LAJMI I FUNDIT:

Në Evropë, larg Evropës!

Integrimi Kosovës do t’i dalë “kapuç me mëngë”.
Si proces nuk është edhe aq i thjeshtë, ndërsa kur është fjala për një shoqëri me demokraci të re siç është Kosova dhe fqinjët e saj, atëherë kjo rrugë mund të zgjatet me vite.

“Kosova po i afrohet Evropës”; “Kosova e ka perspektivën e vet evropiane”; Kosova do të bëhet në një të ardhme… pjesë e familjes evropiane”; “Kosova e ka vendin në Evropë” – fraza të këtilla do të dëgjohen për shumë kohë.
E vërteta është se askush nuk mund ta vërë në dyshim pozicionin gjeografik.
Kosova nuk mundet që t’i afrohet dhe as t’i largohet Evropës. Është Evropë. Por loja me këto fraza bëhet për të treguar se Kosova ndodhet larg plotësimit të standardeve të nevojshme për të qenë shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
Shumë e vërtetë. Faji është i përbashkët, prej individit e deri te institucionet.
Shumë prej dukurive të këqija që ndodhin në Kosovë, e që do të përmenden në raportin e progresit, të cilin do ta publikojë së shpejti Komisioni Evropian, kanë mundur të zgjidhen pa asnjë problem përpara shpalljes së pavarësisë.


Përgjegjësia e individit: Integrimi së pari nis në mentalitet, prej vendosjes së raporteve të shëndosha me anëtarët e familjes, pastrimit të shtëpisë, oborrit, edukimit dhe arsimimit, kryerjes së detyrës zyrtare a private me përgjegjësi dhe deri te kërkesa nga të zgjedhurit për plotësimin e premtimeve të dhëna.

Fatkeqësisht shumë prindër i lënë fëmijët adoleshentë të bredhin rrugëve deri në orët e pasmesnatës pa e ditur ku i kanë, burri e keqtrajtojnë gruan, rrallë ndodh edhe anasjelltas, bërlloku hedhet në oborr, mijëra hektarë lihen shkret pa u punuar, pylli pritet e vidhet, ndërtohet pa leje dhe askush nuk e vret ndërgjegjen të kërkojë përgjegjësi nga ata që janë zgjedhur të qeverisin. Me vetëdije mashtrojnë njëri-tjetrin, bëjnë jetë të rrejshme. E mjerueshme.
Kur ata dalin në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, atje ku zbatohet ligji, integrohen shpejt dhe e kryejnë shkëlqyeshëm çfarëdo pune, me kazmë apo me laps, tregohen të përgjegjshëm…

Përgjegjësia institucionale: Fatkeqësisht është në shkallë shumë të ulët.
Ndër dukuritë më negative për Kosovën në raportin e Komisionit Evropian që pritet të publikohet së shpejti, përmendet niveli i lartë i korrupsionit i përhapur shumë me tenderët, privatizimi shkel e shko, sistemi i dobët i drejtësisë, financimi jotransparent i partive politike, administrata e pareformuar, jofunskionaliteti institucional.

Të gjitha këto janë të vërteta dhe pak më zi seç thuhet aty. Tash Kosova ka të drejta, por edhe detyrime, andaj çdo dështim duhet ta marrë si përgjegjësi të veten. Bashkimi Evropian vetëm i cakton rregullat e lojës. Integrimi i ka të mirat e veta, por edhe të “këqijat” për pushtetarë dhe individë anarkistë. Pyetja që del nga këtu është se a thua autoritetet Kosovës do të mësojnë ndonjë gjë nga gabimet e fqinjëve, të cilët me vite të tëra enden shkallëve të integrimit pa mundur të dalin në krye të tyre?

A thua zyrtarët që kanë dalë jashtë Kosovës, ta zëmë ata që e kanë vizituar Estoninë, kanë mësuar diçka nga përvoja e këtij shteti gjatë integrimit në Bashkimin Evropian. Një shtet me 1.3 milion banorë, me mbi 20 për qind rusë brenda, me një histori të hidhur gjatë pushtimit sovjetik, me territor katër herë më të madh se Kosova dhe me asnjë pëllëmbë djerrinë, është shembull i mirë për Kosovën se si duhet ecur drejt integrimit evropian.

Fjalët boshe, konferencat dhe seminaret e shumta rreth integrimit janë të panevojshme tashmë. Aq më tepër që gjysma e atyre që marrin pjesë nuk do të duhej të ishin aty, por rastësia i ka sjellë të jenë anëtarë të institucioneve.
Të gjithë e kemi parë pak botën dhe duhet të bindemi se është puna ajo që na integron.

Përgjegjësia e Bashkimit Evropian: Edhe ato pesë shtete anëtare të saj është mirë që së shpejti ta pranojnë Kosovën shtet, por nuk është fundi i botës. Qëndrimi i tyre sot tregon unitetin e brishtë të Bashkimit Evropian.
E Kosova është Evropë, andaj e mira apo e keqja do të ndahen së bashku.