LAJMI I FUNDIT:

Në Mitrovicë, Fyle i bie fyellit, shqiptarët as kavallit!

Liria e shprehjes dhe kufizimi i saj:

Në Kosovë definitivisht nuk mund të flitet se ka medie të lira në kuptimin e konceptit idealist për medie të lira. Sikur që nuk ka në asnjë vend të botës. Bëhen matje të vazhdueshme nëpër shumë vende të botës e pastaj publikohen raporte të veçanta për lirinë e medieve. Rangimi në këto lista e një shteti të caktuar nëse respekton lirinë e medieve është në të shumtën e rasteve i motivuar politikisht dhe përdoret për trysni ndaj shtetit të caktuar apo qeverive që nuk llogariten të jenë fort demokratike!


Me një fjalë vetëm preteksti është demokratik ndërsa përmbajtja është politike dhe jo gjithnjë parimore! Freedom House dhe organizatat e tjera ndërkombëtare që trajtojnë lirinë e medieve janë përpilues të raporteve periodike në bazë të së cilave bëhet tabela e klasifikimit dhe cilësimit, si të lira, pjesërisht të lira dhe jo të lira. Pastaj fillojnë presionet mbi qeveritë, caktimi i detyrave të shtëpisë, arsyetimi i qeverive në mbrojtje të interesave, sulmet e opozitës dhe krekosja e medieve, sidomos atyre që nuk çojnë ndonjë peshë në tregun medial, kryesisht nga pozita e denoncimit permanent e që nuk shohin as një pikë drite në terrin informativ, sipas tyre!

Kosova në këtë bastore vlerësuese lëviz në përputhje me zhvillimet politike dhe nevojat që kanë ndërkombëtarët për “përparimin” e lirisë së medieve për realizimin e projekteve politike! Nëse kanë nevojë për ta disiplinuar qeverinë, atëherë i ndërsejnë mediet e “lira” duke i armatosur me informata të besueshme nga një burim i rëndësishëm ndërkombëtar e që këtyre medieve u siguron ekskluzivitetin për plasimin e asaj informate!

Nëse ndërkombëtarët janë në valë të njëjta me qeverinë atëherë disa medie që llogariten si më të zhurmshme mbahen nën kontroll duke u ndarë projekte të ndryshme, trajnime, etj.etj.! Është krejt e natyrshme që çdo qeveri, qoftë demokratike apo jodemokratike për qëllim ka paqen me medie dhe armëpushimin duan ta zgjasin sa më shumë! Vetëm regjimet fashiste dhe juntat ushtarake nuk lodhen fort për medie sepse ato vijnë në pushtet dhe e mbajnë pushtetin duke e shtypur fjalën e lirë!

Në Republikën e Kosovës gjeografia mediale nuk dallon shumë prej vendeve të rajonit. Në to ka demokraci për aq sa qeveritë dhe qeverisjet janë demokratike! Që do të thotë se ka deficit demokratik! Mediet e “pavarura” nga ndikimet politike por të varura nga donacionet ndërkombëtare mbijetojnë duke e censuruar veten e tyre dhe duke qenë në pozita krejtësisht konformiste! Ato i vardisen pushtetit për t’u bërë pjesë e tij!

Shumë gazetarë me nam por pa nishan, janë alter ego e një politikani injorant duke kryer punë të pista për ta! Në jo pak raste ata janë vrasës me porosi duke orkestruar linçime publike të personaliteteve të caktuara, qoftë edhe duke u marr me familjet e tyre dhe duke përdorë shpifjet që janë kundër çdo kodeksi moral! Ata përfundojnë si këshilltarë, deputetë, ministra dhe bëhen bartës të posteve të tjera me rëndësi! Nga krijues të opinionit shndërrohen në dhunues të opinionit! Zakonisht punojnë te ndërkombëtarët ku, në cilësinë e denoncuesit janë në marrëdhënie pune ndërsa te institucionet punojnë për shkaqe “patriotike”!

Me kësi gazetarësh është vështirë të kemi medie të pavarura deri në kufijtë e durueshmërisë ndërkaq që e them se shprehja medie të lira është improvizim dhe asgjë tjetër! Te ne asnjë qeveri, pas përfundimit të luftës e deri te kjo e fundit nuk kanë bërë trysni më medie sa kanë bërë përpjekje mediet që t’i vardisen qeverive të pasluftës! Me përjashtim të disa rasteve! Shumë pak rasteve!

Ndërkombëtarët na fajësojnë se nuk ka liri të mjaftueshme për medie dhe se mungon transparenca. Këto janë pikat ku na godasin më së lehti dhe në mënyrë të padhembshme! Po sa janë ndërkombëtarët vërtet transparent dhe ithtarë të fjalës së lirë?! Vlerësojeni vet të nderuar lexues me rastin vizitës së Shtefan Fyle, Universitetit të Mitrovicës së Veriut!

Zotni Fyle, Komisionar për Zgjerim i BE-së na siguroi se nuk po mbahen bisedime të fshehta midis Serbisë dhe Kosovës në kohën kur vet e mbajti një takim të fshehtë me studentët serbë të këtij Universiteti që financohet nga Serbia dhe është pjesë e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë! Ai iu drejtua studentëve serbë në gjuhën serbe në ndërkohë që nuk e kam dëgjuar ta ketë përdorur një fjalë të vetme në gjuhën shqipe në Prishtinë!

Ai ishte krejtësisht jotransparent dhe kundër fjalës së lirë, lirisë së medieve, si vlera fundamentale të demokracisë duke i përzënë gazetarët nga ky takim dhe duke u pamundësuar atyre që me pyetjet e tyre dhe raportet pas atij takimi ta informojnë opinionin. Shtefan Fyle i pengoi gazetarët ta kryejnë punën e tyre duke ua shkelur të drejtat e tyre! Madje gazetarët duhet të ndahen të kënaqur që ndaj tyre nuk u përdor edhe forca fizike!

Ky ishte veprim skandaloz i z. Fyle dhe pikërisht këtu ranë në provim disa medie të “pavarura” të Kosovës që e heshtën këtë skandal apo nuk i kushtuan rëndësi! Madje , atij iu nda një mirënjohje nga ky Universitet që administrohet nga Serbia dhe është pjesë e sistemit arsimor të Serbisë!

Edhe ky shembull ma forcoi bindjen se ndërkombëtarët kritikat për çdo dështim i adresojnë te institucionet vendore ndërkaq në mënyrë joparimore i vardisen Serbisë në Kosovë përmes strukturave paralele të cilat i konsiderojnë si struktura legale!

Prandaj, z. Fyle, duke luajtur në frulle (dyfyellëshi) në Mitrovicën e Veriut, e bënte muzikën e strukturave paralele të Serbisë ndërsa neve na e la kavallin në duar, pa të drejt t’i ndërrojmë gishtërinjtë! Me një fjalë, me këtë veprim dhe me bisedimet e imponuara “ teknike” dhe të “ barabarta” vetëm se po na bëjnë me dije se nuk jemi as bira e fundit e kavallit!

(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale)

Në trend

Më shumë
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë

"Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Lajme
Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Lajme
Ai ishte yll i futbollit - tani në moshën 31-vjeçare mund të kthehet aty ku e nisi karrierën

Ai ishte yll i futbollit - tani në moshën 31-vjeçare mund të kthehet aty ku e nisi karrierën

Ndërkombëtare
Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Evropa
Kushtëzimi i Kosovës për në KiE, eurodeputeti gjerman, Butikofer: Gabim i keq i Qeverisë gjermane

Kushtëzimi i Kosovës për në KiE, eurodeputeti gjerman, Butikofer: Gabim i keq i Qeverisë gjermane

Lajme
Kalo në kategori