Mysafirët e parë, të cilët do ta presin Vitin e Ri në Strugë dhe Ohër, kanë filluar të mbërrijnë. Më të shumtë do të jenë mysafirët nga vendet fqinje. Hotelet dhe akomodimet private do të jenë të mbushura nga 80 deri në 100%. Çmimet lëvizin nga 280 euro e lart, në varësi të ofertës. Në disa nga kapacitetet hotelierike do të ketë edhe pritje të organizuar të natës së ndërrimit të motmoteve.

“Në Ohër, por edhe në të gjithë vendin, do të jenë të pranishëm turistët nga vendet fqinje. Këtu janë mysafirët tradicional nga Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Greqia, pra nga vendet fqinje, e ndoshta edhe nga Kroacia. Parashikimet janë që kapacitetet të jenë të zëna rreth 80%”, deklaroi Klement Naumoski – Punonjës turistik.


Por disa prej hotelierëve thonë se kjo nuk është e mjaftueshme, sepse pjesa më e madhe e mysafirëve do të qëndrojnë vetëm dy deri në tre ditë. Në Strugë kanë ardhur edhe një numër i madh i mërgimtarëve nga jashtë. Hotelierët e Strugës shpresojnë se që nga viti i ardhshëm, me një organizim të mirë, Struga do të jetë më tërheqëse për vizitorët.

Këtë Vit të Ri, turistët do të paguajnë rreth 20% më shtrenjtë për prenotimet, ndërsa çmimet në restorante dhe kafene, sidomos në Ohër, janë të ngjashme me ato të metropoleve evropiane. Në Ohër, më 31 dhjetor do të ketë pritje të organizuar në sheshin e qytetit, ndërsa festë në ambient të hapur do të ketë edhe më 1 janar.

Në Strugë edhe këtë Vit të Ri nuk do të ketë festë në ambient të hapur, por më 1 janar, në të ashtuquajturën “plazha e meshkujve”, do të organizohet drekë mjellmash, ku do të shërbehen specialitete tradicionale për mysafirët. Të parët që nisën festën ishin zhytësit e Qendrës së Zhytjes ‘Amfora’ nga Ohri, të cilët vendosën pemën e Vitit të Ri nën ujë në Liqenin e Ohrit. Këtë aksion festiv ata ia kushtuan fëmijëve me sëmundje të rralla. /Alsat/