Festivali i Evrovizionit çdo vit lë gjurmë me lloj-llojshmërinë e këngëve të cilat vijnë nga vendet e ndryshme, ku shumica e tyre mundohen ta prezantojnë denjësisht vendin e tyre, disa kulturën, traditën e tyre, e disa thjesht kanë tema personale.

Sivjet, festivali u mbajt në Oslo të Norvegjisë dhe padyshim që prapë kishte laramani të këngëve të ndryshme nga shtetet evropiane. Shqipëria, tash e 6 vite, çdo vit është pjesë e këtij spektakli madhështor, dhe pak a shumë na përfaqëson edhe ne si shtet.


Ajo, në vitin 2004, u përfaqësua nga Anjeza Shahini e cila këndoi këngën "Imazhi yt" (The Image of You"), ku nga votat e marra nga shtetet tjera ajo arriti ta fitonte vendin e shtatë. Këngën e kishte kompozuar artisti i njohur Edmond Zhulali.

Në vitet e tjera, Shqipëria nuk do ta ketë suksesin siç e pat në vitin 2004. Në vitin 2005 Shqipëria do zinte vendin e 16, ndërsa dy vitet tjera (2006-07) konkurrentët nuk do arrinin të futeshin fare në finale.

Pastaj në vitin 2008-09 Shqipëria do të përfaqësohej nga dy këngëtare të reja siç janë Olta Boka dhe Kejsi Tola të cilat morën vendet 16 dhe 17. Rezultate mjaft dëshpëruese për një vend me një kulturë muzikore aq të frytshme dhe kompozitor të talentuar e me përvojë.

Personalisht, kam qenë me fat që jam rritur me këngë që janë perla shqiptare të punuara nga kompozitor të mëdhenj shqiptar si Çesk Zadeja, Avni Mula, Pjetër Gaci etj, e të kënduara nga këngëtarë me zë fuqishëm si Gaqo Qako, Vaqe Zela, Tefta Tashko, Mentor Xhemali e shumë të tjerë, zëra dhe tinguj këta që tash edhe për nacionalitetet e tjera janë inspirim për gjeneratat e reja.

Megjithëkëtë, në festivalet e sotme duhet një frymë e re, dhe padyshim ritëm tjetër. Në këngët konkurrente nga Shqipëria, çdo vit hasim në emra të njëjtë kompozitorësh, apo tekstshkruesish, apo thjesht muzikantë që kanë vite përvojë, artistë këta si: Edmond Zhulali, Adrian Hila etj, e që njihen nga audienca si muzicientë shumë të suksesshëm apo si do t'i quante shqiptarizma "Artist të merituar", dhe padyshim që kanë arritur të hyjnë në historinë e muzikës shqiptare duke krijuar këngë mjaft të suksesshme me të cilat këngëtarët kanë provuar veten e tyre, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Sivjet, Shqipëria u përfaqësua nga Juliana Pasha, këngëtare kjo me një zë të mrekullueshëm dhe të fuqishëm. Madje ajo ishte krahasuar me një nga këngët e këngëtares me famë botërore Christina Aguilera. Kënga "It's All about you" ishte punuar nga Ardit Gjebrea dhe Pirro Cako, të dy këta njihen për këngë shekullore e të dëgjuara.

Mund të them me plot gojë që sivjet ishte viti më i suksesshëm i tyre, sado që ata nuk arritën të marrin ndonjë vend të parë, kënga ishte mjaft mirë e realizuar dhe shumë më ndryshe nga vitet e kaluara. Megjithatë, mendoj që do duhej ta hidhnim tërë krenarinë poshtë, dhe viteve tjera që do vinë t'ua linim në duar artistëve të rinj të gjithë punën e krijimit të këngëve përfaqësuese në Eurovision, atyre artistëve që janë në shpërthimin e talentit të tyre, dhe shpirti i tyre prej artistësh është i freskët.

Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që Eurovisioni në vete përmban më shumë politikë sesa art, por që t'i tregojmë vlerat dhe talentin e të rinjve shqiptarë, edhe po të mos fitonim politikisht, do të fitonim artistikisht.