LAJMI I FUNDIT:

​Në mjekimin intensiv po trajtohen 16 pacientë me COVID-19

​Në mjekimin intensiv po trajtohen 16 pacientë me COVID-19

Numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të COVID-19 po rritet çdo ditë, ku vetëm në njësinë e Mjekimit Intensiv Qendror shërbime spitalore po marrin 16 pacientë, gjendja shëndetësore e të cilëve është e rëndë, por në këtë klinikë thonë se janë të furnizuar mirë edhe me oksigjen.

Kryeshefi i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Rexhep Gjyliqi ka deklaruar për KosovaPress se nga 16 pacientë të shtrirë në këtë njësi, pesë prej tyre janë të intubuar, gjashtë janë me CPAP dhe pesë të tjerë në oksigjenoterapi.

Ai thotë se nuk kanë telashe sa i përket furnizimit me oksigjen pasi që njësia e Mjekimit Intensiv është e lidhur me oksigjenin qendror.


“Mjekimi intensiv për COVID aktualisht ka 16 pacientë, të gjithë janë të sëmurë rëndë, por dallojnë mes vete… Nga këta të 16, pesë pacientë janë të intubuar në ventilim mekanik, gjashtë janë në modulin CPAP, ndërsa pesë janë me maskë të thjeshtë… Ne aktualisht jemi mjaftueshëm të furnizuar me oksigjen, kemi oksigjen sepse oksigjenimi në mjekimin intensiv dhe njësitë tjera është qendror ato kyçjet janë në mur vendoset aparaturat e ka kyçje”, tha Gjyliqi.

Aktualisht në mjekimin intensiv për trajtimin e pacientëve me koronavirus ka gjithsej 24 shtretër, por varësisht nga nevoja për trajtim mund të ketë shtretër shtesë në njësitë tjera intensive ku kanë kyçje në oksigjenin qendror.

“Nëse shtohet numri i pacientëve, kemi edhe njësitë tjera që mund t’i shndërrojmë në mjekim intensiv… Në këtë mjekim, ku janë duke u mjekuar pacientët me COVID, ka 24 shtretër me kyçjen në oksigjenimin qendror. Nëse mbushet kjo njësi me pacientë, është njësia e Alergologjisë poshtë në katin përdhes, e ka cila gjithashtu ka oksigjenim qendror dhe mund të kyçet aparatura… Ka disa njësi që mund të shndërrohen në mjekim intensiv dhe besoj se nuk do kemi probleme. Probleme mund të kemi nëse kemi shtim të pacientëve. Do të kemi njerëz që do të jenë shumë më të angazhuar dhe të lodhur dhe ndoshta do infektohen edhe ata sikur të tjerët”, tha Gjyliqi.

Ndërkohë që me COVID-19 janë të infektuar 15 anesteziologë, tash në QKUK janë vetëm 59 anesteziologë dhe me këtë numër Gjyliqi thotë se mund ta menaxhojnë situatën, pasi me reduktimin e programit kirurgjik janë liruar një numër i anesteziologëve të angazhuar në sallat operative.

“Gjithsej janë 35 që kanë qenë të infektuar. 20 e kanë kaluar në fazën e parë në pranverë dhe verë, dhe tani kemi 15 anesteziologë me COVID dhe fatmirësisht pjesa dërmuese e tyre janë me simptoma të lehta, por që e kanë obligative të qëndrojnë të izoluar në shtëpi. Gjithsej anesteziolog në QKUK janë 59, mirëpo ne jemi të shpërndarë në të gjitha njësitë kirurgjike dhe kudo që ka salla kirurgjike ka edhe anesteziologë. Por në këtë situatë Komiteti për Menaxhim të COVID pranë SHSKUK ka vendosur të reduktohet programi dhe numri i operacioneve dhe të kalohet vetëm në raste urgjente dhe me këtë është liruar një numër i anesteziologëve me të cilët mbulojmë mjekimin intensiv me COVID, por edhe për mjekimin intensiv, pasi gjatë kësaj pandemie ka edhe të sëmurë tjerë të rëndë që janë në mjekim intensiv të rëndë… Nëse spitaleve do t’i shtohen rastet, neve do të na shtohen ditët e punës, nuk kemi zgjidhje tjetër, sepse do ta shtojmë numrin e kujdestarive dhe ditëve të punës, pra neve do të na shtohet vëllimi i punës, por punën do ta kryejmë”, tha ai.

Kryeshefi i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv thotë se kanë mjaftueshëm pajisje mbrojtëse, por mungesa më të shpeshta ka te vitaminat dhe analgjetikët.

Dje në Kosovë janë regjistruar 596 raste të reja me COVID-19, 136 janë shëruar dhe pesë persona kanë vdekur, ndërkohë që sot në ora 15:00 pritet të dalë raporti më iu ri IKSHPK-së lidhur me gjendjen me koronavirus në vendin tonë.