LAJMI I FUNDIT:

Në prag të 17 shkurtit, pastrohen me vet-iniciativë bustet e katër dëshmorëve të Pejës

Në prag të 17 shkurtit, pastrohen me vet-iniciativë bustet e katër dëshmorëve të Pejës

Me iniciativë qytetare e të cilës i janë bashkuar edhe familjarë të familjeve Gjikolli dhe Bojku, në prag të 17 shkurtit – përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, janë pastruar bustet e katër dëshmorëve të kombit nga Peja, Ahmet Gjikollit, Shpëtim Bojkut, Muharrem Kelmendit dhe Jusuf Kelmendit – Cules.

Bashkë me bustet është bërë pastrimi edhe i hapësirës së tërësishme të asaj pjese si dhe është ndërruar flamuri kombëtar, duke u vendosur nga ai që ishte i dëmtuar nga dhëmbi i kohës, me një tjetër të ri, e të cilin e ka ngritur Shpetimi i ri, nipi i dëshmorit të kombit Shpetim Bojku.


Kompania ‘Universal Clean’ e Ardian Gjukes është kujdesur me vet-vullnet për pastrimin detaj të busteve dhe hapësirës, ndërsaqë është ndihmuar nga shokët dhe familjarët e katër dëshmorëve.

Familjarë e shokë të të rënëve janë kujdesur që kjo pjesë e Pejës, që në traditën e lashtë të Pejës njihej si ‘Kajnaku’ të pastrohet e rregullohet në nderim të këtyre të rënëve e edhe si pjesë e ngritjes së vetëdijes institucionale për ta mirëmbajtur.

Nagip Gjikolli-kryefamiljar e Agon Gjikolli, vëllai i Ahmetit, Fitim Bojku-vëlla i Shpetimit dëshmor e Shpetim Bojku i ri bashkë me miq dhe shokë të të rënëve janë kujdesur për aksionin ndërsaqë janë bashkuar janë mbështetur edhe nga komuniteti e objekteve banesore dhe kafeterive përreth.

“Është një angazhim shumë i vogël karshi veprës së madhe e sublime të djemve tonë Cules, Muharremit, Shpetimit e Ahmetit. Jemi në prag të festës së Pavarësisë dhe normalisht hapësira ka nevojë të rregullohet. Fatkeqësisht vërehet mungesa e kujdesit të mirëmbajtjes institucionale dhe besoj se kjo që po bëjmë sot, në vete ka edhe mesazh të ngritjes së vetëdijesimit qoftë edhe publik për ta kthyer kokën jo vetëm nga këto 4 buste por nga të gjitha bustet dhe përmendoret e dëshmorëve. Veç sa filluam angazhimin na u bashkuan shumë banorë të kësaj ane, pronarë biznesesh e edhe nipi i invalidit të luftës Shpetim Agushollit, Fisniku. Ajo çka ne kishim pasur thirrje sot, është që kompania operuese komunale e sapothemeluar së fundmi, urgjentisht të merret me kthimin e ndriçimit publik në këtë hapësirë, meqë ndriçimi këtu, me vite nuk funksionin si rezultat i dëmit që ja kanë bërë njerëzit keqbërës”, deklaroi Fitim Behluli, duke folur në emër të familjeve të këtyre të rënëve, si  shok gjenerate me Ahmetin e Shpëtimin.

Nga viti 2015, Ahmet Gjikolli, Shpëtim Bojku, Muharrem Kelmendi dhe Jusuf Kelmendi-Culja, pushojnë në bronzë në përmendoret e ngritura në qytetin e lindjes, tek Sheshi ‘Skënderbeu’./RADIO 1&Njeshi/