiuesi Sadik Idrizi. Në promovim foli studiuesi i letërsisë Matija Boshnjak dhe më pas u zhvillua një bashkëbisedim me autorin.

Botuesi Ajet Arifi, duke vlerësuar trilogjinë, nënvizoi se cilido që është impresionuar nga mjeshtëria e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, në romanet e Dokles do të gjejë një vazhdimësi për njohjen e letërsisë shqipe të kohës. Ndërsa, gazeta Oslobodjenje, një nga më të mëdhatë e Bosnjës, ka shkruar mes të tjerash se romanet e Dokles përshkruajnë konture të një poetike të veçantë, tema kryesore e së cilës është përplasja e individit me interesat e pushtetit.