LAJMI I FUNDIT:

Në Maqedoni nuk u vlerësua për karrierën e tij, sot është specialist i suksesshëm në Gjermani

Në Maqedoni nuk u vlerësua për karrierën e tij, sot është specialist i suksesshëm në Gjermani

Intervistoi: Aroma Aliti

Agron Xhelili 39 vjeç është një mjek nga qyteti i Tetovës i cili tashmë 8 vite jeton dhe punon në Achen të Gjermanisë. Kryesisht Agroni mban postin e kryespecialistit në repartin e Kardiologjisë në klinikën Westmünsterland. Në një intervistë për Telegrafi Maqedoni ai rrëfen se si në vendin e vet që është Maqedonia e Veriut i është mohuar e drejta për të specializuar dhe për të zhvilluar karrierën e tij, ndërkaq nga ana tjetër në një vend si Gjermania ku konkurrenca mund të jetë ende më e madhe është vlerësuar dhe ka arritur aty ku është sot.

Agroni në këtë intervistë tregon qartë se nëse ambiciet dhe dëshira janë të mëdha, atëherë mund të arrish një karrierë të suksesshme edhe në një vend të huaj.

Kush është Agroni për ata që se njohin?

Unë jam Agron Xhelili, i lindur më 24.02.1983. Arsimin fillor dhe te mesëm e kam kryer në Tetovë. Fakultetin e mjekësisë e kam kryer në Prishtinë. Pas kryerjes së fakultetit të mjekësisë ushtrova detyrën e mjekut te përgjithshëm (mjek familjar) për gati 5 vite me radhë ne Shtëpinë e Shëndetit në Tetovë. Aktualisht e kam postin e kryespecialistit në Repartin e Kardiologjisë në Klinikën në të cilën për 8 vite punoj (Westmünsterland Klinik). Këtu si kardiolog intervent jam përgjegjës dhe udhëheqës në fushën e implantimit të pajisjeve ne zemër. Kjo nënkupton implantimin e Pejsmejkerëve (për pacientët me çrregullime të ritmit të zemrës) dhe defibrilatorëve dhe pajisjeve te tjera si p.sh. terapia re sinkronizuese ne zemër (CRT) dhe terapia modulative-kontraktile në zemër (CCM) për pacientët me insuficiencë kronike të zemrës. Në dy vitet e fundit jam përkushtuar në implantimin e pejsmejkerëve më inovativ (për pacientët me çrregullim të ritmit të zemrës) që njihen si “conduction pacing system”. Në këto vite kam mbi 1000 Implantime të pajisjeve te këtilla kardiake dhe një numër të shumtë te intervenimeve koronarografike për pacientët me sëmundje akute të arterieve koronare. Ndër të tjerash ushtroj detyrën e mjekut emergjent në repartin intensiv dhe repartin e urgjencës.

I demoralizuar nga vendlindja e tij, Agroni u detyrua të udhëtoj në një vend të huaj ku sot ka arritur të jetë një specialist mjaft i suksesshëm.

Ju tashmë 8 vite jetoni dhe veproni në Gjermani, çfarë nuk ju ofroj vendi jonë që sot jeni atje?

Para plotë 8 viteve pas tentimeve të shumta për të fituar një vend specializimi në vendin tonë edhe pse ne atë kohë 5 herë radhazi në tre vendet e para të testimeve të organizuara për punësim (e thënë aso kohe që 10 vendet e para do të fitojnë të drejtën e specializimit) , as edhe një herë nuk mu ofrua një mundësi e vetme për të marrë një vend specializimi, gjë që ishte arsyeja që me shtyu te filloj kursin intensiv të gjuhës gjermane dhe të filloj të kërkoj punë në spitalet e Gjermanisë. Duhet të pranoj që ishte një ndër periudhat më të vështira të jetës time. Pas aplikimeve te shumta arrita të marr ftesë për hospitim në një spital në Frankfurt të Gjermanisë. Para se të filloja me hospitimin vendosa të ndjek edhe një kurs në Berlin prej ku dhe pas mbarimit te kursit vazhdova rrugëtimin tim për në Frankfurt. Në kohën deri sa isha në Frankfurt morra ofertën e re nga klinika në të cilën punoj dhe veproj sot. Në të njëjtën periudhë prisja lindjen e djalit andaj duhej të kthehesha në Maqedoni dhe më pas vetëm disa javë pas lindjes së tij morra rrugën për në Nordrhein-Westfalen duke lënë prapa djalin, familjen dhe vendlindjen time. Ishte 24.10.2014 një ditë e zymtë në Tetovë dhe në shpirt. I detyruar të marrësh një vendim të tillë nga pamundësia për të ushtruar detyrën humane në vendin tënd dhe njerëzit e tu është shumë e dhimbshme por njëkohësisht mëkat dhe krim. 01.11.2014 dita e parë në punë në Gjermani. Gëzim, trishtim, ankth, pasiguri dhe shumë pyetje e dyshime në kokë. Sido t’ia dal, si do të më presin, a thua do të mund t’ia arrij qëllimit e shumë pyetje te tjera. Ajo që më priste më pas ishte sa e bukur aq edhe e dhimbshme. E bukur pasi që kisha një mikpritje të jashtëzakonshme duke filluar nga shefi i klinikës e deri te të gjithë të punësuarit e tjerë te klinikës, si në aspekt profesional ashtu edhe në aspekt moral dhe shpirtëror. E trishtë dhe e dhimbshme pasi që pas çdo fjale dhe vepre të mirë që me bëhej ndjeja njëkohësisht gëzim por edhe një thikë në shpirt pasi që e mendoja vendlindjen time, shqiptarët e mi që as edhe për një çast nuk u munduan të më mikpresin dhe vlerësojnë si këta por në të kundërtën bënë të pamundurën të më përbuzin dhe demotivojnë. E rëndë, shumë e rëndë si në ato momente po edhe sot e kësaj dite sa herë që rri e kujtoj ato ditë.

Tregoni një nga eksperiencat e juaja që ju ka ofruar një mësim për jetën?

01.11.2014 rrugëtimi i jetës dhe eksperienca që më bëri, edhe pse në një moshë shumë të re, të mësoj leksionin e jetës. Një ditë e ftohtë në shpirt dhe në Tetovë, binte shi por prindërit e mi më shumë të lagur nga lotët se nga vetë shiu. Unë si një mumie i ngrirë dhe pa ndjenja, me valixhet e mbushura përplot me tesha dhe kujtime nga vendimi im. Ishte një rrugëtim shumë i gjatë. Pas 36 orëve mbërrita në një vend të huaj ku nuk dija nga t’ia mbath. Si një turist por dhe njëkohësisht nga ajo ditë si një qytetar i ri i këtij vendi, qëndroja me valixhet në dorë para klinikës e cila me vonë u bë dhe është shtëpia dhe mundësia ime e jetës. I humbur hyra brenda në Spital ku dhe me priste shefi i cili sa pa lodhjen në fytyrën time morri valixhet e mia dhe më dërgoi direkt në kantinën e spitalit. Nuk mundte të besoj që kisha udhëtuar plot 36 orë me autobus. Më ofroi te shkojmë në shtëpinë e tij derisa të behej gati dhoma në të cilën do të qëndroja ne ditët ne vijim. Nuk mundja ta besoja që shefa të këtillë ekzistojnë, pa ego dhe mendjemadhësi. Në shtëpinë e tij ndjeva ngrohtësinë e një familje që ma ofruan bashkëshortja dhe familja e tij. Që nga ajo ditë e deri më sot ata vazhduan dhe vazhdojnë të jenë familja nga e cila unë mësova leksionin e jetës që ndonjëherë nga ai që e ndjen si më të largët dhe të huaj përfiton mundësinë, ngrohtësinë dhe shansin e jetës, gjë që nuk e fiton nga ai me të cilin ke gjak dhe komb të njëjtë.

A mendoni të ktheheni dhe të kontribuoni në vendlindje ndonjëherë?

Dëshira dhe ëndrra për tu kthyer është si në ditën e parë kur jam shpërngulur po ashtu edhe sot e kësaj dite e pranishme, por frika dhe dyshimet që në vendin tonë ende mbizotërojnë anti-vlerat dhe nuk vlerësohen vlerat më vështirësojnë marrjen e një vendimi te tillë. Në një vend ku në çdo sferë (me përjashtime) dominojnë anti-vlerat kurrë nuk do t’ju jepet mundësia njerëzve me vlera dhe ambicie. ‘Mbreti’ rreth vetes mban të paaftën me qëllim që mos i cenohet vendi në karrigen e tij. Dhe diçka do të shtoja: e vetmja arsye që do të më bënte të kthehem në vendlindje është djali im Jon.

Ndryshe, Agroni i këshillon të rinjtë që mos të dorëzohen nga ëndrrat dhe të ndjekin rrugën e suksesit në vendet ku do t’ju ofrohet mundësia dhe do të vlerësohen edhe në qoftë se ky vend nuk është vendlindja e tyre.

Çfarë do i kishe sugjeruar gjithë rinisë?

Ndiqni ëndrrat e juaja. Atje ku ju ofrohet mundësia dhe ju do të vlerësoheni si njeri dhe profesionalist, atje është ardhmëria juaj.

Në trend Lajme

Më shumë
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Bajrami i reagon Muratit pasi tha se ka rritje të qarkullimit të biznesve, e fton për përballje

Bajrami i reagon Muratit pasi tha se ka rritje të qarkullimit të biznesve, e fton për përballje

Lajme
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Kurti: Më herët mirëmbajtja e rrugëve ka kushtuar 57 milionë për tri vjet, ne e kemi zbritur në 38 milionë

Kurti: Më herët mirëmbajtja e rrugëve ka kushtuar 57 milionë për tri vjet, ne e kemi zbritur në 38 milionë

Lajme
Aksident tragjik në Kërçovë, humbin jetën tre persona

Aksident tragjik në Kërçovë, humbin jetën tre persona

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori