Në Kamenicë mbahet punëtoria për parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës kibernetike

Komuna e Kamenicës, përmes Zyrës për Barazi Gjinore dhe në bashkëpunim me Koordinatoren e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, ka organizuar një punëtori ndërgjegjësuese me temën “Format e ndryshme të dhunës me bazë gjinore dhe mbrojtja nga dhuna kibernetike”.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Planit Lokal të Veprimit për Barazinë Gjinore, me mbështetjen e projektit “Gender Equality Facility”, të financuar nga Bashkimi Evropian, zbatuar nga UN Women dhe me përkrahjen e Cacttus Education, përcjell Telegrafi.
Punëtoria është udhëhequr nga trajnerja e UN Women, Mirjeta Nagavci, e cila përmes diskutimeve interaktive dhe ushtrimeve praktike ka trajtuar format e ndryshme të dhunës me bazë gjinore, duke vënë theks të veçantë tek dhuna digjitale dhe mbrojtja nga sulmet kibernetike.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, nxënës, arsimtarë dhe qytetarë, përfshirë edhe pedagogun Afrim Hoda nga shkolla e mesme e lartë në Kamenicë.
Sipas komunës, qëllimi i kësaj punëtorie është rritja e vetëdijes për barazinë gjinore, parandalimi i formave të dhunës, si dhe krijimi i mjediseve të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për të gjithë qytetarët e komunës. /Telegrafi/

















































