LAJMI I FUNDIT:

Në kohë pandemie i vënë zjarrin pyjeve, reagon kryetari i Deçanit

Në kohë pandemie i vënë zjarrin pyjeve, reagon kryetari i Deçanit

Në këtë kohë kur të gjithë po bëjnë thirrje për ta ruajtur shëndetin shkaku i pandemisë së coronavirusit, disa qytetarë të pandërgjegjshëm të Komunës së Deçanit i kanë vënë zjarrin pyjeve.

Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i kësaj komune Bashkim Ramosaj i cili ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve.


“Të dashur qytetarë, jam bërë i tepërt ndoshta duke kërkuar nga ju të keni kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve.

Një pakujdesi e cilitdo nga ne po na kushton të gjithëve, e më së shumti ambientit tonë, pasurisë sonë natyrore.

Nga unë e Zjarrfikësit, ju lutem #Kujdes”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.

E me një dukuri të tillë po përballen edhe disa komuna të tjera. Në komunën e Podujevës ditë më parë është bërë apel që të mos ndizen pyjet ose do të pasojnë gjobat.

“Krahas gjendjes së krijuar nga pandemia COVID – 19 dhe paraqitjes së rasteve të para me të infektuar nga ky virus, në komunën tonë është prezente një dukuri tjetër shqetësuese: djegia e kullosave, hamulloreve dhe pyjeve, që po ndotin ambientin dhe po dëmtojnë pronën publike dhe private.

Ky shqetësim është ngritur në Komisionin komunal për veprime dhe masave parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19, ku u kërkua nga inspektorët komunalë dhe Policia e Kosovës që të jenë rigorozë në ndërmarrjen e masave ndaj zjarrvënësve.

Prandaj, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe drejtoria e BPZHR apelojnë te qytetarët që të mos ndërmarrin veprime të tilla, të ndezjes së zjarreve, që rrezikojnë shëndetin dhe dëmtojnë pronën, sepse ndaj tyre do të ndërmerren masa ndëshkuese konform ligjit”, është thënë në apelin e Komunës së Podujevës. /Telegrafi/