LAJMI I FUNDIT:

Në ditën e demokracisë, Veseli bënë thirrje për unitet të skenës politike

Në ditën e demokracisë, Veseli bënë thirrje për unitet të skenës politike

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli me rastin e kremtimit të Ditës së Demokracisë, ka thënë se demokracia përbën modelin më të mirë të qeverisjes në historinë politike të njerëzimit, ngase arrin të sigurojë një qeverisje e cila nuk e cenon vlerën më të lartë të individit dhe të shoqërive – lirinë.

Veseli tha se demokracia para se të jetë ide, është praktikë reale, është mënyrë specifike e qeverisjes dhe mënyrë e jetesës në liri.

“Ne besojmë në këtë ide, prandaj kemi zgjedhur që të jemi pjesë e botës demokratike, sinonim i të cilës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Aleanca Veri-atlantike dhe Bashkimi Evropian”, theksoi Veseli.

“Është pikërisht ky dimension që nganjëherë duket se e harrojmë. E kemi gojën plot demokraci, e në anën tjetër bëjmë gjëra që nuk korrespondojnë më frymën praktike të demokracisë. Ndërsa e them këtë, fjalën e kam pikërisht tek skena jonë politike, e cila tash e një kohë të gjatë po ka vështirësi serioze në tejkalimin e polarizimit të dëmshëm partiak”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se në demokraci dallimet politike janë të ligjshme, por kur ato nuk konkludojnë me konsensus, shndërrohen në rrezik për rendin demokratik.

“I përmenda këto parime, për të dalë tek çështja aktuale e dialogut me Serbinë. Na duhet të ulemi dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët në përballje me sfidat e këtij dialogu“, theksoi kryeparlamentari Veseli, ndërsa shtoi se fryma e përjashtimit reciprok është një rrugë pa krye.

“Dilemat e ngritura mbi rrezikun për ndarjen e Kosovës nuk janë të qëndrueshme. Nuk janë dilema tona, realisht. Janë gracka të kundërshtarëve të lirisë dhe pavarësisë sonë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit është deklaratë e shenjtë për popullin tonë. Prandaj, si e tillë, është e paprekshme. Kosova ka integritetin e saj territorial, të njohur ndërkombëtarisht. Ka kushtetutën e saj dhe askush nuk ka mandat të marrë vendime që bien ndesh me parimet themelore të saj“, tha Veseli.

Në kremtimin e ditës së demokracisë, Kryeparlamentari Veseli ka takuar nxënës të shkollave të ndryshme kosovare që vizituan Kuvendin e Kosovës.​